Afrimi i Edi Ramës dhe Alleksandar Vuçiqit nuk është “i shëndetshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.
“Në fakt, duhet përkujtuar se një Serbi e madhe çon në krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe anasjelltas. Kjo është një dinamikë shumë e rrezikshme dhe ajo po thyhet në Kosovë, në lumin Ibër. Tregu ekonomik rajonal është shumë i rëndësishëm për të gjitha vendet, por nuk mund të realizohet pa vlera evropiane, demokratike.
Përkundrazi, mund të jetë i rrezikshëm”, konsideron Joseph.
Ai shton se është fakt i paqëndrueshëm që Kosova ende nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kthimin e pronës së Manastirit të Deçanit.
Ai po ashtu thekson se Kosova e ka obligim që ta zbatojë vendimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse këtë e ka pranuar në vitin 2013 dhe 2015, në kontekstin e negociatave.
“Prishtina mund të propozojë në mënyrë konstruktive se si Asociacioni komunave me shumicë serbe mund të organizohet në harmoni me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, por edhe me interesat e serbëve atje. Është shumë e mundur të formohet një asociacion i tillë që nuk do të ishte Republikë Sërpska, duke kontribuar kështu në krijimin e besimit”.
Sipas tij, presidenti serb Alleksandar Vuçiq e paraqet Serbinë si një partnere kyçe në rajon për Perëndimin, edhe pse nuk është.
“Në fakt është një faktor destabilizues. Nuk mund të jesh partner i Perëndimit dhe në të njëjtën kohë të promovosh ‘Botën serbe’, sepse këto dy gjëra janë të papajtueshme. Nuk mund të jesh një partner perëndimor dhe në të njëjtën kohë të promovosh Xi Jinpingun dhe Vladimir Putinin, duke hyrë në një partneritet strategjik me Kinën dhe Rusinë”, thekson Joseph.
Protestat janë një problem serioz për Vuçiqin
Radio Evropa e Lirë: Në muajt e fundit, qytetarët e Serbisë kanë protestuar në shumë qytete për çështje mjedisore, veçanërisht për shkak të projektit kundërthënës të kompanisë, Rio Tinto për shfrytëzimin e litiumit. A është luhatur seriozisht pozicioni i Alleksandar Vuçiqit, për herë të parë që nga ardhja në pushtet nëntë vjet më parë apo ai ia doli të kontrollojë dëmin duke shtyrë ligjet e diskutueshme për shpronësimin e tokës dhe referendumin, të cilat, të paktën pjesërisht e zbutën zemërimin e publikut?
Edward Joseph: Mendoj se ky është një problem serioz për Alleksandar Vuçiqin dhe regjimin autokratik, në krye të së cilit është ai. Ai, gati se për një dekadë e udhëheqë vendin prapa nga një demokraci e dobët, por megjithatë një demokraci siç ishte në të gjitha qeveritë e mëparshme pas rënies së Sllobodan Millosheviqit e deri në vitin 2012. Që atëherë, qeveritë e drejtuara nga Alleksandar Vuçiqi kanë qenë jodemokratike. Këto protesta për mjedisin janë sfidë për të, sepse shprehin në radhë të parë kërkesën për demokraci, që të dëgjohet zëri i qytetarëve në vendimmarrje.
Fakti që demonstratat janë masive, që nuk janë shprehje e politikës së një partie të caktuar, por e pakënaqësisë së gjerë të qytetarëve – ka të bëjë me vetë thelbin e demokracisë. Gjegjësisht, njerëzit janë të pakënaqur sepse askush nuk i ka pyetur për mendimin e tyre kur kanë marrë vendimin që Rio Tinto të shfrytëzojë litiumin. Është një sfidë për një regjim që dëshiron të paraqitet si i fuqishëm dhe i suksesshëm duke u mburrur për rritjen ekonomike.
Radio Evropa e Lirë: Po, progresistët po përpiqen për kontroll të gjithanshëm për të mos lënë hapësirë për votat e disidentëve. Në rast të ndonjë çarjeje në sistem që do të lejonte veprime të ndryshme politike, ata kanë frikë se ajo çarje mund të zgjerohet.
Edward Joseph: Absolutisht për këtë bëhet fjalë. Autokracia nuk toleron mendime të ndryshme dhe përpiqet për kontroll gjithëpërfshirës dhe jodemokratik. Këtu bëhet fjalë për pushtetin e një partie dhe të një njeriu dhe prandaj është joliberale. Të treguarit e dobësisë është i zakonshëm në një sistem demokratik, por është i papajtueshëm me regjimet autokratike.
Po të ishte demokratike Qeveria në Beograd, do të shqetësohej për pakënaqësinë e qytetarëve në rastin e Rio Tintos, por jo aq shumë, sepse protestat janë të zakonshme në sistemet demokratike. Por, në regjimet autokratike demonstratat nuk janë të pranueshme dhe për këtë arsye ato janë kërcënim shtesë për regjimin e Vuçiqit.
Vuçiqi do të mbetet president, por i dobësuar
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të pritet më tutje? Pas disa muajsh do të mbahen zgjedhjet në Serbi. Prandaj, shumë besojnë se Vuçiq bëri një manovër të shkathët duke e shtyrë miratimin e dy ligjeve të përmendura për periudhën pas atyre zgjedhjeve, në të cilat, sipas vlerësimeve do të fitojë sërish, pavarësisht sfidave të fundit. Apo mendoni se opozita, e cila i bojkotoi zgjedhjet e mëparshme, për shkak të të cilave u shpallën zgjedhje të reja të parakohshme, mund të bëjë diçka?
