Beteja me dezinformatat ruse në Maqedoninë e Veriut

Fotografi ilustruese.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, Rusia ka bërë gjithçka për të rritur ndikimin e saj në Maqedoninë e Veriut, sipas të të ashtuquajturit koncept i "fuqisë së mprehtë", tregojnë të dhënat e një studimi të asociacionit civil "Most".

Ky hulumtim analizon propagandën ruse, ndikimin dhe narrativat dezinformuese lidhur me luftën në Ukrainë, e që janë të pranishme online në Maqedoninë e Veriut në periudhën mars 2022 - shkurt 2023.

Një koncept i tillë i "fuqisë së mprehtë", siç thuhet në studim, zbatohet veçanërisht përmes promovimit të vëllazërisë sllavo-ortodokse dhe shfrytëzimit të kishës për qëllime të tilla.

"Ndikimi rus e tërheq popullsinë në konceptin e vlerave të përbashkëta me “vëllezërit sllavë dhe ortodoksë nga Rusia që nuk kanë asgjë të përbashkët me botën perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, duke inkurajuar kështu rezistencën ndaj Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s", thuhet në studim.

SHIKONI EDHE: Pendarovski akuzon Moskën për ndërhyrje në Maqedoninë e Veriut

Sipas hulumtimit, “narrativat armiqësore ruse në Maqedoninë e Veriut” në vitin e parë të agresionit rus kundër Ukrainës kishin pesë synime kryesore; arsyetimin e agresionit, portretizimin e Ukrainës si kërcënim për ekzistencën e Rusisë për shkak të afërsisë së saj me Perëndimin dhe nazizmin e pretenduar, përmes narrativave "Laboratorët e armëve biologjike në Ukrainë dhe se ukrainasit janë nazistë".

“Ky ndikim i jashtëm është i dëmshëm. Është një propagandë që përçan hapësirën informative duke bërë përpjekje për të rritur ndikimin te qytetarët përmes manipulimeve të ndryshme. Synimet tjera kishin të bëjnë me plasimin e dezinformatave se sanksionet dëmtojnë Perëndimin më shumë se Rusinë dhe krijimin e perceptimit se Perëndimi dëshiron të shkatërrojë Rusinë për shkak të botëkuptimit të saj ortodoks, një tregim që është promovuar nga zyrtarët rusë, si dhe aleatët dhe propaganduesit rusë”, ka deklaruar Rosana Aleksoska, nga asociacioni civil "Most".

SHIKONI EDHE: Rubin: Rusia përdor mediat për të zbehur mbështetjen e Ballkanit për NATO-n

Një synim tjetër i dezinformatave ruse, sipas hulumtimit, kishte të bënte me kthimin në të kaluarën përmes manipulimeve lidhur me ngjarjet në Jugosllavi, si dhe duke promovuar narrativën “Kosova është Serbi, Donbasi është Rusi”.

“Të gjitha këto synime, sipas studimit, kanë qëllime përçarëse dhe synojnë të nxisin ndjenjën anti-perëndimore në audiencë, duke bërë gjithçka për të penguar integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit. Maqedonia e Veriut dhe Ballkani janë lart në agjendën e Kremlinit”, thuhet në studim.

Ndërkohë, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për gazetari hulumtuese, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut është i pranishëm në veçanti në dhjetë vjetët e fundit.

“Maqedonia e Veriut llogaritet si një nyje, një udhëkryq apo si një terren, në të cilin shumë më lehtë ushtrohet strategjia e Rusisë që të ketë një ndikim të madh me një kosto të vogël. Këtë ajo e arrin me propagandën e saj duke nxitur përçarje në baza etnike dhe religjioze dhe duke joshur kështu popullatën ortodokse dhe sllave që të bashkohet rreth Moskës si një promotore dhe mbrojtëse e interesave sllave”, thotë Neziri.

SHIKONI EDHE:

Saraçini: Dezinformatat ruse kërcënim për sigurinë, duhen masa konkreteRubin: Ka njerëz në Rusi që nuk duan ta shohin Maqedoninë e V. në BEBallkani, "vegël" e Rusisë për destabilizim të Evropës?

Ai shton se kjo propagandë bëhet me një kosto të lirë përmes mediave të ndryshme, kryesisht portaleve dhe rrjeteve sociale.

“Është një ndikim me një kosto shumë të lirë dhe efikase, sidomos te gjeneratat e reja andaj institucionet tona, sikur edhe vendet tjera të Ballkanit duhet të kenë strategji konkrete që t’i përgjigjen kësaj lufte hibride që ka për qëllimin devijimin nga qëllimet strategjike të këtyre vendeve drejt integrimeve euroatlantike”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti Neziri.

Studimi i asociacionit civil "Most", bazohet në gjetjet dhe rekomandimet e bëra në studimin "Dezinformimi dhe shtrembërimi i informacionit në Maqedoninë e Veriut", botuar nga "Most" në dhjetor 2021.

“Autoritetet, partitë politike, komuniteti akademik, sektori privat, mediat dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet të njohin praninë e ndikimit malinj rus në vend. Pasi të bëhet kjo, duhet të hartohet, miratohet dhe zbatohet në mënyrë konsistente një plan strategjik afatgjatë për të luftuar ndikimin e huaj malinj, si dhe një plan afatgjatë komunikimi strategjik”, thuhet në studimin e asociacionit civil "Most".