Dorëheqjet e "papranueshme" të katër kryetarëve të komunave veriore

Veriu i Mitrovicës

Qeveria e Kosovës i konsideron të diskutueshme për kah ana ligjore, dorëheqjet e katër kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, por nuk ka marrë ende vendim përfundimtar për hapat e ardhshëm.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë për Radion Evropa e Lirë se mënyra se si kryetarët e këtyre komunave u janë drejtuar institucioneve dhe forma se si e kanë ofruar dorëheqjen, mbetet çështje e diskutueshme.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, thotë se ende nuk ka një vendim të prerë në lidhje me këto dorëheqje. Problemi kryesor thuhet se qëndron te përdormi i termit “Kosovë e Metohi”, në dorëheqjet e kryetarëve nga Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku e Leposaviqi. Një term i tillë nuk haset në Kushtetutën dhe ligjet e zbatueshme në Kosovë.

"Ende nuk është vendosur asgjë për këtë rast. Mënyra se si kryetarët e komunave veriore e kanë paraqitur dorëheqjen e tyre në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka qenë mënyrë jo e rregullt në kuptimin se adresimi ka qenë jo i saktë. Në këtë fazë ende nuk është ndërmarrë ndonjë veprim. Gjithsesi si të tilla, ato dorëheqje nuk mund të jenë të pranueshme për autoritetet e Kosovës, sepse ato nuk i drejtohen konkretisht Qeverisë së Republikës së Kosovës", thotë Gashi.

SHIKONI EDHE: Referenca problematike “Kosovë e Metohi” e kryetarëve të dorëhequr në veri

Edhe Departamenti ligjor i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Qeverisë së Kosovës, ende nuk ka dhënë ndonjë vlerësim ligjor mbi ligjshmërinë e dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, pavarësisht që të gjitha afatet ligjore që nga koha kur janë dorëzuar dorëheqjet në formë elektronike në Ministrinë përkatëse, tashmë kanë skaduar.

Zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Beqir Fejzullahu, thotë se zyra ligjore nuk ka dalë me ndonjë konstatim lidhur me ofrimin e dorëheqjeve nga katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës.

SHIKONI EDHE: Gjashtë kryetarët serbë të komunave nuk ndjekin shembullin e veriut për dorëheqje 

Fejzullahu thotë se tashmë, meqenëse kanë kaluar të gjitha afatet kohore për shqyrtimin e dorëheqjeve, kjo çështje ka një karakter të fortë politik dhe vendimet mund të merren nga nivelet e larta të politikës.

"Kjo çështje tashmë është shumë jashtë kompetencave të legjislacionit në fuqi, ka karakter politik dhe për këtë punë është deklaruar edhe kryeministri. Pra, këto dorëheqje, kanë më shumë karakter politik sesa procedurale ", thekson Fejzullahu.

SHIKONI EDHE: Veriu në vakuum apo drejt paralelizmave institucionalë?

Ai tregon, po ashtu, se për këto dorëheqje nuk është diskutuar as me ministrin e Pushtetit Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq, i cili vjen nga radhët e partisë Lista Serbe, së cilës i përkasin edhe katër kryetarët e dorëhequr.

Zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, më herët kanë thënë që në rast se procedurat e dorëheqjeve të katër kryetarëve të komunave veriore janë të ligjshme, atëherë do të njoftohet presidenti i shtetit, i cili më pas, në bazë të ligjeve në fuqi, do të vepronte për shpalljen e zgjedhjeve të reja për pozitat e kryetarëve në katër komunat, ku janë ofruar dorëheqjet.

Nga ana tjetër, Ahmet Rushit, menaxher i projektit për llogaridhënie të institucioneve lokale në Institutin Demokratike të Kosovës, thotë se kryetarët e komunave në veri të Kosovës janë zgjedhur sipas ligjeve të Kosovës, dhe në rast të dorëheqjeve, brenda 30 deri në 45 ditëve duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

"Arsyeja pse nuk kemi një vendim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Qeveria e Kosovës, ka të bëjë me faktin se janë duke menduar ta interpretojnë ndryshe këtë rast ose të gjejnë ndonjë komentim të ligjshmërisë së këtij procesi dhe pastaj, përmes një vendimi politik t’i mbajnë ata kryetarë këto pozita për shkak edhe të gjendje së ndjeshme që është në veri të vendit", thotë Rushiti.

SHIKONI EDHE: Mbetet e paqartë nëse katër komunat veriore shkojnë në zgjedhje

Edhe partia politike Lista Serbe, konsideron Rushiti, është duke shfrytëzuar lojën e njëjtë që ka bërë me vendimet në vitin e kaluar për largimin e ministrave nga Qeveria, të cilët ende punojnë si ministra në dorëheqje në kuadër të Qeverisë së Kosovës. Por, ai thekson edhe dallimin që ekziston te postet ministrore edhe posti i kryetarit të komunës.

"Edhe pse nuk janë larguar (ministrat nga Lista Serbe) vazhdojnë të jenë në pozitat e tyre. Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet se vlen për kryetarët e komunave për shkak se mandati i tyre jepet drejtpërdrejt nga qytetarët dhe në rast të dorëheqjeve, atëherë këto komuna duhet të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme", shpjegon Rushiti.

Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Florian Dushi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria dhe Ministria përkatëse duhet t'i shqyrtojnë ato dorëheqje nëse janë dhënë në formën ligjore dhe të veprohet më pastaj.

"Unë nuk e di formën se si ata kanë ofruar dorëheqje, nëse ato janë në pajtim me format zyrtare të komunikimit ndërinstitucional. Megjithatë, konsideroj se gjithnjë duhet pasur parasysh faktin apo një precedent tashmë të krijuar apo të përligjur në një farë forme nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e dorëheqjes së kryetarit të Komunës së Rahovecit, ku ka qenë një rast, një dorëheqje e një kryetari të komunës që dorëheqja i është drejtuar opinionit publik dhe jo një institucioni të përveçëm dhe si të tillë Gjykata Kushtetuese e ka pranuar si akt përfundimtar dhe të parevokueshëm", shprehet Dushi.

Dorëheqja e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri, Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, pasoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia.