Ndërlidhjet

Quint-i i zhgënjyer me vendimin e Kosovës për moslejimin e zgjedhjeve të Serbisë


Flamuj të BE-së dhe SHBA-së
Flamuj të BE-së dhe SHBA-së

Shtetet e Quint-it kanë shprehur "zhgënjim të madh" me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, të caktuara më 3 prill.

Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

“Përderisa ne e vlerësojmë qasjen e Serbisë për të gjetur zgjidhje, me zhgënjim të madh ne shohin vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të prezantuar nga Quint-i”, thuhet në deklaratë.

Me këtë vendim, "Qeveria e Kosovës ka dështuar të demonstrojë përkushtimin për parimin e mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe anëtarët e grupeve të minoriteteve”.

Sipas Quint-it, "kjo sjellje e Qeverisë së Kosovës nuk është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe do të minojë aspiratat e saj evropiane”.

Ky reagim pasoi refuzimin nga ana e Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë më 3 prill në territorin e saj, pa një kërkesë apo marrëveshje të drejtpërdrejtë mes Kosovës dhe Serbisë.

Në deklaratën e Quint-it mirëpritet vendimi i Qeverisë së Kosovës për të vendosur sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit në Ukrainë, duke ndjekur shembullin e BE-së, por edhe të SHBA-së.

“Megjithatë, nga Kosova pritet që të respektojë vlerat thelbësore dhe përgjegjësitë ndaj stabilitetit rajonal dhe të respektojë proceset demokratike, por edhe të zotohet për mbrojtjen e të drejtave të anëtarëve të grupeve minoritare”, tha Quint.

Quint po ashtu i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe mund të çojë në incidente.

“Ne presim nga Qeveria e Kosovës që të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë në uljen e tensioneve dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ky proces është kritik në arritjen e përparimit drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim, që përfundimisht do të zhbllokonte perspektivën evropiane të Kosovës”, tha Quint-i.

Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i dërgojë kërkesë ekzekutivit kosovar për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me këtë kërkesë, Kosova ka kërkuar që Serbia ta njohë pavarësinë e saj.

"Serbia nuk mund ta pranonte këtë dhe Serbia nuk do ta pranojë këtë”, tha Vuçiq në një konferencë për shtyp më 22 mars.

Ai tha se Serbët e Kosovës do të votojnë në vendvotimet në komunat në Serbinë qendrore.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka kërkuar që të ketë marrëveshje mes dy qeverive për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Unë kurrë nuk kam synuar që nëpërmes këtij letërkëmbimi ta sjell njohjen e Serbisë. Unë e kam ditur që kjo nuk bëhet, mirëpo nuk mund të kërkojë askush prej meje që unë të mos e njoh Republikën e Kosovës, pavarësinë e vendit tonë”, tha Kurti në një intervistë për transmetuesin publik të Kosovës.

Të martën, Kurti ka thënë se ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

“Nuk do të thosha që Qeveria ka marrë vendim për mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por e vërteta është se nuk ka marrëveshje paraprake, natyrisht që paraqet kushtin për mbajtjen e atyre zgjedhjeve, e i cili kusht nuk është plotësuar. Ne kemi pritur shkëmbim normal të letrave të kërkesës së tyre, të trajtimit tonë, por kjo nuk ka ndodhur”, tha Kurti.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje edhe vendimin e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për moslejimin e mbajtjes së referendumit serb në territorin e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG