Kompromisi i 'pakalueshëm’ Kosovë-Serbi

Ilustrim.

Përdorimi shprehjes “kompromis”, si veprim për arritjen e një zgjidhjeje që do të çonte te marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është shpeshtuar kohët e fundit në fjalorin e aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë dhe Serbi, Blerim Vela dhe Dushan Janjiq.

Por, ndonëse ata kanë pikëvështrime të ndryshme lidhur me shpeshtimin e përdorimit të fjalës “kompromis” nga këta aktorë, në formulimet e qëndrimeve të tyre të shprehura në publik, megjithatë, që të dy shprehin bindjen se kur bëhet fjalë për kompromisin, ajo ndërlidhet me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Së fundmi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se pa dashur që të hyjë në detajet e Planit të Ahtisarit apo proceseve politike në Bruksel, “është e pamundshme që të arrihet te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, pa bërje të kompromiseve nga të gjitha palët”. A ka theksuar që serbët kanë qasjen e tyre sa i përket Planit të Ahtisarit dhe asaj që ka ndodhur në të kaluarën, por ka shprehur mendimin që “për të shkuar përpara, secili duhet të shikojë edhe një herë mirë gjërat”.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosnett: Me BE-në kemi partneritet dhe jo rivalitet

Për një zgjidhje që kërkon kompromis, në vazhdimësi kanë folur autoritetet e Beogradit. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij e rastin e shënimit të 75-vjetorit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar se Serbia është "plotësisht e përkushtuar për të gjetur një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës". Por, ai deri më sot, asnjëherë nuk ka dhënë detaje se çfarë parasheh ajo zgjidhje e kompromisit për të cilin flet.

Se “përmes dialogut mund të vjen deri te një zgjidhje e kompromisit” kishte thënë edhe shefi për Josep Borell, madje edhe para se ta marrë detyrën e përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Por, Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë për Radion Evropa e Lirë se brenda Planit të Ahtisarit ka qenë kompromisi i madh që e ka bërë Kosova.

SHIKONI EDHE: Kosova kushtëzon Serbinë për Asociacionin: Zbatimi, pas njohjes reciproke

“Kosova, kompromisin e madh e ka bërë me marrëveshjen e presidentit Ahtisari dhe besoj që përtej saj nuk mund të shkohet. Përndryshe, Republika e Kosovës është e gatshme që t’i marrë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë si shtet sovran, në përputhje me normat dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian”, tha Beqiri.

Ndryshe, pavarësia e Kosovës u shpall në bazë të Planit të Ahtisarit, nga i cili burojnë ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës. Ky Plan u jep më shumë të drejta komuniteteve joshumicë. Po ashtu, në bazë të këtij dokumenti u parapë edhe krijimi i disa komunave të banuara me shumicë serbe si dhe iu mundësua Beogradit zyrtar që të financojë sistemin arsimor dhe shëndetësor në këto komunat e banuara me shumicë serbe.

Janjiq: Çfarë duhet të japë Kosova?

Analisti i çështjeve politike, Blerim Vela, thotë për Radion Evropa e Lirë se shprehja më e hapur e mendimit nga aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë se për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nevojitet kompromisi, shkon në funksion të përgatitjes së publikut në të dy vendet, për shkak se sipas tij, kompromisi do të jetë i dhimbshëm për të dyja palët.

“Do të thotë, do të ketë lëshime. Tash, për palën tonë, kosovare, është problem, sepse ne kemi menduar që (Plani) Ahtsari është kompromisi i fundit. Por, problemi tjetër është që nuk po vërehet, së paku prej qeverisë apo prej negociatorëve, që ka një qasje strategjike dhe të thonë ‘në rregull, ne kemi bërë një kompromis dhe tash, nëse duhet të bëjmë një kompromis, të shohim me kompromisin e kaluar se çka mund të heqim nga atje dhe mbase diçka tjetër të lëshojmë pe’. Por, nuk ka diskutim për këtë. Thjesht, ne e kemi pranuar Ahtisarin dhe tash po shkojmë të lëshojmë pe ende, shtesë, pa e pasur të qartë se çfarë pasoja në funksionimin e brendshëm të shtetit ka për të na sjellë ajo apo edhe për vetë stabilitetin e shtetit”, theksoi Vela.

