Ndërlidhjet

Pendarovski akuzon Moskën për ndërhyrje në Maqedoninë e Veriut


Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

“Organet kompetente kanë informacione për persona që kanë hyrë në Maqedoninë e Veriut për të shkaktuar provokime gjatë protestave të fundit civile, por edhe për financimin e disa subjekteve politike”. Kështu tha në një intervistë për revistën maqedonase Fokus, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Ai akuzoi Moskën për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit të tij përmes financimit të "disa subjekteve politike".

Kreu i shtetit nuk zbuloi emra, por tha se “bëhet fjalë për disa subjekte që janë në korrelacion të drejtpërdrejtë me Moskën në vitet e fundit".

“Përderisa artikulohen politikisht në institucione, është e mirë dhe demokratike. Por, më duhet të them se vërtet është për t’u çuditur se pak ditë pas pushtimit rus të Ukrainës, 'E Majta' e ftoi ambasadorin rus në Kuvend dhe e shpërbleu për kontributin e tij në marrëdhëniet dypalëshe, gjë që është e paprecedent. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë Kuvend evropian”, tha presidenti Pendarovski.

"E Majta" (Levica) është parti opozitare maqedonase, e cila drejtohet nga Dimitar Apasiev, ndërsa përfaqësohet nga dy deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Është një nga partitë më të zëshme kundër marrëveshjes me Bullgarinë për çështjen e gjuhës dhe identitetit, ndërsa ishte edhe kundër Marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit.

Ai nuk specifikoi nëse kjo parti politike financohet nga Moska, ndërsa ngriti shqetësimet edhe për veprimtarinë e agjenturave ruse, që sipas tij hyjnë në Maqedoninë e Veriut nga shtetet fqinje.

“Nuk mund të zbuloj publikisht se nga vijnë saktësisht, sepse këto janë informacione të ndjeshme, por rusët po përpiqen të ndikojnë edhe përmes atyre kërcënimeve të quajtura moderne hibride”, theksoi Pendarovski pa përmendur emra shtetesh apo me çfarë veprimtarish merren konkretisht këto struktura.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme, nëse ka informacione mbi veprimtarinë e agjenturave të huaja, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Ndërkohë, lidhur me pohimet e presidentit Stevo Pendarovski, ka reaguar partia e “E Majta”, e cila tërthorazi është përmendur si e afërt me politikën ruse.

Deputeti Branisllav Krmov ka thënë për Radion Evropa e Lirë se institucionet duhet të hetojnë nëse “E Majta” financohet nga Rusia apo nëse ka ndonjë lidhshmëri me politikën e Moskës.

“Është simptomatike dhe ironike që njerëzit që kanë ndërtuar karrierën me para të huaja, tani të akuzojnë për ndikime të jashtme apo shfrytëzim të mjeteve financiare nga jashtë. Situata është e pastër, financimi i partive politike me para nga jashtë paraqet vepër penale".

"Nëse kanë fakte lirisht le të hetojnë gjithçka, nëse jo atëherë le t’u japin fund shpifjeve dhe përhapjes së të pavërtetave në opinion”, ka thënë Krmov duke i hedhur poshtë edhe pohimet e presidentit për takimin me ambasadorin rus, Sergei Baznikin, dhe ndarjen e një mirënjohjeje menjëherë pas agresionit rus në Ukrainë.

“Para takimit me ambasadorin rus, ne takuam dy ambasadorë të tjerë, të Francës dhe Kroacisë, vende këto anëtare të BE-së. Në këtë rast, a mund të flasim për ndikime të shteteve të BE-së? Ne nuk kemi ftuar asnjë ambasador, ne u përgjigjemi thirrjeve të tyre për takime dhe të gjitha mbahen në hapësirat e Kuvendit. Ne pa asnjë problem do të takohemi edhe me ambasadoren amerikane nëse do të kërkonte një takim me ne. Janë takime protokollare. Sa i përket dhuratës, ne me të gjithë ata që jemi takuar, u kemi ndarë nga një monedhë me figurën e heroit tonë ‘Goce Delçev’ me rastin e 150-vjetorit të lindjes së tij”, është shprehur Krmov.

Lidhur me pohimet e presidentit Pendarovski, Nano Ruzhin, ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO, thotë se Rusia edhe më parë ka shfaqur interes për rritjen e ndikimit të saj në rajon. Kjo, sipas tij, është bërë për shkak të rëndësisë gjeostrategjike pasi Maqedonia e Veriut, sipas tij, shtrihet mes korridoreve 8 dhe 10, andaj edhe përbën interes për fuqitë e mëdha.

“Por, ndikimet e ditëve të sotme nuk janë të njëjta sikur në kohën e Luftës së Ftohtë. Ndikimet e sotme mund të jenë me ‘fuqi të butë’ përmes propagandës së ndryshme, ndërtimit të objekteve kishtare, investojnë në ngritjen e popullaritetit të kulturës, artit, gjuhës, historisë. Pra, ne duhet të jemi të gatshëm të përballemi me ndikime të këtilla, qoftë edhe përmes rrjeteve sociale. Qëllimi i saj është që të rritet ndikimi në opinionin publik dhe orientimi drejt Moskës. Pra, mund të flasim për ndikime por jo edhe të bëhet shumë panik, por duhet pasur kujdes”, thotë Ruzhin për Radion Evropa e Lirë.

Sa i përket pohimit të presidentit se organet kompetente kanë informacione për persona që mund të jenë të përfshirë edhe në protestat e fundit, Ruzhin thekson:

Por, kur këtë e thotë presidenti, atëherë me siguri se ka diçka që mund të na shqetësojë, por jo të nxisë panik dhe të kërkohet armiku gjithandej"
Nano Ruzhin

“Me siguri se ka njerëz, individë që janë të paguar, ashtu siç ka gjithandej në botë. Shërbimet e kundërzbulimit duhet të bëjnë punën e tyre. Besoj se kanë informacione që janë të klasifikuara, që nuk mund të jenë disponueshme për qytetarët".

"Por, kur këtë e thotë presidenti, atëherë me siguri se ka diçka që mund të na shqetësojë por jo të nxisë panik dhe të kërkohet armiku gjithandej. Kjo, pasi ka njerëz që kanë respekt për popullin rus dhe ne nuk mundemi që të gjithë ata t’i llogarisim si qytetarë që punojnë për kauzën ruse. Ka njerëz që respektojnë kulturën ruse, por kjo nuk do të thotë se të gjithë ata janë me Putinin dhe arsyetojnë intervenimin në Ukrainë”.

Maqedonia e Veriut këtë vit ka dëbuar 11 diplomatë rusë me arsyetimin se “po kryenin aktivitete që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”.

Moska, gjithashtu, është kundërpërgjigjur duke dëbuar diplomatët maqedonas nga ambasada e saj në Rusi, si dhe duke e vendosur Maqedoninë e Veriut në listën e shteteve armike.

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergej Lavrov, së fundi kishte deklaruar se “atmosfera e popullit maqedonas është kundër kursit euroatlantik të elitës politike”, por kjo deklaratë nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, është vlerësuar si provokuese dhe pjesë e propagandës ruse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG