Lajçak: Kurti dhe Vuçiq do të takohen kur të pajtohen për diçka

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha për Radion Evropa e Lirë se për takimin e tretë midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë, duhet atmosferë konstruktive dhe paqësore.

Ai tha se procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka ngecur, por “po zhvillohet kryesisht në nivelin e kryenegociatorëve”. Sipas tij, takimet e kryenegociatroëve po bëhen për të përgatitur takimin e tretë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, sipas Lajçak, një takim Kurti-Vuçiq mund të ndodhë vetëm kur dy liderët mund të pajtohen për diçka.

Lajçak tha se dialogu është platforma e vetme ku Kosova dhe Serbia trajtohen si të barabarta.

Në këtë intervistë ai foli edhe për refuzimin e propozimit të Quint-it nga Qeveria e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, por edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Lajçak, Bashkimi Evropian ka thënë se autoritetet e Kosovës e kanë refuzuar propozimin e vendeve të Quint-it [SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë] për t’iu mundësuar serbëve të Kosovës që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme të Serbisë, brenda territorit të Kosovës. Ky refuzim - marrë parasysh momentumin e dialogut Kosovë-Serbi - a e ngrin plotësisht procesin?

Mirosllav Lajçak: Jo, nuk po e vendos procesin në akull - të paktën kështu shpresoj. Por, sigurisht, ne kemi qenë të përfshirë në përpjekjet për të lehtësuar një marrëveshje për zgjedhjet, sepse çfarëdo vendimi që do të merrej, do të kishte ndikim në situatën në terren. Për mua, si ndërmjetësues [i dialogut], është jashtëzakonisht e rëndësishme që atmosfera të mbetet konstruktive, në mënyrë që ne t’i vazhdojmë takimet tona dhe të kemi dy palë të gatshme për të rënë dakord për gjërat. Pra, ka pasur një përpjekje - të udhëhequr nga Quint-i dhe me përfshirje aktive të Bashkimit Evropian për gati dy muaj - për të gjetur një formulë që do t’i akomodonte ndjeshmëritë e të dyja palëve. Por, në fund, propozimi i Quint-it nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës. Pra, nuk ka marrëveshje dhe nuk do të ketë zgjedhje [serbe] në territorin e Kosovës.

SHIKONI EDHE: Quint-i i zhgënjyer me vendimin e Kosovës për moslejimin e zgjedhjeve të Serbisë

Radio Evropa e Lirë: A mund të zbuloni se çfarë përmbante ky propozim?

Mirosllav Lajçak: Po, propozimi ka sugjeruar që kanali i vetëm zyrtar i komunikimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, përkatësisht oficerët ndërlidhës, të përdoren për të përcjellë kërkesën e Serbisë [për zgjedhjet] tek autoritetet e Kosovës. Por, kjo nuk është parë si një gjë e kënaqshme ose e mjaftueshme nga Qeveria e Kosovës, e cila ka kërkuar komunikim të drejtpërdrejtë midis qeverive. Por, siç e thashë, ka ndjeshmëri te të dyja palët.

Your browser doesn’t support HTML5

Lajçak për zgjedhjet e Serbisë: Propozimi i Quint-it, i pamjaftueshëm për Kosovën

Zyrat ndërlidhëse janë i vetmi kanal komunikimi që ekziston mes dy qeverive. Nëse do të kishim komunikim normal ndërshtetëror midis Serbisë dhe Kosovës, atëherë nuk do të kishte nevojë për dialog. Dialogu zhvillohet për t’i normalizuar marrëdhëniet. Andaj, Quint-i ka bërë përpjekje t’i adresojë ndjeshmëritë, por, për fat të keq, nuk ka funksionuar.

Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, "nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut"

Radio Evropa e Lirë: Dialogu është, gjithashtu, një kanal i komunikimit. Bashkimi Evropian, para referendumit të Serbisë më 16 janar, ka deklaruar se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut. [Kosova nuk e ka lejuar as mbajtjen e këtij referendumi në territorin e saj]. Pse nuk janë ftuar palët në bisedime dhe pse nuk është tentuar të arrihet një marrëveshje në kuadër të këtij procesi për normalizimin e marrëdhënieve?

SHIKONI EDHE:

Nuk ka kërkesë nga Serbia për mbajtjen e zgjedhjeve në KosovëKurti: Për zgjedhjet serbe në Kosovë duhet të ketë marrëveshje mes dy vendeve

Mirosllav Lajçak: Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut, por ekziston një aranzhim që është propozuar nga Quint-i dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ky aranzhim e ka bërë të mundur mbajtjen e pesë palë zgjedhjeve serbe në Kosovë në dhjetë vjetët e fundit. Prandaj, e kemi respektuar ekzistencën e një modeli ekzistues, dhe kemi ofruar një gjë nga dialogu, që është kanali [apo] oficerët ndërlidhës, sepse ata kanë dalë nga dialogu.

Ne, po ashtu, kemi ofruar shërbimet tona të mira për të ndihmuar në lehtësimin e procesit. Ne nuk kemi dashur të krijojmë një mekanizëm të ri. Kemi dashur ta përshtatim mekanizmin ekzistues, për t’i adresuar shqetësimet e Qeverisë së Kosovës. Kemi bërë përpjekje dhe kemi punuar shumë, por në fund, siç e thashë, nuk është arritur pajtim.

Dialogu "nuk ka ngecur"

Radio Evropa e Lirë: Çfarë pasojash do të ketë kjo? Edhe ashtu ka qenë shumë e vështirë për ju që t’i sillni udhëheqësit [e Kosovës dhe të Serbisë] këtu në Bruksel. Verën e kaluar ka pasur dy takime praktikisht të dështuara. Pas zhvillimeve të fundit, sa e vështirë do të jetë për ju që ta çoni procesin e bisedimeve përpara, i cili, deri në njëfarë mase, ka ngecur?

Mirosllav Lajçak: Para së gjithash, procesi nuk ka ngecur, por po zhvillohet kryesisht në nivelin e kryenegociatorëve. Po diskutojmë çështje praktike, me synimin kryesor për të përgatitur takimin e tretë të dy liderëve. Por, për këtë, na duhet atmosferë konstruktive, na duhet atmosferë paqësore. Për fat të keq, kemi pasur krizën e targave [të automjeteve], kemi pasur situata që nuk janë të favorshme për këtë atmosferë.

SHIKONI EDHE: Dialogu Kosovë-Serbi nën hijen e luftës në Ukrainë

Dialogu dhe çështjet që po trajtohen në dialog janë çështje shumë të ndjeshme. Dhe, për këtë, sigurisht, ju duhet një atmosferë, ku mund t’iu besoni - deri në një masë - partnerëve tuaj. Mund të besoni se ajo, për të cilën është rënë dakord, do të zbatohet, e kështu me radhë. E kemi parë reagimin nga Beogradi, reagimin e menjëhershëm ndaj këtij realiteti të ri. Natyrisht, kjo nuk do të ndihmojë në përmirësimin e atmosferës. Por, në të njëjtën kohë, dialogu duhet të vazhdojë. Ne nuk e kemi luksin që të mos bisedojmë, sepse kjo është platforma e vetme, ku Kosova dhe Serbia bisedojnë me njëra-tjetrën dhe jo për njëra-tjetrën. Duhet të punojmë në këto rrethana, që nuk janë të favorshme. Andaj, edhe jemi përfshirë në këtë proces, sepse, siç e thashë, çfarëdo vendimi që do të merrej, do të ndikonte në dialog, pozitivisht ose negativisht. Pra, duhet të përshtatemi me realitetin dhe duhet të sigurohemi që procesi [i dialogut] do të vazhdojë.