Por, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që të përmendurit e kompromisit, si mundësi për arritjen e zgjidhjes së kontestit Kosovë-Serbi, tashmë është banalizuar.

Sipas tij, kur diçka e tillë banale shprehet shpesh, atëherë gjendja nuk është e mirë, as për atë që e kërkon kompromisin dhe as për procesin. Sipas tij, formula amerikane 'win – win’ , ku të dy palët krijojnë përshtypjen se fitojnë, është formula më e mirë për zgjidhjen e kontestit. Këtë, sipas tij, e ka treguar edhe marrëveshja në Uashingtonit, më 4 shtator, e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia.

SHIKONI EDHE: Opozita kritikon Hotin për "koncesione" në Uashington

“Kjo është shumë më e shëndetshme se sa ky rrëfimi mbrojtës ‘unë duhet të jap diçka që të marr diçka’. Kjo është tregti, por me çka? Çfarë duhet të japë Kosova? Të marrim shembullin konkret, rreth të cilit ndërlidhet i gjithë rrëfimi, pra, Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Çfarë duhet të japë tash Kosova, ku ajo është ngutur që ta ratifikojë marrëveshjen dhe që vetes t’ia krijojë një obligim ndërkombëtar. Jo, Serbia duhet të lëshojë pe, sepse nëse Serbia do të shfrytëzonte instrumentet juridike dhe që vërtetë ta donte Asociacionin, ajo moti do t’i rrekej arbitrazhit ndërkombëtar”, tha Janjiq.

Ai shtoi se Marrëveshja e parë e Brukselit, e vitit 2013, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, është më e fuqishme se sa vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Sipas tij, po ta dëshironte Beogradi vërtetë Asociacionin, në formën për të cilën angazhohet Prishtina zyrtare, ai do të gjente mekanizma për ta realizuar atë.

Vela: Asociacioni me territor

Por, analisti Vela, shpreh mendimin që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nënkupton “kompromisin” në fjalorin e politikanëve të Serbisë, por edhe të aktorëve tjerë ndërkombëtarë. Për më shumë, sipas tij, ekziston rreziku që Asociacioni është duke u përdorë si “Kali i Trojës” nga ana e Serbisë. Ai beson se çështja e Asociacionit do të hapet në negociatat e Brukselit, kur Serbia po dëshiron t’ia japë atributet e autonomisë territoriale, por jo që të arrijë marrëveshje përfundimtare.

“Do të ketë diskutime për Asociacionin, por tash edhe për pronat, sepse po duan ta lidhin me territor. Do të thotë, pronat e Kishës (Ortodokse Serbe), pronat publike, sepse po duan të thonë që kjo është pronë e tyre dhe t’i marrin për vete. Do të thotë, në krejt mënyrat, ata janë duke dashur që të shkojnë deri te territori. Krejt këto janë vetëm hapa të ndërmjetëm në strategjinë e tyre. Edhe nëse për Asociacionin lëshojnë pe dhe nuk do të ketë pushtet ekzekutiv, nominalisht, ata prapë kanë për të vazhduar në të ardhmen. E gjithë kjo është një projekt më afatgjatë i tyre. Do të thotë, ajo çfarë po duan, është që të mos arrihet marrëveshja përfundimtare shumë shpejt. Në momentin kur arrihet marrëveshja ‘përfundimtare’, atëherë këto tema duhet të mbyllen”, theksoi Vela.

SHIKONI EDHE: Pse Asociacioni është problematik për Kosovën?

Janjiq shpreh mendimin se shumica e politikanëve dhe grupeve të interesit në Serbi dhe në Kosovë, nuk e dëshirojnë zgjidhjen e problemit ndërmjet dy vendeve.

