Dialogu dhe roli i presidentit, temë e takimit të radhës Kurti – Mustafa

Albin Kurti dhe Isa Mustafa. Foto nga arkivi.

Çështja e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pitet të jetë një nga temat e takimit të radhës ndërmjet udhëheqëseve të Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që pritet të mbahet javën e ardhshme. Të dy këto subjekte politike, që gjatë mandatit të kaluar kanë qenë në opozitë, tani pas zgjedhjeve parlamentare te 6 tetorit, ndodhen në procesin e bisedimeve për formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës.

Ajo që mbetet për t’u parë, është qëndrimi që Vetëvendosje dhe LDK do të mbajnë karshi rolit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në këtë proces. Përderisa ishin në opozitë, të dy partitë që pritet të kalojnë tani në pushtet, ishin kundër që presidenti Thaçi të ishte në krye të delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se sa i përket dialogut me Serbinë, fillimisht do të bëhet një vlerësim i marrëveshjeve të arritura nga viti 2011 e deri më 2017.

Ai ka thënë po ashtu se dialogun do ta udhëheqë vet dhe nuk do të lejojë që presidenti i vendit të marrë kompetenca “të cilat nuk i takojnë”.

*Video: Kurti thotë se ai do ta udhëheqë dialogun me Serbinë

Your browser doesn’t support HTML5

Intervistë me Albin Kurtin

Të njëjtën e thotë edhe Albulena Haxhiu, po nga Vetëvendosje. Ajo beson se rolin e presidentit në dialogun me Serbinë e sqaron Kushtetuta e Kosovës, si dhe Gjykatës Kushtetuese me interpretimin e saj në lidhje me ekipin negociator.

"Roli i presidentit në çështjen e dialogut me Serbinë është konsultues që në fakt ne e konsiderojmë që nuk është as obligativ, për më tepër, për një bashkërendim institucional në Republikën e Kosovës. Por, besojmë se nuk do të ketë qasje të njëjtë siç e ka pasur qeveria e kaluar në raport me dialogun, e cila fatkeqësisht, ia kishte lënë vetë procesin e dialogut në duar presidentit. Kjo nuk do të ndodhë më. Prandaj, do të ketë qasje të re, mendësi të re dhe natyrisht nuk do të lejojmë që të bëhen koncesione kundër Kosovës", tha Haxhiu.

Haxhiu thekson se vet presidenti i di kompetencat e tij lidhur me dialogun dhe se siç thotë ajo, Thaçi as nuk ka pasur e as nuk do të këtë kompetencat për të drejtuar ekipin e dialogut.

"Ai i dinë kompetencat e tij, por kemi pasur një qeveri më herët e cila e ka lënë dialogun në duar të presidentit dhe në këtë rast ai e ka shfrytëzuar atë për interesat e veta”, tha Haxhiu.

SHIKONI EDHE: “Presidenti 2021”, pika e nxehtë e negociatave LVV – LDK

Ndërkohë, nga kabineti i presidentit Thaçi nuk është dhënë ndonjë qëndrim rreth kësaj çështjeje, por ditë më parë, presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të jetë unike, e bashkuar përballë Serbisë.

“Duke qenë të bashkuar dhe unikë do t'ia dalim, andaj si president i vendit i ftoj të gjithë të kenë urtësi, mençuri, zotësi dhe bashkim të të gjitha energjive përballë një procesi që nuk do të jetë i lehtë, për këtë arsye roli im do të jetë kushtetues, ligjor dhe i legjitimitetit qytetar”, është shprehur Thaçi.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës sot nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, duke thënë se ende janë në negociata me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se do të bisedohet edhe për ketë çështje.

Megjithatë, Vjosa Osamani, nënkryetare e LDK-së, më herët ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se dialogu duhet të udhëhiqet nga kryeministri i ardhshëm i Kosovës dhe jo nga presidenti.

"Kosova duhet të përfaqësohet nga ana e qeverisë në dialog. Kjo do të thotë që kryeministri i ardhshëm nuk mund të ikë nga obligimet që i ka për të përfaqësuar Kosovën në këtë proces, siç ka ndodhur me zotin Ramush Haradinaj", ka thënë Osmani.

SHIKONI EDHE: Dialog në Bruksel apo konferencë ndërkombëtare?

Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se roli i presidenti Hashim Thaçi në dialogun politik me Serbinë duhet të jetë në suaza të kompetencave të cilat atij ia garanton Kushtetuta e vendit.

"Kjo nënkupton se duhet ta ketë rolin e përfaqësimit të shtetit të Kosovës, respektivisht edhe të nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, që në këtë rast mund të jetë edhe marrëveshja me Serbinë. Me këtë dua të them se marrëveshja me Serbinë, bisedimet me Serbinë do të ndodhin ndërmjet përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës, në këtë rast Kosovën duhet ta përfaqësojë kryeministri i ardhshëm", tha Mushkolaj.

Për më tepër, Mushkolaj nuk mendon se ka problem në kuptimin e asaj se kush duhet ta udhëheqë apo ta përfaqësojë Kosovën në bisedime, por sipas tij, liderët apo përfaqësuesit e institucioneve duhet të merren vesh për këtë çështje.

"Askush nuk ka të drejtë që në mënyrë kryeneçe të vendosë për përfaqësimin ose jo të shtetit të Kosovës, për shkak se nuk bëhet fjalë për dëshira personale, por bëhet fjalë për qasje institucionaliste dhe shtetërore", tha Mushkolaj.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë lëvizje në drejtim të rritjes së rolit të tyre në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke emëruar ambasadorin e SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar special të presidentit Donald Trump, për negociatat paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.

Procesi i bisedimeve i filluar që nga viti 2011 ishte ndërpre pasi Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar vendosi taksë prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.

Bashkimi Evropian, nga ajo kohë kërkon vazhdimisht heqjen e tarifës si dhe kthim në tavolinë të dialogut, mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodhi pasi qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj kundërshtoi heqjen e taksës.