Përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, anuloi ligjet anti-Dejton të miratuara nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska, lidhur me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Schmidt gjithashtu mori një vendim për ndryshimin e Kodit Penal të Bosnje dhe Hercegovinës në mënyrë që veprimet që cenojnë rendin kushtetues të trajtohen si vepër penale.
“Kuvendet e entiteteve nuk kanë autoritet të shmangin dispozitat e Bosnje dhe Hercegovinës dhe nuk kanë të drejtë të shmangin juridiksionin e institucioneve kyçe të Dejtonit”, tha Schmidt duke shpjeguar vendimet më 1 korrik.
“Ky është një sulm ndaj Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës dhe një përpjekje për ta kërcënuar ligjin dhe kuadrin kushtetues të vendit dhe elementet kyçe të Dejtonit, siç janë vendimet e përfaqësuesit të lartë”, shtoi ai.
Ambasada e SHBA-së në Bosnje dhe Hercegovinë përkrahi vendimet e Schmidt dhe paralajmëroi se "do të ketë pasoja" për veprimet e Asamblesë Kombëtare të entitetit të Republikës Sërpska.
"Shtetet e Bashkuara mbështesin sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnjë-Hercegovinës dhe do të vazhdojnë të mbajnë përgjegjës për veprimet e tyre individët e përfshirë në sjellje anti-Dejton", thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Vendimet e përfaqësuesit të lartë pasuan pasi Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Srpska votoi për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Sipas ligjit, i cili u miratua nga Asambleja Kombëtare më 27 korrik, vendimet e Gjykatës Kushtetuese shtetërore nuk do të zbatohen dhe ekzekutohen në territorin e RS-së derisa Asambleja Parlamentare e Bosnje dhe Hercegovinës të miratojë Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.
Presidenti i entitetit të RS, Millorad Dodik, i cili ka kritikuar prej kohësh Gjykatën Kushtetuese se ka gjyqtarë të huaj, nisi votimin pasi gjykata vendosi javën e kaluar të ndryshojë rregullat në mënyrë që të mund të zhvillonte seanca dhe të merrte vendime pa gjyqtarë serbë.
Asambleja e RS më parë miratoi gjithashtu ndryshime ligjore që nënkuptojnë se vendimet e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje e Hercegovinë nuk do të publikohen më në gazetën zyrtare, gjë që është një kusht në RS që një ligj të hyjë në fuqi ose një vendim të bëhet e vlefshme.
Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e nënshkruar zyrtarisht më 14 dhjetor 1995, i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Aneksi 10 i asaj marrëveshjeje i cakton përfaqësuesit të lartë, pra OHR-së, "detyrën e monitorimit të zbatimit të marrëveshjes".
Schmidt tha se ligji për përfaqësuesin e lartë nuk do të hyjë në fuqi dhe se të gjitha procedurat lidhur me këtë janë kryer.
“Vendosa gjithashtu që ligji i SKSP-së për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës në territorin e RS-së nuk do të hyjë në fuqi”, theksoi Schmidt dhe shtoi se ata që tentojnë të rrëzojnë rendin kushtetues duhet të ndiqen penalisht.
Ai gjithashtu theksoi se ligji për Gjykatën Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës mund të ndryshohet, por vetëm ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Bosnje dhe Hercegovinës.
“Ata do t’i bartin pasojat për veprimet e tyre - të gjitha opsionet janë në tavolinë. Shpresoj që aktorët politikë do të vijnë në vete dhe ata do të... Kam takuar shumë politikanë të përgjegjshëm që punojnë në mënyrë intensive për të siguruar që ky vend të arrijë një përparim, të ndërmarrë hapa konkretë”, tha Schmidt.
Ai shtoi se pasojat më të mëdha të sjelljes së papërgjegjshme të disa politikanëve i bartin qytetarët e Republikës Sërpska.
“Unë i respektoj ata, si të gjithë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës dhe ata nuk duhet të kenë një jetë të dominuar nga idetë e individëve”, tha Schmidt.