Zyrtarët në kryeqytetin e Indisë, Delhi, kërkuan që të gjenden vende të reja për djegien e viktimave, pasi morgjet dhe krematoriumet e qytetit janë të mbingarkuara me viktimat e koronavirusit.
Vala e dytë e koronavirusit është duke shkatërruar pjesë të Indisë.
Të premten, autoritetet thanë se kanë diagnostikuar edhe 386,452 raste të reja pozitive.
Kjo është shifra më e lartë ditore e regjistruar në ndonjë vend.
Autoritetet raportuan edhe për 3,500 viktima në të gjithë Indinë dhe për afro 400 në Delhi - shifër rekorde për kryeqytetin.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Indi tashmë ka kaluar 18 milionë.
Dërgesa e parë me furnizime emergjente mjekësore nga SHBA-ja arriti në Indi të premten.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja thirrje shtetasve të saj: Largohuni sa më shpejt nga IndiaPor, furnizimet me oksigjen dhe shtretërit spitalorë vazhdojnë të mungojnë.
Shumë të afërm të pacientëve me koronavirus luten në mediat sociale për ndihmë.
Një oficer i lartë i policisë në Delhi tha se njerëzit duhet t’i djegin anëtarët e familjes në krematoriume që nuk janë të përcaktuara për viktimat e koronavirusit.
“Kjo është arsyeja përse duhet të ndërtojmë më shumë krematoriume”, i tha oficeri kanalit të lajmeve NDTV.
Qeveria qendrore e Indisë po përballet me kritika në rritje për shkak të trajtimit të pandemisë dhe vendimit për të lejuar tubime të mëdha zgjedhore dhe festivale fetare, në javët e fundit.
Deri më tani, më pak se 10% e njerëzve në Indi kanë marrë një vaksinë kundër koronavirusit.
Të shtunën, të gjithë të rriturit mbi moshën 18 vjeç do të bëhen të ligjshëm për vaksinim, por ka shqetësime për disponueshmërinë e dozave.
India është prodhuesi më i madh në botë i vaksinave, por nuk ka doza të mjaftueshme për rreth 800 milionë njerëz që do të kualifikohen për vaksinim.