Dodiku refuzon të deklarohet para gjykatës së Bosnjës

Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, duke u larguar nga gjykata e Bosnjës e Hercegovinës, 16 tetor 2023.

Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe ushtruesi i detyrës i drejtorit të gazetës zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Lukiq, nuk kanë pranuar të deklarohen para gjykatës së Bosnjës e Hercegovinës për aktakuzën e cila i ngarkon me veprën penale për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

“Nuk e di pse është ngritur aktakuza ndaj meje, nuk e kuptoj aktakuzën”, tha Dodik në seancën e mbajtur të hënën më 16 tetor.

Dodik nuk pranoi as të ngrihej në këmbë kur iu kërkua një gjë e tillë nga gjykatësja për t’i ofruar të dhënat personale dhe për t’u deklaruar për aktakuzën që i ngarkohet, duke u ankuar në “dhimbje shpine”.

Gjyqtarja Jasmine Dedoviq Qosiq, sipas detyrës zyrtare, vendosi se Dodik dhe Lukiq u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën.

SHIKONI EDHE: Gjyqi ndaj Millorad Dodikut do të fillojë më 16 tetor

Pas seancës, Dodiku u tha mediave se Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjës e Hercegovinës janë "jokushtetuese, të paligjshme dhe të imponuara", duke e cilësuar si "politik" procesin gjyqësor ndaj tij.

Ai tha se ligjet që ai nënshkroi, të cilat nxitën ngritjen e aktakuzës kundër tij dhe Lukiqit, kaluan “nëpër të gjitha procedurat kushtetuese” në Kuvendin Kombëtar të Republikës Sërpska.

Dodiku theksoi se do ta mbrojë veten si “president i Republikës Sërpska" dhe se "në këtë mënyrë do të shpërbëhet Bosnja e Hercegovina".

Ai, po ashtu, u ankua se aktakuza nuk i ishte dorëzuar në cirilik, një gjuhë që ai e kupton.

Në gusht, Prokuroria e Bosnjës e Hercegovinës ngriti aktakuzë kundër Dodikut Lukiqit, për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt. Aktakuza ndaj tyre u ndryshua dhe u konfirmua pastaj më 11 shtator.

Në qershor, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska miratoi ligje në lidhje me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Përfaqësuesi i Lartë Schmidt më pas vendosi t'i shfuqizojë ato.

SHIKONI EDHE: Schmidt anulon ligjet anti-Dejton të Republikës Sërpska

Dodik nënshkroi dekretin për hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve dhe Lukiq i publikoi ato në Gazetën Zyrtare të Republikën Sërpska.

Kur e shfuqizoi ligjin e Republikës Sërpska, Schmidti vendosi ndryshime në Kodin Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës, sipas të cilit mosrespektimi i vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë është vepër penale.