SHIKONI EDHE: Qeveria serbe tërheq Ligjin për ShpronësimEdward Joseph: Nuk parashikoj një ndryshim dramatik në strukturën e pushtetit. Unë nuk shoh në këtë moment që opozita është mobilizuar në atë mënyrë që të paraqesë kërcënim për regjimin e Vuçiqit. Nuk shoh ndryshime në ambientin zgjedhor, i cili vazhdon të favorizojë pushtetin, siç është kontrolli i medias, pavarësisht ndërmjetësimit të Parlamentit Evropian.
Pra, kemi një ambient zgjedhor mjaft të pabalancuar që favorizon regjimin. Megjithatë, trendet janë shumë të rëndësishme për një regjim autokratik. Kjo do të thotë se ai është i shqetësuar për rënien e mbështetjes, ndonëse edhe pas këtyre zgjedhjeve mbase do të mbajë kontrollin mbi Parlamentin dhe Vuçiq do të mbetet president, por i dobësuar.
Shpërbërja sistematike e demokracisë në Serbi
Radio Evropa e Lirë: Opozita e sheh shansin që të rrezikojë pushtetin, para së gjithash, në Beograd. Në qoftë se do të fitonte në kryeqytet, kjo do të ishte goditje serioze për Vuçiqin.
Edward Joseph: Kjo do të ishte domethënëse, por jo domosdo me karakter transformues, në kuptimin e rrezikimit të pushtetit edhe në nivel kombëtar. Shembull i mirë për këtë janë zgjedhjet e fundit në Kosovë. Pra, në muajin shkurt, partia e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit arriti një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare dhe më pas pësuan një goditje të rëndë duke i humbur zgjedhjet lokale në shumë qytete, përfshirë edhe Prishtinën. Por, kjo nuk do të thotë se Qeveria e Kosovës do të bie apo do të shpallen zgjedhjet e parakohshme.
SHIKONI EDHE: Fryma ndëshkuese në zgjedhjet lokalePra, humbja e Beogradit dhe vendeve tjera do të ishte goditje për pushtetin e tanishëm, por jo domosdo sjell deri te ndërrimi i pushtetit në nivel kombëtar. Duhet të kemi parasysh se ky është një regjim që ka gati një dekadë që ka shpërbërë demokracinë në mënyrë metodike dhe sistematike, duke institucionalizuar korrupsionin. Në këtë mënyrë, ai fiton të ardhura, me të cilat minon veprimtarinë e institucioneve të caktuara shtetërore, mediat, në një farë mënyre edhe Kishën Ortodokse Serbe. Ajo më nuk e ka ndikimin që ka pasur, dhe as Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve.
Vuçiq është faktor destabilizimi në Ballkan
Radio Evropa e Lirë: Të krijohet përshtypja se Vuçiq ka nxjerrë mësime nga rënia e Sllobodan Millosheviqit. Nga njëra anë, ai kërkon të shmangë akumulimin e zemërimit të qytetarëve, sikurse pas refuzimit të regjimit të atëhershëm për të njohur fitoren e opozitës në zgjedhjet vendore të vitit 1996, prandaj edhe shtyu miratimin e dy ligjeve të përmendura. Në anën tjetër, shumë njerëz kanë frikë se do të jetë e pamundur të fitohet kundër Vuçiqit në zgjedhje, sepse ai do të bëjë gjithçka për të penguar një lojë të barabartë politike.
Edward Joseph: Jo vetëm Alleksandar Vuçiq, por edhe të tjerët në këtë regjim janë veteranë nga epoka e Millosheviqit dhe me të vërtetë i kanë mësuar ato leksione. Mirëpo, ata tani po paraqiten më të sofistikuar, duke përdorur, për shembull, termin “Botë serbe”, në vend të “Serbia e Madhe”, me Alleksandar Vulin si promotor të asaj ideje, derisa Vuçiqi nuk deklarohet.
SHIKONI EDHE: “Bota serbe” - Një koncept që po e nervozon rajoninGjithashtu edhe Millosheviqi e paraqiste veten si partner të Perëndimit. Por, ndryshimi qëndron në atë që Perëndimi asokohe i kishte vendosur sanksione Serbisë, ndërkaq që sot nuk ka sanksione. Vuçiqi e shfrytëzon këtë duke e paraqitur Serbinë se partneren kyçe perëndimore në rajon edhe pse nuk është e tillë. Në fakt, është një faktor destabilizues.
Nuk mund të jesh partner i Perëndimit dhe në të njëjtën kohë të promovosh “Botën serbe” sepse këto dy gjëra janë të papajtueshme. Nuk mund të jesh një partner perëndimor dhe në të njëjtën kohë të promovosh Xi Jinpingun dhe Vladimir Putinin duke hyrë në një partneritet strategjik me Kinën dhe Rusinë. Nuk është e mundur të jesh kandidat i vërtetë për anëtarësim në BE, ndërkohë që partneri yt më i afërt është Hungaria me një regjim joliberal, që cenon vlerat dhe integritetin e bllokut evropian.
SHIKONI EDHE: Ballkani Perëndimor me 'telashet ruse'Duhet kujtuar se, ashtu si Millosheviqi, edhe Vuçiq përdor taktika frikësuese. Natyrisht që edhe liderët tjerë e bëjnë këtë. Nëse kthehemi pas në histori, Tito ishte shumë dinak dhe herë pas here mbante anën e protestuesve.
Radio Evropa e Lirë: Gjatë protestave të studentëve në vitin 1968.
Edward Joseph: Po, protestat e studentëve në vitin 1968, kur Tito në mënyrë mjaft të shkathtë mbajti anën e tyre, duke thënë “studentët kanë të drejtë”. Kjo është një mënyrë për të kuptuar apo përfituar protestuesit, por nuk duhet të harrojmë se regjimi i Vuçiqit është i aftë të përdorë taktika frikësuese dhe se ai nuk është i përkushtuar ndaj vlerave perëndimore, por kineze dhe ruse, apo atyre hungareze të Viktor Orbanit.
