Një studio modeste floktarie ku djem e vajza në Mitrovicën e Jugut do të shkonin për ta parë veten të transformuar. Një studio ku asnjë klient nuk do të diskriminohej për të folurën, gjininë, religjionin apo etninë e tij.
Kjo është ëndrra e 21-vjeçarit Eron Krasniqi. Por, jo gjithmonë ka qenë e tillë. Disa ëndrra, atij i janë prerë në gjysmë, shkaku i përkatësisë së tij ashkalike.
“Ka ndodhur që më kanë thirrur për të punuar, por nuk e kanë ditur se i cilit komunitet jam. Krejt procedurat kanë shkuar qysh është më së miri. Por, kur e kanë marrë vesh etninë, më kanë thënë që nuk përshtatesh”, thotë Eroni për REL-in.
Kjo përvojë e hidhur e vitit të kaluar, në një zyrë për burime njerëzore të një kompanie, nuk e ka ndaluar Eronin të ëndërrojë për më shumë: tani ai dëshiron ta krijojë biznesin e vet.
“Kanë ndodhur shumë diskriminime edhe në shkollë. Por, nuk kanë pasur ndonjë efekt tek unë. Ëndrra ime është të ndihmoj në zhdukjen e diskriminimit. Të gjithë jemi njerëz, kemi zemër dhe jemi të njëjtë. Nëse ti mund të bësh diçka, mundet edhe tjetri”, thotë Eroni.
Së fundi, Eroni është bërë pjesë e projektit “Drejtësia Sociale” të organizatës joqeveritare Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë (VORAE), ku merr shkathtësi të ndryshme të vlefshme për tregun e punës.
Përmes programit “Puna ime e parë” të kësaj organizate, rreth 70 të rinj romë, ashkalinj dhe egjiptianë janë punësuar në kompani të ndryshme nëpër Kosovë. Si infermierë, edukatorë, dizajnerë grafikë e shumëçka tjetër, ata synojnë ta dëshmojnë atë që e beson drejtori ekzekutiv i VORAE-s, Isak Skënderi.
“Nëse dikujt i jepet mundësia për ta dëshmuar veten, ai ose ajo do të ndikojë me punën e vet në ndryshimin e perceptimit që ngjyra e lëkurës, ose gjuha, ose prejardhja e përcakton cilësinë, produktivitetin apo vlefshmërinë e atyre personave”, thotë Skënderi për Radion Evropa e Lirë.
Ky projekt - përmes të cilit paga subvencionohet nga organizata VORAE - do të zgjasë gjashtë muaj. Por, shumë nga të rinjtë që kanë përfituar nga ai, shpresojnë që pas fitimit të përvojës, ata do të marrin kontratë pune.
SHIKONI EDHE: “Çdo ditë më është kujtuar që i përkas komunitetit rom”Një nga ta është edhe 19-vjeçarja Lauresa Alija. Që dy muaj, Lauresa ka praktikuar profesionin e saj si infermiere e përgjithshme në një ordinancë private në Pejë.
Ajo thotë se diskriminimin që e kishte përjetuar disa herë në shkollë, shkaku i përkatësisë së saj etnike si egjiptiane, nuk po e përjeton edhe në punë.
“Prej pacientëve nuk jam diskriminuar, se mendoj që edhe pamja ime i mashtron. Ndoshta kur ta marrin vesh, mund të ndihen keq. Por, nuk më ka ndodhur. Unë, thjesht, do të vazhdoj me pasionin që e kam për profesionin tim”, thotë Lauresa për REL-in.
Në muajt e fundit, Radio Evropa e Lirë ka raportuar disa herë për mungesën e punëtorëve vendës në shumë sektorë, si: gastronomi, ndërtimtari, bujqësi dhe tekstil.
Sipas Inspektoratit të Punës, interesimi i qytetarëve për të punuar ka rënë, për shkak të orarit të gjatë të punës, pagave të ulëta, mungesës së kontratave etj.
Për të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, problem shtesë është edhe diskriminimi në të cilin ata hasin.
Sipas një hulumtimi të vitit të kaluar të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), mbi 25 për qind e bizneseve në Kosovë kanë thënë se nuk do të ishin të gatshëm të punësonin romë, ashkalinj apo egjiptianë në kompanitë e tyre. Ndërkohë, vetëm 15 për qind e bizneseve kanë thënë se kanë ndonjë të punësuar nga këto komunitete.
Skënderi nga VORAE tregon se qasja në punët ku kontakti me klientët është i drejtpërdrejtë, është edhe më e kufizuar për të rinjtë e këtyre komuniteteve minoritare.
Një nga historitë që ai ka dëgjuar, i ka mbetur në mendje: një i ri rom ishte punësuar në një furrë buke vitin e kaluar. Kur klientët e furrës e kishin marrë vesh se një rom po punonte në përgatitjen e bukës, ata kishin filluar të blinin në furra të tjera. Kjo kishte rezultuar me largimin e të riut nga puna.
“Jo domosdomoshmërisht këto storje përfaqësojnë gjendjen e shoqërisë sonë. Por, janë histori reale që, për fat të keq, ekzistojnë në shtetin tonë”, thotë Skënderi.
Për t’u siguruar që të rinjtë e punësuar përmes programit “Puna ime e parë” do të kenë përvoja më të këndshme, Skënderi thotë se kanë zgjedhur kompani, të cilat janë shprehur të përkushtuara për arritjen e barazisë dhe gjithëpërfshirjes.
Dhe tani kur janë bërë tre muaj që nga fillimi i projektit, ai shprehet krenar me sukseset e djemve dhe vajzave që po marrin pjesë.
“Diskriminimi është pjesë përbërëse e jetës së tyre. Ky është fakt që nuk duhet ta mohojmë. Ajo që mund të bëjmë, është të mos lejojmë që diskriminimi të jetë pengesë”, thotë Skënderi.
SHIKONI EDHE: Vëmendje "momentale" kundër diskriminimitSipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkalinj dhe 11.524 egjiptianë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Evropian, rreth 50 për qind e pjesëtarëve të komunitetit rom e përfundojnë shkollimin e detyrueshëm nëntëvjeçar. Ndërkohë, vetëm 7.3 për qind e grave rome janë të punësuara, në krahasim me shifrën prej 18.4 për qind të gjithsej grave të punësuara në Kosovë.