Pas zgjedhjeve serbe, "mundësi unike për t'u përqendruar në dialog"

Radio Evropa e Lirë: Përmendët takimet e kryenegociatorëve, që pashmangshëm më çojnë në pyetjen tjetër. Ju e keni zotëruar këtë lloj të veçantë ndërmjetësimi... duke mbajtur një takim të kryenegociatorëve kur ata gjinden ne te nejtën kohë në të njejtën ndertesë, arrijnë madje edhe marrëveshje me 30 shtator, por në asnjë moment nuk takohen bashke?

Mirosllav Lajçak: Po, ky është realiteti, sepse nuk ka qenë e mundur të takohen, për shkak të parakushteve që dy palët kanë vënë për një takim të tillë. Nuk është stili im të them se nuk mund të bëjmë asgjë. Ne i kemi pasur dy ekipet këtu në ndërtesë dhe kemi biseduar ndarazi me to. Është larg ideales, është shumë më pak efikase, kërkon më shumë kohë, por na ka ndihmuar të lëvizim përpara. Pra, procesi po zhvillohet, ne po ecim, po ecim në drejtimin e duhur, por jo me shpejtësinë e duhur. Kjo duhet të ndryshojë, nëse duam të kemi marrëveshje gjithëpërfshirëse. Nuk kemi kohë për të vazhduar me këtë shpejtësi që kishim vitin e kaluar.

SHIKONI EDHE: Lajçak për dialogun: Jemi afër marrëveshjes për disa dokumente

Po ashtu, dua të them se tani, pas zgjedhjeve serbe [më 3 prill], hyjmë në një periudhë unike, kur nuk do të ketë zgjedhje të planifikuara as në Serbi, e as në Kosovë, dhe as zgjedhje të mëdha në Bashkimin Evropian apo në Shtetet e Bashkuara. Kjo nënkupton se pjesa tjetër e vitit 2022 dhe gjithë viti 2023 është një mundësi unike për t’u përqendruar në dialog. Nuk mund të shpërqendrohemi nga kalendari politik dhe ne duhet të arrijmë diçka, sepse nëse nuk arrijmë, në vitin 2024 hyjmë në një situatë krejtësisht të re - me zgjedhjet evropiane dhe në SHBA - dhe dialogu nuk do të jetë në qendër të vëmendjes.

Radio Evropa e Lirë: Ju e përmendët mungesën e besimit, diçka që nuk është përmendur në të kaluarën kur liderë tjerë e kanë udhëhequr dialogun në emër të vendeve të tyre respektive. Shumë vende anëtare, të cilat pranojnë raporte direkte nga kabineti juaj, e konsiderojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si person përgjegjës për mungesë të konstruktivitetit dhe atmosferës inkurajuese në dialog.

SHIKONI EDHE: Një vit i Qeverisë Kurti: “Pritje të papërmbushura”  

Mirosllav Lajçak: Unë nuk do t’i etiketoj partnerët dhe bashkëbiseduesit e mi. Është fakt që presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti kanë mandate të fuqishme politike nga votuesit e tyre, dhe është fakt, po ashtu, që Qeveria aktuale e Kosovës ka pikëpamje të fuqishme për dialogun, prandaj na është dashur shumë kohë për të diskutuar për parametrat e procesit. Për 10 vjet ka qenë gjë e vetëkuptueshme se pse ekziston dialogu dhe si duhet të zhvillohet. Tani jemi duke diskutuar si ta zhvillojmë dialogun në mënyrë të drejtë.

Vitin e kaluar ne kemi qenë në situatë të parandalimit të krizës apo menaxhimit të krizës. Janë kryer shumë punë, shumë takime, shumë biseda telefonike, shumë shkëmbime dokumentesh, të cilat nuk shihen nga publiku. Ne kemi pasur dy takime mes liderëve dhe jemi pajtuar që për takimin e tretë duhet të sigurohemi që të ketë rezultate konkrete.

