Deputeti i Partisë Demokratike (PD) në opozitë, Ervin Salianji, është dënuar me një vit burgim, pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, për akuzën “kallëzim i rremë”.
Avokati i deputetit pretendoi se vendimi u mor mbi “prova të fabrikuara”. Ndërkaq, deputeti Ervin Salianji, gjatë një prononcimi për gazetarë e cilësoi vendimin si politik.
"Dosje e kopsitur nga fillimi në fund. Vendimmarrje politike. Do ta shohin si do të shkojë historia. Jam i nderuar dhe kam medalje që shndrit në karrierën politike. Do e ankimoj vendimin dhe do ndjekim procedurat e tjera gjyqësore”, tha ai.
Me vendimin e Gjykatës së Apelit, Salianji automatikisht humb mandatin e deputetit. Kjo parashihet në Ligjin e dekriminalizimit, sipas të cilit, një funksionar shtetëror që dënohet me vendim të formës së prerë e humbet menjëherë mandatin apo funksionin që ushtron.
Në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit morën pjesë edhe deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
PD-ja njoftoi se do të zhvillojë një mbledhje urgjente të grupit parlamentar.
Çështja ndaj deputetit demokrat, njihet edhe si çështja "Babale" dhe lidhet me një audio-përgjim të publikuar në maj të vitit 2018 nga Partia Demokratike, në të cilin pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm në atë kohë, Fatmir Xhafaj, bisedonte një person tjetër me të cilin pajtohej për trafikim të drogës.
Audio-përgjimi u cilësua nga Prokuroria si i sajuar. Ndërsa gjykata e shkallës së parë e dënoi deputetin me një vit burgim.