Kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll - ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit - ka zgjatur 16 vjet.
Më 20 maj 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por ai nuk është zbatuar, ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe detyruese për të gjitha palët.
Tash e disa vite, bashkësia ndërkombëtare u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ta lejojnë Manastirin që ta regjistrojë tokën në kadastër.
Manastiri i Deçanit ka edhe një kontest me autoritetet lokale në Deçan, e që ka të bëjë me ndërtimin e rrugës kryesore Deçan - Plavë.
Punimet për ndërtimin e kësaj rruge po zhvillohen përmes zonës së mbrojtur të Manastirit dhe ato janë ndërprerë disa herë, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës ose bashkësisë ndërkombëtare.