Radio Evropa e Lirë: Me cilën pikë të këtij mandati që keni – i cili ju skadon në muajin gusht – mund të imagjinoni një tjetër takim mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel?

Mirosllav Lajçak: Dua të sigurohem që takimi të rezultojë me lajme të mira për shtetasit e tyre. Dua që ky takim të demonstrojë që Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq janë të gatshëm të ulen dhe të arrijnë pajtueshmëri për gjërat. Të dy thonë – si publikisht, ashtu edhe privatisht – se kanë gatishmëri të vijnë në Bruksel.

Your browser doesn’t support HTML5

Lajçak për takimin e ri Kurti-Vuçiq: Dua të sigurohem që të rezultojë me lajme të mira

Radio Evropa e Lirë: Por?

Mirosllav Lajçak: Por, kaq nuk mjafton. Ne i kemi pasur ata këtu dy herë. Për takimin e tretë kemi dashur të sigurohemi që të prodhojmë diçka. Kjo është ajo që presin njerëzit. Dialogu nuk ka alternativë. Kjo gjë është shumë e qartë. Së pari, pa normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia nuk do të ecin përpara në agjendën evropiane, së dyti, kjo gjë do të ndikojë në atmosferën rajonale, sepse dihet se kjo është gjë rajonale. Kjo është platforma e vetme ku ata mund të takohen, të flasin me njëri-tjetrin si të barabartë.

SHIKONI EDHE: Escobar: Nga Kosova presim angazhim në dialog dhe kompromis

Dialogu nuk duhet të presë. Status quo-ja nuk ndihmon. Fundja, qeveritë do të gjykohen në fund të mandateve të tyre edhe se sa përparim kanë arritur në dialog. Këta janë faktorët që tregojnë qartë se duhet të ketë përparim.

Dialogu, "platforma e vetme ku Kosova dhe Serbia janë të barabarta"

Radio Evropa e Lirë: Si i konsideroni palët të barabarta? Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Bashkimi Evropian ka rol të përsosur ndërmjetësimi. Në njërën anë, duke u thënë kosovarëve se janë 22 shtete anëtare që e kanë njohur Kosovën, se nuk ka mundësi që ato të tërheqin vendimin, mirëpo, në anën tjetër, duke i thënë Serbisë se janë ende pesë shtete që nuk e kanë njohur shtetësinë. Prandaj, të gjitha pyetjet janë të hapura. Si e balanconi këtë barazi kur uleni në tavolinë me palët, apo kur i kontaktoni ato?

Mirosllav Lajçak: Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është platforma e vetme ku Kosova dhe Serbia janë të barabarta. Aty nuk ka flamuj. Atyre u referohemi si Kosova dhe Serbia, apo Prishtina dhe Beogradi. Ato kanë të drejta krejtësisht të barabarta. I quajmë palë në dialog. Nuk jam në dijeni të ndonjë platforme tjetër apo forumi ku vlen e njëjta gjë. Nuk ka fusnotë, janë dy palë.Si të barabarta, kanë mundësi të njëjta të bëjnë propozime për çështjet që mund të diskutohen dhe natyrisht edhe përgjegjësi të njëjta për zbatim. Bashkimi Evropian është ndërmjetësues logjik, jo vetëm pse kemi mandat nga Kombet e Bashkuara, por edhe sepse ky proces është i lidhur me të ardhmen evropiane për të dyja shtetet, Kosovën dhe Serbinë. Prandaj, ne duam të sigurohemi se për gjithçka që arrihet pajtueshmëri, të ndërtohet sipas standardeve, normave dhe vlerave evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Në vizitat tuaja të fundit në Kosovë dhe Serbi u janë bërë pyetje direkte, por ju keni dhënë dy përgjigje të ndryshme. A zhvillohet dialogu për statusin e Kosovës?