Agjenda e Vuçiqit bie ndesh me atë të Bidenit
Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët se, ndryshe nga Millosheviqi, Vuçiq nuk është i ekspozuar ndaj sanksioneve ndërkombëtare. Në fakt, ambienti global tani është krejt ndryshe nga sa ishte në vitet 1990, kur flasim për Ballkanin. Vuçiqi po e baraspeshon rrugën evropiane të Serbisë, duke luajtur në të njëjtën kohë me letrën ruse dhe kineze. Këto dy vende janë shumë më të rëndësishme në skenën ndërkombëtare sesa në vitet 1990. Mirëpo, a mund të dështojë në fund kjo taktikë e Vuçiqit?
Edward Joseph: Po, mendoj se do të dështojë. Autokracitë janë më të forta në disa situata, një person i bën lehtësisht zgjidhjet, por ato janë më të brishta, më pak elastike kur shfaqen çarjet, siç janë protestat për mjedisin në Serbi.
SHIKONI EDHE: Serbia ‘i fal’ të gjitha autokracitë që nuk e njohin KosovënNëse krahasojmë mjedisin gjeopolitik të viteve 1990, kur Rusia ishte e dobët dhe Kina nuk ishte dukshëm e pranishme në Ballkan dhe situatën aktuale, atëherë mund të themi se interesat e Shteteve të Bashkuara tani janë shumë më të mëdha ose më të ndryshme.
Pra, në vitet 1990, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kishin pse të shqetësoheshin për ndikimin rival rus dhe kinez. Në këtë kuptim, Ballkani ishte edhe më pak i rëndësishëm për Uashingtonin. Ekzistonte interesi humanitar për shkak të vrasjeve, spastrimeve etnike dhe zhvendosjeve brutale në një kohë kur zëri i Joe Bidenit (si senator) ishte shumë i rëndësishëm. Por, SHBA-ja nuk kishte pse të shqetësohej për kundërshtarët, për regresin e demokracisë. Ishte moment njëpolar.
Ai ishte gjithashtu fundi i modelit të dështuar sovjetik. Pra, tani ne shohim sfidat edhe në Shtetet e Bashkuara. Prandaj, presidenti (i SHBA-së, Joe) Biden tha se të dëshmuarit që demokracia funksionon është një nga qëllimet dhe misionet kryesore të administratës së tij.
Për shkak të gjithë kësaj, qasja e Alleksandar Vuçiqit, pavarësisht rrëfimit për “Ballkanin e Hapur” dhe mbështetjes së SHBA-së për normalizimin ekonomik në rajon, që ishte iniciativë e ish-presidentit, Donald Trump – është në kundërshtim me angazhimin e administratës së Bidenit. Regjimi i Vuçiqit ishte shumë i pajtueshëm me politikën e Trumpit, por në thelb nuk është me vlerat demokratike të administratës së Bidenit.
SHIKONI EDHE: Millanoviq: Ballkani i Hapur pa Kosovën është ‘palidhje’SHBA-ja gaboi duke ftuar Vuçiqin në Samitin për Demokracinë
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, së fundmi Biden e ftoi Vuçiqin në Samitin për Demokracinë.
Edward Joseph: Kjo është pyetje shumë e mirë. Ky ka qenë gabim. Aq më tepër që misioni diplomatik amerikan në Beograd njoftoi fillimisht se Serbia nuk do të ftohet dhe pastaj pati një kthesë për shkak të Kosovës, e cila gjithashtu u ftua në Samit. Kosova nuk është aspak një demokraci e përsosur, por është ajo që ka qenë Serbia para regjimit të Vuçiqit.
Kjo është një demokraci e re, e pafuqishme, por që po fuqizohet. Kosova ka Qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Asnjë parti nuk kishte monopol mbi median dhe nuk përdori taktika frikësuese për të qëndruar në pushtet. Përkundrazi, ish-presidentit, Hashim Thaçi iu desh që të jepte dorëheqje dhe të shkonte në Hagë, nën presionin e SHBA-së dhe BE-së, për t’u përballur me akuzat për krime lufte, në radhë të parë kundër serbëve. Prandaj, Kosova e meritonte ftesën në Samitin për Demokracinë.
SHIKONI EDHE: Biden: Demokracia po përballet me sfida të mëdha në mbarë botënPas kësaj, ndodhi një kthesë e papritur kur bëhet fjalë për Serbinë, e cila sipas të gjitha kritereve demokratike, është një regjim hibrid, joliberal, anti-demokratik. Alleksandar Vuçiqi nuk e meritonte platformën për të mbajtur fjalim, në të cilin ai theksoi se sa shumë Qeveria e tij e mbështetë demokracinë. Fatkeqësisht, kjo ka qenë gabim.
Zgjidhja e nyjës së Kosovës është në duart e Greqisë, Spanjës, Sllovakisë dhe Rumanisë
Radio Evropa e Lirë: Duket se në lojë ishin edhe përllogaritjet gjeopolitike, sepse ishin të ftuar Polonia, Pakistani, Filipinet, Iraku dhe disa vende të tjera që janë larg demokracive të përsosura.
Edward Joseph: Kjo nuk është e njëjta situatë dhe këto raste nuk mund të krahasohen. Kur flitet për Serbinë, nuk bëhet fjalë për gjeopolitikë. Në fakt, gjeopolitika ka lidhje me Serbinë vetëm përmes levës së saj të ndikimit në Kosovë. Kjo është arsyeja e vetme pse nuk ka sanksione kundër autoriteteve në Serbi. Është më pak nën mbikëqyrje për korrupsion se çdo vend tjetër në Ballkan.
