Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit shtetëror, thotë se nga hulumtimet e bëra deri më tani janë vërejtur parregullsi të komisionit paraprak.
Përfaqësuesit e këtij Komisioni, të cilët raportuan para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane lidhur me gjetjet për demarkimin e kufirit Kosovë-Mal i Zi, kanë theksuar se ish-komisioni ka bërë punë joprofesionale dhe jotransparente.
Ata kanë thënë se nuk ka asnjë dilemë se nga të gjeturat e tyre, vija kufitare është bërë keq dhe se korrigjimi i gabimeve do të jetë i vështirë, por jo i pamundur, për faktin, siç thonë ata “se nuk ka marrëveshje ndërkombëtare të njëanshme, por ka marrëveshje bilaterale dhe kjo marrëveshje bilaterale nuk është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës”.
Kryesuesi i këtij Komisioni, Shpejtim Bulliqi tha se ish-komisioni nuk ka pasur një proces transparent.
“Ish-komisioni ka tejkaluar kompetencat e veta, për faktin se ka mungesë të një marrëveshjeje ndërkombëtare dhe ka qenë i themeluar vetëm me një detyrë, demarkimin e atij kufiri, shënjimin dhe mirëmbajtjen, por në asnjë formë dhënien e një vije të re kufitare në praktikë, gjë që për fat të keq rezultati final na ka rezultuar vija e re kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi”, tha Bulliqi.
Bulliqi thotë se Komisioni është duke bërë punën me përpikëri të madhe dhe se janë afër përmbylljes së raportit final rreth gjetjeve për demarkimin e kufirit Kosovë-Mal i Zi.
“Nuk guxojmë të ngutemi në dëm të raportit sepse çështja është serioze, nuk jemi larg, jemi afër por keni durimin, pasi që shpejt do të kemi raportin në dorë me të gjitha faktet”, tha Bulliqi.
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, Zejnullah Gruda thotë se nga gjetjet e tij që ai ka vërtetuar se Kosova me Malin e Zi nuk ka Marrëveshje për demarkacion, por ka marrëveshje për kufi.
“Neni 4 i kësaj marrëveshjeje thotë se kufiri shtetërore ndërmjet palëve do të shënohet me shenja kufitare (paragrafi i parë). Paragrafi i dytë thotë se kufiri shtetëror ndërmjet palëve do të shënohet në periudhën prej dy viteve nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje. Do të thotë, për Demarkacionin ne ende nuk i kemi kushtet formale për të biseduar, është bërë marrëveshje për kufi”, thotë Gruda.
Ndërkohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit shtetëror që të gjejnë fakte që të bindin Malin e Zi se ku është vija kufitare.
Deputeti i Alternativës, Ilir Deda ka kërkuar nga Komisioni që të mos dëshmojë vetëm gabimet e ish-komisionit, por të jep fakte rreth çështjes se Demarkacionit.
“Në raportet e juaja të reflektohet edhe situata aktuale ndërkombëtare sa i përket shtetit tonë. Kjo situatë aktuale ndërkombëtare është kundër Kosovës, sa i përket çështjes së Demarkacionit. Unë jam për atë që sa më shpejt të dilni me raport. Ne nuk kemi kohë, nuk mund ta presim janarin apo shkurtin e vitit të ardhshëm për raportin e juaj”, thotë Deda.
Zenun Pajaziti, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se Komisioni duhet të sjellë raporte që ju ndihmon deputetëve që të vendosin në aspektin më të mirë të shënjimit të pikës kufitare.
“Ne si deputetë dëshirojmë që sa më shpejt ju të nxjerrin diçka që na ndihmon neve që këtë tregim ta mbyllim në të mirë të vendit, në të mirë të proceseve, pa paragjykuar asnjë lloj rezultati. Ne dëgjuam vetëm për ish-komisionin, nëse ka diçka që lidhet me atë komision le të merret drejtësia, neve po na nevojitet sa më shumë të silleni si ekspertë”.
Deputetët e opozitës nga legjislatura e kaluar, pretendonin se me Marrëveshjen e vitit 2015, për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor. Pjesë e opozitës së atëhershme ishte edhe kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, i cili njihet për kundërshtimin e versionit të marrëveshjes aktuale për Demarkacionin me Malin e Zi.
Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, besohet se po e mban peng procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ngase Komisioni Evropian e ka vënë atë si kusht që Kosova duhet ta përmbushë për heqjen e vizave.