Mirosllav Lajçak: Jo, dialogu zhvillohet për marrëdhëniet e së ardhmes mes Kosovës dhe Serbisë. Dialog për normalizim të marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Cili është vizioni juaj, si e shihni epilogun e procesit të dialogut? Nuk po kërkoj nga ju t’i bëni publike detajet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, por si e shihni normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Mirosllav Lajçak: Do t’ju tregoj vizionin tim kur të arrijmë aty, sepse unë jam këtu për të ndërmjetësuar. Natyrisht se kam vizionin tim dhe jam duke tentuar ta çoj procesin në atë drejtim. Në fund u përket palëve që të vendosin. Kur të arrijmë në fund të rrugës, atëherë mund të them se a janë përmbushur pritjet e mia apo jo. Nuk mendoj se ndihmon nëse prezantoj vizionin tim, sepse unë jam ndërmjetësuesi. Palët duhet të kenë vizionin e tyre dhe duhet të jenë në gjendje të pajtohen për një vizion të përbashkët.

Moszbatimi i marrëveshjeve

Radio Evropa e Lirë: Palët janë pajtuar për gati 33 marrëveshje, prej Marrëveshjes së Brukselit më 2013. A keni ndonjë statistikë se sa marrëveshje nuk janë zbatuar nga pala serbe apo ajo kosovare?

SHIKONI EDHE: Asociacioni - marrëveshja që duhet zbatuar

Mirosllav Lajçak: Natyrisht, ne kemi të dhëna të sakta sa i përket zbatimit të tyre dhe ua komunikojmë këtë gjë të dyja palëve secilën herë që diskutojmë. Palët e dinë saktësisht sa e gjatë është lista e tyre e përkushtimeve të papërmbushura. Ne informojmë edhe vendet anëtare për këtë gjë. Ne e përsërisim se duhet të zbatohet gjithçka për të cilën është arritur pajtueshmëri, sepse ai është parimi themelor i çdo negociate.

Radio Evropa e Lirë: Kur i peshoni, cila palë rëndon më shumë apo zbaton më shumë?

Mirosllav Lajçak: Është vështirë që të përgjigjemi, sepse nuk ka të bëjë vetëm me gjatësinë e listës, por edhe për seriozitetin e çështjeve. Disa çështje janë më shumë teknike, disa janë më shumë politike. Prandaj, nuk dua ta komentoj këtë gjë. Siç e thashë, palët e dinë saktë çfarë ka në listat e tyre dhe çfarë pritet nga to.

SHIKONI EDHE: Kosova dhe Serbia nuk pajtohen për asgjë

Asociacioni, duke “respektuar Kushtetutën e Kosovës”

Radio Evropa e Lirë: Sepse kur dëgjoni deklaratat publike të zyrtarëve evropianë, dikush mund të fitojë përshtypjen se ka vetëm një pengesë, e që është Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është gjëja e vetme që nuk është zbatuar dhe Kosova nuk e ka zbatuar dhe duhet të bëhet. A është kjo përshtypja e saktë?

Mirosllav Lajçak: Jo, jo, jo, kjo nuk është e vërtetë. Siç thashë, të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë listë të zotimeve që nuk i kanë përmbushur. Ky zotim përmendet publikisht, prandaj ekziston kjo përshtypje, sepse për të është folur shumë publikisht. Por, natyrisht ne preferojmë që për këto çështje të flasim në mënyrë private, kështu bëhet diplomacia. Ne nuk duam që kjo të shndërrohet në një instrument politik në mes të dy palëve. Është përgjegjësia e tyre drejt lehtësuesit, drejt Bashkimit Evropian, dhe gjithashtu drejt qytetarëve të tyre për të zbatuar për atë që janë pajtuar, për atë që kanë nënshkruar në Bruksel. Ne preferojmë diplomaci të qetë.

