Në Kosovë është duke u rritur numri i shkollave dhe mësimdhënësve që kanë ndërprerë grevën në institucionet arsimore, e cila ka hyrë në javën e pestë.
Si pasojë e grevave që kanë nisur në sektorin e arsimit më 25 gusht, mbi 300.000 nxënës kanë mbetur pa mësim.
Këshilli i arsimtarëve dhe Këshilli grevist i shkollës fillore, “Hasan Prishtina” në Prishtinë, ka njoftuar të hënën se më 27 shtator do të fillojë procesi mësimor me orar të reduktuar të orëve mësimore nga 45 në 30 minuta.
Javë më parë grevën e kanë ndërprerë edhe disa shkolla dhe mësimdhënës në Gjakovë, Prishtinë, Fushë Kosovë e disa vende tjera të Kosovës.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove në muaj për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
SHIKONI EDHE: Greva në arsim: Në anën e kujt është topi?Qeveria e Kosovës thotë se Ligji për pagat, që parasheh rritjen e tyre, do të dalë në miratim së shpejti. Para disa javësh, ajo ka paraqitur një pako për përballje me inflacionin, në kuadër të së cilës punonjësit e sektorit publik përfitojnë nga 50 euro shtesë, nisur nga ky muaj.
Por, me këtë shumë nuk janë pajtuar sindikalistët e arsimit.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë të hënën për Radion Evropa e Lirë se mund të ketë ide të ndryshme për mënyrën e grevës, por qëndrimi i Këshillit grevist është që greva të jetë e plotë.
Sipas tij, idetë që greva të mbahet duke mbajtur procesin mësimor me orar të shkurtuar nuk vjen nga organet drejtuese të SBASHK-ut.
“Kemi një grevë unike, 98.5 për qind e institucioneve arsimore janë në grevë. Uroj që kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe të tjerët të ulen dhe të bisedojnë me këshillat grevist dhe të bëhet një zgjidhje”, ka thënë ai.
SHIKONI EDHE: Çmimi që paguajnë nxënësit për grevënTë hënën, prindërit e nxënësve të Shkollës Fillore “Faik Konica”, në Prishtinë kanë mbajtur një protestë duke kërkuar nga mësimdhënësit hapjen e shkollave për fëmijët.
Jasharaj beson se mundësitë për të dalë nga kjo situatë janë të lehta.
Ai kërkon nga Qeveria që të negociojë me Këshillin grevist dhe të sjellë një ofertë të re.
Përveç mësimdhënësve, në grevë janë edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.