SHIKONI EDHE: Osmani: Ballkani rrezikohet nga SerbiaIsh-kryeministri shqiptar, Sali Berisha është sanksionuar nga administrata Biden për korrupsion. I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar e ka bërë të qartë se korrupsioni është problem në Bosnjë dhe Hercegovinë. A dëgjoni deklarata të tilla për korrupsionin sistematik në Serbi? Unë nuk kam dëgjuar. Arsyeja qind për qind është leva e pushtetit që ka Beogradi mbi Kosovën sadhe përmes kësaj, Rusia dhe Kina po sigurojnë ndikimin e tyre politik në rajon.
SHIKONI EDHE: Bllokada ndaj Sali Berishës, paralajmërim për të përfshirët në korrupsion
Në të njëjtën kohë, këto mekanizma ndikimi Serbia i ka në dispozicion, jo për shkak të mbështetjes së Rusisë dhe Kinës, gjegjësisht bllokadës së tyre për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ky është vetëm një manifestim i problemit. Arsyeja e vetme është se pesë anëtarë të BE-së, katër prej të cilëve janë edhe në NATO, nuk e njohin Kosovën. Sikur këto katër vende (Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia) do ta njihnin Kosovën, Serbia do të mbetej pa instrumentin e përfolur.
Gjithashtu, ndikimi rus dhe kinez në rajon do të zvogëlohej ndjeshëm dhe do t’i hapte rrugën një zgjidhjeje dinjitoze, stabilizuese që do të mbronte statusin e serbëve të Kosovës. Kjo do ta kthente edhe Serbinë në rrugën demokratike. Pra, e gjithë kjo do të ishte e mundur nëse ato katër shtete do ta njihnin Kosovën, sepse kjo do t’i mundësonte Kosovës të bëhej anëtare e NATO-s, pas së cilës Serbia nuk do të mund ta bllokonte më.
Në atë rast, pengimi i anëtarësimit të Kosovës në OKB është shumë më pak i rëndësishëm. Kosova do të kishte rrugën e saj të pavarur drejt subjektivitetit ndërkombëtar, si shtet i tërë pa kërkesën e ndarjes së tij. Kjo do të krijonte një dinamikë krejtësisht tjetër dhe do të inkurajonte Serbinë dhe Kosovën që të negociojnë një zgjidhje dinjitoze dhe stabilizuese me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së.
Radio Evropa e Lirë: Do t’i kthehemi shumë shpejt çështjes së Kosovës. Por, para kësaj, për korrupsionin që e përmendët. SHBA-ja vendosi së fundmi sanksione ndaj biznesmenit kundërthënës nga Kosova, Zvonko Vesellinoviq dhe 13 serbëve të tjerë. A do t’i zgjerojnë Uashingtoni dhe BE-ja sanksionet për korrupsion dhe shkelje të standardeve demokratike, apo po llogarisin ende në arritjen e një marrëveshjeje me Vuçiqin për Kosovën dhe çështjet tjera, në mënyrë që të forcojnë stabilitetin rajonal?
Edward Joseph: Duhet të presim dhe të shohim se çfarë është strategjia e vërtetë e administratës së Bidenit në luftën kundër korrupsionit. Vendosja e sanksioneve kundër organizatës së Vesellinoviqit është padyshim një shenjë pozitive. Në anën tjetër, ftesa për Serbinë në Samitin për Demokracinë po atë muaj, jep sinjalin e kundërt.
SHIKONI EDHE: Rrjeti i biznesmenëve serbë të sanksionuar nga SHBA-jaPra, keni pasur anën pozitive të përdorimit të mekanizmit të sanksioneve, që është një mesazh për Beogradin, i cili, siç dihet, kontrollon rrjetin e krimit të organizuar të Vesellinoviqit në veri të Kosovës. Ajo zonë është vatër e përleshjeve me autoritetet e Prishtinës për shkak të operacionit policor në tetor, të cilin SHBA-ja e mbështeti, ndërkaq që autoritetet në Serbi protestuan.
Pastaj, në të njëjtin muaj, Vuçiqi mori një ftesë të pamerituar për Samitin për Demokracinë, e cila dërgon mesazhin e gabuar. Ky nuk është një sinjal inkurajimi, sepse po të ishte kështu, atëherë Serbia do të ishte ftuar në fillim. Ishte vetëm një shprehje e dobësisë që sapo përmenda, për shkak të levës së saj të ndikimit mbi Kosovën.
Serbia do të çlirohej nëse do të mbetej pa levën mbi Kosovën
Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se SHBA-ja dhe mbi të gjitha BE-ja, si ndërmjetëse në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ende po llogarisin te Vuçiqi, duke vënë theksin te të ashtuquajturën “stabilitokraci”, në vend që të inkurajojnë forcat demokratike. Kjo supozon se nëse arrihet një marrëveshje, Vuçiq do të ishte garantuesi i saj. Së dyti, Perëndimi duket se nuk ka shumë besim tek opozita, duke qenë se ajo është po aq nacionaliste sa Qeveria aktuale.
Edward Joseph: Këtu nuk bëhet fjalë për cilësinë e opozitës serbe, por për mekanizmin që mundëson ndikimin e Beogradit zyrtar në Kosovë, i cili është pengesë për vendosjen e qeverisë demokratike dhe forcon regjimin e Vuçiqit. Dhe kjo levë u jepet autoriteteve në Serbi nga katër vendet e përmendura – Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania. Ndryshimi i pozicionit të tyre do të kishte një ndikim transformues në Beograd. Si mund ta them këtë me kaq vetëbesim?
Shihni se si është i shqetësuar regjimi i Vuçiqit për ndryshimin e paralajmëruar të qëndrimit të Greqisë. Kjo mund të konkludohet në bazë të deklaratave të zyrtarëve në Athinë. E dimë edhe për shkak të vizitës së kryetarit të Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, në kryeqytetin grek dhe për shkak të turneut të ministrit të Jashtëm, Nikolla Sellakoviq dhe zyrtarëve të tjerë në këto vende, duke i bindur ato që të mos ndryshojnë qëndrim për Kosovën.