“Ata e dëshirojnë lojën e vazhdueshme me ‘status quo’ dhe me shtyrjen e zgjidhjes. Por, t’i kthehemi asaj që tash duket se është reale. Më duhet të them se më shumë shpresë jep qasja e Uashingtonit sesa e (të dërguarit special të BE-së për dialog, Miroslav) Lajçakut. Ky i fundit po sillet në atë rrethin e magjepsur të të kuptuarit burokratik të kompromisit dhe humbjes së kohës në diskutimet e ekspertëve, që nuk janë diskutime të ekspertëve dhe e komplikon problemin”, theksoi Janjiq.

Qytetarët: Marrëveshje me kompromis, për një jetë më të mirë

Disa qytetarët e Kosovës me të cilët ka biseduar REL, shqiptarë dhe serbë, konsiderojnë që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje kompromisi, në mënyrë që njerëzit e zakonshëm të jetojnë më mirë, gjegjësisht, që të përmirësohet situate ekonomike dhe sociale e tyre.

Muharrem Makolli nga Hajvalia, në afërsi të Prishtinës, nuk është i sigurt se çfarë duhet të lëshojnë pe Kosova dhe Serbia, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje me kompromis. Por, ai thekson se një marrëveshje është e domosdoshme për një të ardhme më të mirë.

“Gjithsesi duhet kompromisi. Por, më së miri është që secili të sheh punën e vet në shtetin e vet”, thotë Makolli.

Fadil Selimi nga Prishtina, vlerëson se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një zgjidhje kompromisi, e cila çon të zhvillimi ekonomik. Sipas tij, qarkullimi i lirë i mallrave dhe tregtia, mund t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet.

“Tregtia, të punojnë të gjithë. Ekonomia mund të rregullojë gjithçka”, konsideron Selimi.

Dragan Stoliq nga Graçanica, komunë kjo me shumicë serbe, në afërsi të Prishtinës, shpreh mendimin që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë deri te një marrëveshje me kompromis, e cila do t’i zgjidhte problemet ekonomike dhe sociale të qytetarëve të zakonshëm. Megjithatë, ai nuk është i sigurt që një marrëveshje e tillë është e mundur, për shkak të mosmarrëveshjeve politike ndërmjet dy palëve.

“Jemi bërë të varur ekonomikisht nga ndihmat sociale dhe gjithë të tjerat. Unë mendoj që prioritet është ekzistenca dhe ekonomia, ndërkaq për sa i përket politikës dhe zgjidhjes me kompromis rreth pavarësisë, unë mendoj që gjithçka shkon në favor të shqiptarëve. Edhe ashtu bashkësia serbe nuk pyetet për asgjë sepse është pakicë”, tha Stoliq.

SHIKONI EDHE: Hoti: Të shfrytëzohet momentumi pas nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington

Dana Stojkoviq nga Graçanica, thotë se “për të gjithë do të ishte më mirë, sikur Kosova dhe Serbia të gjenin një zgjidhje me kompromis”. Megjithatë, ajo nuk është e sigurt se çfarë saktësisht duhet të përmbajë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por konsideron që me një marrëveshje të tillë, serbët do të duhej të realizonin të drejta më të mëdha në Kosovë.

“Të drejta, liri lëvizjeje, që të punojmë”, theksoi Stojkoviq.

Më 16 korrik, Kosova dhe Serbia e kanë rinisur dialogun politik në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Nuk jemi afër zgjidhjes politike me Kosovën

Në takimin e fundit të grupeve të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 17 shtator, Serbia e ka kushtëzuar përparimin në dialog me zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Por, pala e Kosovës, e ka cilësuar të nxituar kushtëzimin serb, duke thënë që “nuk ka pajtim që të bisedohet për Asociacionin dhe as për datat kur do të bisedohet”.

Më 10 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Kosova do ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të vitit 2015 dhe se “zbatimi i marrëveshjes do të bëhet në përputhje me secilën shkronjë të Kushtetutës”.