Kosova miraton dhënien e dozës së tretë

Një punëtor shëndetësor në një qendër vaksinimi në Gjilan bëhet gati të administrojë një dozë të vaksinës. Fotografi nga arkivi.

Në Kosovë do të fillojë doza e dhënies përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit, konfirmoi të mërkurën Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.

Ky vendim pritet të nisë së zbatuari nga 9 dhjetori.

“Doza përforcuese u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], por te të cilët, me kalimin e kohës, imuniteti vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë”, tha MSH-ja.

“Doza e tretë u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre, apo sëmundjeve shoqëruese, me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë”, sqaroi MSH-ja.

Dozën përforcuese dhe dozën e tretë do të mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët do të njoftohen për datën e vaksinimit përmes mesazheve telefonike, e-mailit dhe njoftimeve publike.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë qysh në muajin shtator që të nisë me dhënien e dozave përforcuese.

SHIKONI EDHE: OBSH: Vaksinat do të duhej të funksiononin ndaj Omicronit  

Fushata e vaksinimit në Kosovë ka nisur në fund të marsit dhe, deri më tash, mbi 42 për qind e qytetarëve janë vaksinuar plotësisht.

Nga vendet e rajonit, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, Serbia ka vaksinuar 45 për qind të popullatës, Mali i Zi 41 për qind, Maqedonia e Veriut 38 për qind, Shqipëria 34 për qind dhe Bosnje e Hercegovina 21 për qind.

Të gjitha vendet e rajonit po ashtu kanë nisur me dhënien e dozës së tretë dhe asaj përforcuese kundër koronavirusit.

Më 25 nëntor, Komisioni Evropian ka propozuar që doza e tretë e vaksinës të jetë parakusht për udhëtim në Bashkimin Evropian për qytetarët e të ashtuquajturave vende të treta, që përfshijnë edhe ata të Ballkanit Perëndimor.

Ky propozim pritet të hyjë në fuqi nga 10 janari i vitit të ardhshëm.

“Kohë optimale për dhënien e dozës së tretë dhe përforcuese”

Në Kosovë, të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç.

SHIKONI EDHE: Në Kosovë miratohet vaksinimi i fëmijëve 12-15 vjeç kundër COVID-19

Infektologu Sali Ahmeti thotë se tani është koha e duhur që qytetarët të nisin të marrin dozën e tretë apo përforcuese të vaksinës.

“Meqenëse një pjesë e mirë e qytetarëve që e kanë marrë dozën e dytë i kanë kaluar gjashtë muaj nga marrja e asaj doze, është koha optimale për fillimin e [dhënies së] dozës së tretë”, thotë Ahmeti.

Ai pret që qytetarët të kenë interesim për këto doza.

“Ka pasur hezitime në raste të caktuara [për vaksinim], por mendoj se qytetarët i janë përgjigjur mirë dozës së dytë dhe mendoj se do t’i përgjigjen edhe dozës së tretë”, thotë Ahmeti.

SHIKONI EDHE: Mobilizimi i bashkësive fetare për vaksinim

Sipas drejtorit të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, dozën e tretë do të duhej ta merrnin sidomos pacientët me sëmundje dhe imunitet të komprometuar.

“Te pacientët që janë të imuno-komprometuar dhe kanë sëmundje bashkëshoqëruese, me qëllim të forcimit të imunitetit, është vërtetuar që ka dhënë efekt aplikimi i dozës së tretë”, thotë Vishaj.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Kosova ka momentalisht në stok rreth 400 mijë doza të vaksinave, si dhe disa të tjera të kontraktuara.

Vaksinat që jepen në Kosovë, janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.

“Stoku i vaksinave është mjaft i qëndrueshëm dhe i përgjigjet çdo kërkese të qytetarit për secilën dozë”, tha Ministria e Shëndetësisë.

Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse në Shtetet e Bashkuara ka rekomanduar që doza përforcuese të merret nga të gjithë personat mbi 18 vjeç.

Instituti John Hopkins në SHBA, në një publikim të vetin, ka përmendur edhe efektet anësore që mund t’i ketë doza e tretë apo përforcuese e vaksinës, duke thënë se janë të ngjashme me ato pas vaksinimit kundër gripit stinor.

SHIKONI EDHE: Përzierja e vaksinave nxit përgjigje më të mirë imunitare

“...një krah i lënduar dhe i ënjtur, ku e keni marrë vaksinën. Mund të keni ethe dhe të përjetoni dhimbje trupi, dhimbje koke dhe lodhje për një ose dy ditë. Mund të shfaqen gjithashtu të dridhura, nyje limfatike të fryra”, thuhet në publikim.

Sipas këtij publikimi, doza e tretë nuk ka nevojë të jetë patjetër e llojit të njëjtë si dozat paraprake dhe përzierja e dozave nga lloje të ndryshme konsiderohet e sigurt.

Edhe një studim i Universitetit Oksford, i publikuar këtë javë në revistën mjekësore Lancet, ka gjetur se vaksinat kundër koronavirusit mund t’u japin njerëzve reagim më të mirë imunitar nëse përzihen.