SHIKONI EDHE: Greqia mbështet rrugën evropiane të KosovësPra, heqja e kësaj levë Serbisë nuk është qëndrim anti-serb, por një mënyrë që ajo të çlirohet. Konsideroj se Kosova mund të pranohet në Partneritetin për Paqe pa njohje nga Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania. Kjo do t’i dërgonte sinjal të fortë Beogradit dhe do të ndikonte pozitivisht në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe në situatën në rajon.
Radio Evropa e Lirë: Nëse SHBA-ja dhe BE-ja po bëjnë kinse nuk i shohin llojet e ndryshme të shkeljeve të parimeve demokratike në Serbi, Vuçiq mund ta interpretojë këtë si dhënie e mundësisë për duar të lira, sepse beson se ai u duhet atyre për të arritur një marrëveshje për Kosovën. Kështu, Perëndimi, të paktën në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, mbështet Qeverinë aktuale në Beograd dhe dekurajon opozitën demokratike, ndoshta duke e konsideruar atë nacionaliste.
Edward Joseph: Pajtohem me këtë vlerësim, përveç te pjesa e fundit. Këtu nuk bëhet fjalë për opozitën dhe nuk ka rëndësi nëse pozicioni i saj është më i vështirë apo më fleksibil. Pra, ky nuk është thelbi, por largimi i pengesës që është identike edhe për pushtetin pro-demokratik, por edhe për pushtetin anti-demokratik në Beograd.
SHIKONI EDHE: Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-sKjo do të thotë se me pranimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s, Serbia e humbë levën aktuale të fuqisë. Kjo do të zvogëlonte ndikimin e Rusisë dhe Kinës. Çfarë përfitimesh mund t’i ofronin Vuçiqit në një situatë të tillë të re, sepse nuk do të mund ta pengonin hyrjen e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, nëse për këtë pajtohen të gjithë anëtarët e saj?
Është në interesin e Serbisë që të bëhet anëtare e NATO-s
Radio Evropa e Lirë: Si do të ndikonte kjo në skenën e brendshme politike në Serbi?
Edward Joseph: Thjesht, sepse strategjia e saj për izolimin dhe dobësimin e Kosovës do të dështonte. Me këtë do të ndryshohej përllogaritja e saj strategjike. Përkatësisht, Rusia dhe Kina nuk mund t’i ndihmojnë më për çështjen më të rëndësishme, e ajo është Kosova, sado tanke, avionë luftarakë dhe dronë t’i sigurojnë Serbisë. Në atë moment, Beogradit do t’i duhet që t’iu drejtohet opsioneve të tjera, shumë të mira, më saktë t’i bashkohet rendit perëndimor, duke u bërë pjesë përgjegjëse e tij.
Kjo do të nënkuptonte përfundimin e historisë së “Botës serbe”, njohjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës dhe negocimin për një zgjidhje përfundimtare, me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, garantimin e mbrojtjes së plotë për serbët e Kosovës dhe objektet e tyre fetare, madje edhe krijimin e kushteve për kthimin e atyre që janë zhvendosur. Kjo është e mundur sepse shumica e serbëve jetojnë në jug të Ibrit. Po të mos ishte e mundur bashkëjetesa me shqiptarët, ata tashmë do të ishin larguar nga Kosova.
SHIKONI EDHE: Dialogu Kosovë-Serbi që nuk po përfundon
Kjo më pas do t’iu mundësonte serbëve dhe malazezëve në Mal të Zi që të merren vesh për formulën e bashkëjetesës. Më pas do të krijoheshin mundësi për reformimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë do të përmirësoheshin ndjeshëm.
Në një mjedis të tillë të ndryshuar, Serbia mund të bëhet edhe anëtare e NATO-s, gjë që do të ishte e dobishme për të, sepse ka një industri të fortë ushtarake. Natyrisht, Serbia mund të mbajë marrëdhënie me Rusinë dhe Kinën. Së fundmi, do të ndikonte edhe në skenën e brendshme politike, sepse pranimi i rendit perëndimor nënkupton respektimin e standardeve demokratike, të cilat mund ta forcojnë opozitën në mënyrë të natyrshme pa barrën e vazhdueshme të çështjes së Kosovës.
Kjo ide është plotësisht e realizueshme dhe jo sikurse me ftesën e Vuçiqit në Samitin për Demokracinë, apo hapjen e një kapitulli në negociatat me BE-në lidhur me shtetin e së drejtës, edhe pse Serbia nuk e meritonte atë, por u arrit nga Komisionari evropian, Oliver Varhelyi, bashkëpunëtor i ngushtë i Viktor Orbanit.
“Serbia e Madhe” inkurajon “Shqipërinë e Madhe” dhe anasjelltas
Radio Evropa e Lirë: SHBA-ja ka emëruar një të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, më pas për reformat zgjedhore në Bosnjë e Hercegovinë, si ambasador amerikan në Beograd vjen një diplomat me shumë përvojë, Christopher Hill. A paralajmëron kjo një ndryshim domethënës në qasjen e Uashingtonit ndaj rajonit, pra angazhimin e tij më të madh, apo do të mbetet i ulët në listën e prioriteteve, duke pasur parasysh rëndësinë e marrëdhënieve me Kinën, krizën në Ukrainë dhe fokusimin e Bidenit në agjendën e brendshme?