SHIKONI EDHE: Njohja dhe Asociacioni, kompromise të dhimbshme

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe në dritë të asaj që po ndodh në kontinentin tonë, me luftën në Ukrainë, padyshim që as dialogu nuk mund të jetë imun ndaj rrethanave gjeopolitike. Ajo që po ndodh atje, a do të ishte një mësim për ju se krijimi i trupave njëetnike, veçmas në Ballkan, mund të jetë bomba e kurdisur e radhës?

Mirosllav Lajçak: Mësimi nga lufta në Ukrainë, nga agresioni rus në Ukrainë për mua është që paqja, stabiliteti dhe pajtimi janë më të rëndësishme se kurrë. Prandaj, ne duhet të bëjmë përparim në dialog, sepse natyrisht do ta forcojnë në mënyrë të konsiderueshme paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe kjo është shumë e rëndësishme. E dyta, unë gjithmonë them se ne jemi këtu për të promovuar një zgjidhje evropiane, sepse ne duam që të ndihmojmë përshpejtimin e integrimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian. Ju mund të jeni të sigurt se për çfarëdo që do të pajtohen, do t’i përmbushë standardet më të larta evropiane. Ne nuk duam të krijojmë standarde të posaçme për Ballkanin dhe ka shumë mundësi se si të adresohen këto çështje duke respektuar standardet evropiane dhe duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.

Your browser doesn’t support HTML5

Lajçak për Asociacionin: Duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës

Krizat në Bosnje, “të mos injorohen”

Radio Evropa e Lirë: Përveç se jeni përfaqësues i Posaçëm për dialogun, ju po ashtu jeni i ngarkuar për çështjet rajonale. Prandaj, pyetja ime e radhës ka të bëjë me situatën në Bosnje e Hercegovinë. Shumë kanë frikë se terreni perfekt për luftën e posaçme të Putinit është pikërisht në Bosnje e Hercegovinë. Në agjendën e samitit të radhës është edhe tema e këtij shteti. A ndani këtë frikë se Bosnja ende është në rrezik nga agresioni i Putinit?

Mirosllav Lajçak: Nuk do ta thosha këtë, por do të them se agresioni i Putinit në Ukrainë sigurisht po nxjerr në sipërfaqe shumë gjëra, të cilat ne i kemi marrë të mirëqena apo të cilave nuk iu kemi kushtuar shumë vëmendje.

SHIKONI EDHE: BE-ja e shqetësuar për një përshkallëzim tensionesh në Ballkan

Sigurisht, çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes janë bërë më të dukshme, aftësia jonë për të mbrojtur veten, nevoja për unitet është shumë e qartë. Po ashtu, tregon se të qenët pjesë e progresit integrues evropian është diçka që është e ndërtuar në besimin ndaj vlerave evropiane, është një proces shumë politik. Po ashtu, kjo është koha që partnerët tanë të tregojnë se në çfarë besojnë, cilat janë parimet për të cilat ata qëndrojnë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Sa i përket Bosnjë e Hercegovinës, ajo po përballet me disa kriza. Unë, madje, do të thosha se kjo është situata më serioze që prej përfundimit të luftës dhe që prej nënshkrimit të Dejtonit. Dhe është shumë e rëndësishme që ne t’i adresojmë këto kriza dhe të gjejmë zgjidhje për këto kriza dhe ne nuk duhet të kemi frikë nga ndonjë rrezik potencial dhe të injorojmë krizat që janë në terren. Kjo do të ishte qasja ime.

Radio Evropa e Lirë: Pas një jave do të jetë përvjetori juaj i dytë i emërimit në këtë post. Mandati juaj skadon në gusht, me mundësi të zgjatjes. Çfarë mund të thoni për arritjet dhe mosarritjet tuaja, përveç kokëdhimbjeve që liderët iu kanë shkaktuar në këtë proces?