Edward Joseph: Ky është proces evolutiv. Emërimi i Christopher Hillit, diplomat veteran në rajon nga vitet 1990, i cili zëvendëson ambasadorin aktual në Beograd, mandati i të cilit nuk ka skaduar ende – është një sinjal shumë i rëndësishëm. Këtu është edhe një diplomati me shumë përvojë, Jeff Hovenier, i cili vjen në Prishtinë, pastaj Michael Murphy, ambasadori i ri i SHBA-së në Sarajevë, i cili njeh Bosnjën, Kosovën dhe rajonin në tërësi.
Këto emërime tregojnë se Uashingtoni e kupton se kursi i deritashëm nuk funksionon. Në këtë mozaik mungon ende pjesa që lidhet me levën e ndikimit. Sanksionet e fundit amerikane kundër Zvonko Vesellinoviqit dhe 13 personave të tjerë janë të orientuara drejt kësaj. Por, nismat si “Ballkani i Hapur”, normalizimi ekonomik, ftesa e Vuçiqit në Samitin për Demokracinë, apo vendimi i BE-së për të dhënë dritën jeshile për hapjen e kapitullit të sundimit të ligjit në negociatat me Serbinë – nuk janë një mënyrë për të hequr levën që Beogradi ka në raport me Kosovën.
Tregu ekonomik rajonal është shumë i rëndësishëm për të gjitha vendet, por nuk mund të arrihet pa vlera evropiane, demokratike. Përkundrazi, mund të jetë i rrezikshëm.
Shikoni Kinën, e cila ka zhvilluar tregti me Korenë e Jugut, Japoninë dhe më herët me Hong Kongun, por ka besim reciprok shumë të ulët.
Pra, normalizimi ekonomik, i modeluar sipas qasjes së Trumpit, ofron përfitime të caktuara. Por, pengesa reale për rritjen ekonomike në rajon është e natyrës politike. Prandaj, ekziston rezistenca nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja për t’iu bashkuar “Ballkanit të Hapur”. Nëse kjo nismë do të ishte kaq e mirë dhe do të kishte të bënte vetëm me fitimin e parave, të gjitha këto vende do të bashkoheshin.
Ky afrim mes Ramës dhe Vuçiqit nuk është edhe aq i “shëndetshëm”. Domethënë, duhet përkujtuar se “Serbia e Madhe” çon në krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, dhe anasjelltas. Kjo është një dinamikë shumë e rrezikshme dhe ajo thyhet në Kosovë, në lumin Ibër, gjë që do të çonte në ndarjen në “Serbinë e Madhe” dhe “Shqipërinë e Madhe”. Nuk është në interesin e Perëndimit që të krijohet “Shqipëria e Madhe”, “Serbia e Madhe” dhe ndarja e Bosnjë e Hercegovinës në tri pjesë. Kjo është në interesin e Rusisë dhe Kinës, por jo edhe të Perëndimit.
SHBA-ja nuk e lë pas dore Ballkanin
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të pritet nga këto emërime?
Edward Joseph: Siç thashë, është me karakter evolutiv. Para së gjithash, me këto emërime dhe deklarata, administrata Biden ka kohë që sinjalizon se është e vetëdijshme se situata në rajon është shumë serioze. Sekretari i Shtetit Antony Blinken dërgoi këshilltarin e tij, Derek Chollet, në Bosnjë e Hercegovinë për të përcjellë mesazhin e fuqishëm, përfshirë edhe Millorad Dodikut.
Pra, nuk është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara e neglizhojnë Ballkanin Perëndimor dhe se nuk i shohin kërcënimet e brendshme, përfshirë edhe ato që rrjedhin nga veprimet e Rusisë dhe Kinës. Këtë e vërtetojnë këto emërime, por ky është proces. Elementi kyç nuk do të jetë “Ballkani i Hapur”. Kjo është lojë e Vuçiqit me pranimin e qasjes së Trumpit ndaj normalizimit ekonomik, sepse e liron atë nga presioni.
SHIKONI EDHE: Kupchan: Ballkani të përgatitet për rikthim të angazhimit intensiv amerikanRruga e duhur është përmes Procesit të Berlinit, këshillit rajonal për koordinim dhe vlera të BE-së. Kjo nënkupton integrimin rajonal si pjesë e integrimit evropian, vlerat e përbashkëta, demokratike, tejkalimin e ngërçit politik për Kosovën, në vend që të insistohet në qasjen “populli do të tregtojë dhe prandaj nuk do t’i interesojë politika”. Kjo nuk funksionon kështu.
Toleranca e papranueshme e bllokadës bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, në BE ekziston lodhja nga zgjerimi dhe kjo është arsyeja pse nismat alternative po shfaqen në këtë vakum.
Edward Joseph: Konstatim i mirë. Lodhja nga zgjerimi është një problem i madh dhe është një dhuratë për Vuçiqin, i cili mund ta paraqesë para votuesve si joseriozitet dhe mungesë të interesimit të partnerëve evropianë, për të vënë në dukje shembullin e Maqedonisë së Veriut, e cila është bllokuar nga Bullgaria në rrugën e saj për në BE. BE-ja nuk po bën asgjë, ashtu siç nuk bëri as Gjermania gjatë presidencës së saj, duke lejuar kështu Bullgarinë, e cila sigurisht nuk është ndër anëtaret më të fuqishme, të pengojë Shkupin zyrtar të negociojë me Brukselin. Vuçiq mund të thotë gjithashtu se Maqedonia e Veriut ka ndryshuar edhe emrin për të zhbllokuar rrugën e integrimeve euroatlantike dhe Sofja zyrtare tani po e pengon. Dhe Vuçiq ka të drejtë kur e thotë këtë. Pyetja është si të zgjidhet ky problem?
SHIKONI EDHE: Ballkani Perëndimor, në fokus të BE-së gjatë kryesimit të FrancësSa më shumë që të ketë tensione dhe trazira në Ballkan, nisma si “Bota serbe”, fluturimi i avionëve luftarakë dhe shfaqja e ambasadorit rus në kufirin me Kosovën, tensionet në Mal të Zi, konfrontimet dhe gazi lotsjellës në Cetinje, kërcënimet ndaj integritetit të Bosnjë e Hercegovinës – do të ketë më pak gatishmëri nga publiku evropian që të miratojë pranimin e vendeve të Ballkanit. Kur votuesit francezë, gjermanë, holandezë dhe të tjerë evropianë të shohin skenat e përmendura në media, me siguri do të thonë “ne nuk i duam këto vende në BE”.
Përgjigja ndaj lodhjes së zgjerimit të BE-së është që fillimisht të stabilizohet rajoni mbi parimet e demokracisë dhe jo të stabilitokracisë. Kjo mund të arrihet sipas modelit që përmenda, më saktësisht që katër anëtarë të NATO-s të mundësojnë hyrjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe, gjë që do të ndryshonte ndjeshëm dinamikën politike në Ballkan, veçanërisht në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, që është nën ombrellën e BE-së.
Kthesë në Athinë dhe Madrid
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, pavarësisht sinjaleve që përmendni nga Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia, pyetja është nëse ato do të jenë të gatshëm të pranojnë hyrjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe?
Edward Joseph: Secili prej tyre po ecën në një drejtim pozitiv kur bëhet fjalë për këtë qasje. Athina ka dhënë deklaratë zyrtare duke bërë dallimin mes rastit të Kosovës dhe Qipros Veriore. Po ashtu, Sekretari spanjoll i Shtetit për Çështje të BE-së (Juan Gonzalez Barba), në një takim në nëntor, ku mori pjesë ministrja serbe për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq, paralajmëroi se vendi i tij do të ndryshojë qëndrimin e tij, në kuptimin që Kosova nuk do të jetë më e izoluar. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar menjëherë ministrja Joksimoviq.
Kur bëhet fjalë për Sllovakinë, Qeveria e saj është demokratike, pro-perëndimore dhe kundër korrupsionit. Rumania është gjithashtu e lodhur nga etiketimi, që ta quajnë vend i korruptuar. Ajo është shumë e shqetësuar për shkak të ndikimit rus dhe hungarez. Ashtu si Sllovakia, Rumania është e shqetësuar për politikën destabilizuese të Budapestit zyrtar. Këto janë çështje që partnerët amerikanë dhe evropianë mund dhe kanë interes t’i zgjidhin. Pra, ka hapa të ndryshëm që këto shtete mund të ndërmarrin para njohjes eventuale të Kosovës, të cilat e mundësojnë anëtarësimin e saj në Partneritetin për Paqe.
Siç thash, kjo do të ndryshonte dinamikën në Ballkan, duke mundësuar stabilizimin e tij. Atëherë do të jetë shumë më e vështirë për Francën, Holandën, Danimarkën dhe vendet e tjera skeptike që të bllokojnë zgjerimin e BE-së në këtë rajon.
Ndikimi i Kinës bazuar në kurthet e borxheve
Radio Evropa e Lirë: Edhe nëse ky skenar i pranimit të Kosovës në Partneritetin për Paqe realizohet, a do të mundet Rusia dhe veçanërisht Kina për shkak të levave të saj ekonomike, të parandalojnë ose të paktën ta bëjnë më të vështirë stabilizimin e Ballkanit për të cilin po flisni?
Edward Joseph: Është e vërtetë që Kina ka një ndikim, por në bazë të investimeve false. Këto nuk janë investime reale, por huamarrje dhe në shumë raste nuk janë marrëveshje thjesht ekonomike, por kanë një sfond gjeostrategjik. Në të njëjtën kohë, këto projekte po ndotin mjedisin. Pra, nuk është vetëm Rio Tinto. Kompanitë kineze janë burimi kryesor i ndotjes në Serbi. Madje, Mali i Zi ka një borxh më të lartë ndaj Kinës për kokë banori sesa Serbia, prandaj i kërkoi ndihmë BE-së për ta shlyer atë.
SHIKONI EDHE: Kina po e blen ndikimin politik në Evropën Qendrore dhe LindoreSidoqoftë, Kina është shumë e pranishme në rajon, gjë që e tregon marrja me qira e portit në Pire. Prandaj, Kinës dhe Rusisë duhet t’iu pamundësohet përdorimi i mekanizmave të ndryshëm të ndikimit politik, në radhë të parë përmes partneres së tyre strategjike, që është Serbia. Këtë nuk e them unë, por Alleksandar Vuçiq, madje edhe me krenari. Më lejoni t’ju kujtoj skenën kur ai e puthte flamurin kinez dhe panot në Serbi me mesazhin “Faleminderit, vëlla Xi”. Ai gjithashtu lavdëron dhe promovon vazhdimisht Putinin dhe partneritetin strategjik me Hungarinë, e cili është model për Serbinë. Megjithatë, ky është një model i rremë i demokracisë.
Ai ndikim mund të parandalohet duke e zgjidhur çështjen e Kosovës dhe krahas kësaj jo duke e poshtëruar Serbinë, por duke krijuar kushte që Beogradi dhe Prishtina të negociojnë një marrëveshje dinjitoze që do ta stabilizojë situatën dhe siç thash, të mbrojë interesat e serbëve të Kosovës. Ky është interesi afatgjatë i Serbisë, i vendeve të rajonit, por edhe i Perëndimit.
Formimi i Asociacionit varet nga rezultati i dialogut
Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian po i bën presion Kosovës që të përmbushë obligimin e saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i paraparë me Marrëveshjen e Brukselit. Cilat do të jenë pasojat për autoritetet në Prishtinë nëse vazhdojnë të refuzojnë që ta bëjnë këtë?