Mirosllav Lajçak: Fillimisht, nuk mendoj se është gjëja e duhur që unë të flas për arritjet e mia, sepse arritjet e mia janë arritjet e Kosovës dhe Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Po ju pyes sepse dikush mund të thotë se “Mirosllav Lajçak është aktiv vetëm në Twitter. Nuk e shohim që ai bën diçka tjetër përveç se poston në Twitter”.

Mirosllav Lajçak: Po, dikush mund të shprehet kështu, por do ta kishte gabim. Mirosllav Lajçak punon 12 orë në ditë, shumë gjëra po ndodhin në prapaskenë. Disa herë i shihni këto gjëra, veçanërisht kur kemi një situatë jo të këndshme sikur kriza e targave të makinave, që ne arritëm të ulim tensionet, apo kur kryenegociatorët vijnë këtu.

SHIKONI EDHE: Escobar dhe Lajçak: Zbatim i marrëveshjeve dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse

Fakti është që në këta dy vjet, në vitin e parë ne ishin të përfshirë kryesisht në adresimin e marrëveshjes së normalizimit që do të ndodhë në të ardhmen. Në vitin e dytë, ne jemi më shumë të zënë, të them me menaxhimin e krizave, me parandalimin e krizave dhe në krijimin e kushteve për nisjen e dialogut për normalizim, në arritjen e pajtimit për parimet për normalizim. Pra, është një punë që nuk është shumë publike, është më pak spektakolare, por është një punë që merr më shumë kohë dhe gjithashtu që shpenzon më shumë energji.

Por, në fund nuk ka të bëjë me Mirosllav Lajçakun, ka të bëjë me Kosovën dhe Serbinë. Siç thashë, unë jam këtu, ekipi im është në Bruksel, në Prishtinë, në Beograd. Ne jemi të gatshëm 24/7. Por, nëse dy palët nuk kanë vullnet që të pajtohen për çështje, unë nuk mund t’i detyroj ata që të pajtohen. Prandaj, ose arrijmë diçka së bashku, ose dështojmë së bashku. Kështu qëndron puna, ky proces nuk ka të bëjë me Mirosllav Lajçakun. Mund të jeni të sigurt që Mirosllav Lajçaku po investon të gjitha aftësitë, eksperiencën dhe njohuritë dhe vullnetin e mirë që ky proces të ketë sukses.

Optimizëm për zgjidhjen e çështjes së targave

Radio Evropa e Lirë: Përmendët çështjen e targave dhe kjo është pyetja ime e fundit. Afati i fundit për grupin punues është më 21 prill, pasi takimi i tyre i parë u mbajt në tetor. Deri atëherë, ata duhet të prezantojnë një zgjidhje para nivelit të lartë politik. A po shkojnë gjërat në drejtimin e duhur, a do të kemi edhe një takim të ri apo një rezultat pozitiv nga dialogu?

Mirosllav Lajçak: Grupi punues, vërtet, është grup punues. Deri më tani ata janë takuar gjashtë herë dhe janë të parapara të mbahen edhe dy-tri takime, varësisht nga situata. Takimet kanë qenë që dy palët të prezantojnë në detaje qëndrimet e tyre, vijat e kuqe, por edhe propozimet e tyre për zgjidhjen.

Ne kemi një hartë të qartë të të gjitha opsioneve ekzistuese, me një demarkim se cilat nga ato opsione janë të përhershme apo të përkohshme, se cilat prej atyre opsioneve janë në linjë me praktikat evropiane apo nuk janë në linjë me praktikat evropiane.

Tani ne presim nga palët të ngushtojnë listën e opsioneve dhe të pajtohen për një apo dy prej tyre, të cilat më pas do t’i rekomandohen udhëheqjes politike. Ne kemi edhe disa javë kohë për këtë çështje dhe natyrisht se do ta vazhdojmë këtë proces dhe unë jam optimist, kam shpresë se deri më 21 prill grupi punues do të jetë në gjendje që të prezantojë të paktën një propozim, një propozim të përbashkët për zgjidhjen e kësaj çështjeje.