Edward Joseph: Kosova ka obligime ndaj serbëve vendas, pavarësisht se çfarë po bën Serbia, në radhë të parë të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kthimin e pronave të Manastirit të Deçanit, gjë që tregon se ka drejtësi. Mirëpo, Qeveria e Kurtit, ashtu sikurse të mëparshmet, nuk e bëri këtë. Kjo është e paqëndrueshme. SHBA-ja dhe partnerët evropianë duhet të kërkojnë nga autoritetet në Prishtinë që vendimi i përmendur i Gjykatës Kushtetuese të zbatohet menjëherë dhe këtë nuk duhet ta pengojë asnjë kryetar komune dhe askush tjetër.
SHIKONI EDHE: Manastiri i Deçanit: Pritja me vite për drejtësiKur është fjala për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, situata është disi më ndryshe. Kosova e ka obligim ta zbatojë vendimin për themelimin e tij, sepse me të është pajtuar në vitin 2013 dhe 2015, por në kontekstin e negociatave. Ajo çfarë mund dhe pritet të bëjë Kosova varet në njëfarë mënyre nga qëndrimi i serbëve të Kosovës dhe nga Beogradi. Asnjë shtet nuk do t’i japë statusin përfundimtar një pakice që është potencialisht separatiste dhe me një qeveri armiqësore që e mbështet atë. Imagjinoni, për shembull, që në rastin e Qipros Veriore, autoritetet në Nikosia të thonë se mund të formojnë asociacionin e tyre dhe gjëra të tjera pa asnjë garanci, ndërkaq që Turqia njeh pavarësinë e atij rajoni!
Natyrisht që nuk do ta bëjnë këtë, ashtu siç nuk mundet as Prishtina. Ajo do të mund të propozonte në mënyrë konstruktive se si mund të organizohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në përputhje me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, por edhe me interesat e serbëve atje. Është shumë e mundur të formohet një asociacion i tillë që nuk do të ishte Republika Sërpska, duke kontribuar kështu në krijimin e besimit.
SHIKONI EDHE: Borrell insiston në themelimin e AsociacionitPra, kjo nuk është çështje binare, kështu që Kosova është e obliguar të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe vetëm atëherë pastaj Serbia t’i kryejë obligimet e saj. Këto janë negociata në të cilat të dyja palët duhet të tregojnë vullnet të mirë dhe sinqeritet. Por, pavarësisht nga negociatat, Qeveria e Kurtit dhe të tjerët janë të obliguar që t’i përmbushin obligimet kushtetuese ndaj serbëve të Kosovës, pavarësisht se çfarë bën Beogradi.
Çoviq është produkt i politikës së Dodikut
Radio Evropa e Lirë: Gara për armatim ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë është padyshim vetëm një pasqyrim i situatës në Ballkan.
Edward Joseph: Është e qartë se ekziston një ndjenjë e pasigurisë reciproke mes Serbisë dhe Kroacisë. Nëse Serbia po armatoset, nëse ekziston iniciativa jodemokratike “bota serbe”, këto në Kroaci i perceptojnë si një kërcënim. Gjithashtu, ekziston antagonizmi rreth Kosovës, për shkak se Kroacia i forcoi trupat e saj brenda KFOR-it këtë pranverë, gjë që shkaktoi reagime të ashpra nga Beogradi.
Kur bëhet fjalë për Bosnjë e Hercegovinën, ekziston ideja e një “Kroacie të Madhe”, por vetëm si produkt i konceptit të “Serbisë së Madhe”. Në këtë kuptim, politika e Dragan Çoviqit (udhëheqës i Bashkimit Demokratik Kroat -HDZ në Bosnjë e Hercegovinë) është e mundur vetëm për shkak të veprimeve të Millorad Dodikut. Në qoftë se Republika Sërpska do të pranonte reformat e Marrëveshjes së Dejtonit, nuk do të kishte politikë të Dragan Çoviqit dhe histori për Herceg Bosnën. Më lejoni t’ju kujtoj se as Franjo Tuxhman nuk do të guxonte ta ndante Bosnjën dhe Hercegovinën pa pjesëmarrjen e Serbisë në të.
SHIKONI EDHE: A do të jetë viti 2022 kur do të shpërbëhet Bosnja?Radio Evropa e Lirë: Supozoj se lufta nuk është e mundur, sepse Kroacia është anëtare e NATO-s dhe do të mbrohej nga një mekanizëm kolektiv i sigurisë.
Edward Joseph: Ky është një moment shtesë, sepse ndryshimi i kufijve të Kroacisë, si dhe Shqipërisë, e cila është gjithashtu anëtare e NATO-s, do të ishte shumë i ndërlikuar, sepse ata gëzojnë mbrojtje sipas nenit 5 të Statutit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në bazë të kufijve ekzistues.
Për një ndryshim eventual të kufijve, të gjitha vendet e NATO-s duhet të konsultohen dhe ato eventualisht ta miratojnë një gjë të tillë. Pra, asnjë anëtare e kësaj aleance nuk mund të ndryshojë në mënyrë të njëanshme kufijtë e saj dhe të presë mbrojtje kolektive.
Gjithashtu, këto vende pranojnë rendin perëndimor, siguria e të cilit mbrohet nga Aleanca Veri-Atlantike e udhëhequr nga SHBA-ja, madje edhe Bullgaria dhe Turqia, megjithëse janë afër Rusisë. Vetëm Serbia nuk e pranon atë dhe në këtë mënyrë as Republika Sërpska, pastaj Lista Serbe në Kosovë dhe Fronti Demokratik në Mal të Zi. Dhe jo vetëm që nuk e pranon rendin perëndimor, por nën regjimin e Vuçiqit, Serbia po promovon rende alternative – anti-demokratike ruse, kineze dhe hungareze.