Deklarata për të Zhdukurit "ofron qasje në dokumente të ndjeshme”

Në kujtim të personave të pagjetur në Prishtinë - Fotografi nga arkivi.

Deklarata për Personat e Zhdukur, e cila u miratua më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si pjesë e një dialogu të nivelit të lartë politik, sjell shpresë të re sepse palët janë zotuar të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si 'konfidenciale'.

Ky është konstatimi i Bekim Blakajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës dhe Sonja Biserkos nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Ata nënvizojnë se kjo është hera e parë që të dyja palët angazhohen për të lejuar qasje në “dokumente të ndjeshme” për të hedhur dritë mbi fatin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

SHIKONI EDHE: Pajtim për të zhdukurit, mospajtim për Asociacionin

Mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Në Deklaratë, ndër të tjera, thuhet se i jepet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Blakaj dhe Biserko theksojnë se Deklarata për Personat e Zhdukur këtë herë është “më e fortë” sepse është pjesë e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të BE-së dhe se do të ketë pasoja nëse palët nuk e respektojnë atë.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën të dyja palët e pranuan në fund të shkurtit, dhe Aneksi për zbatimin e saj nga marsi, është përfshirë në kornizën negociuese të Kosovës dhe Serbisë në procesin e integrimeve evropiane.

Kështu, të dyja palët pranuan se “çdo mospërmbushje e detyrimeve nga Marrëveshja apo Aneksi, do të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative”.

Çfarë nënkuptohet me dokumente 'konfidenciale'?

Në tekstin e Deklaratës nuk përmendet konkretisht hapja e arkivave ushtarake apo policore, por Bekim Blakaj thekson se ekziston fjala “dokumente konfidenciale” dhe shpreh besimin se dokumente të tilla do të zgjidhin një numër të madh të rasteve të personave të zhdukur.

Sonja Biserko thekson gjithashtu se termi “dokumente konfidenciale” u referohet arkivave të autoriteteve ushtarake apo policore dhe shton se të dhënat nga ato arkiva do të ndihmonin shumë në ndriçimin e fatit të personave të pagjetur pas dy dekadash.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një deklaratë për media më 2 maj tha se është i gatshëm të hapë të gjitha arkivat që mund të çojnë në zbulimin e personave të zhdukur, duke theksuar se të njëjtën gjë e pret edhe nga autoritetet e Kosovës.

“Mos u zemëroni, të njëjtën gjë kërkojmë edhe për serbët që u vranë në Kosovë e Metohi”, tha ai.

Në Kosovë nuk dihet se ku mbahen dokumente të rëndësishme të luftës, ndonëse çështja e hapjes së arkivave ushtarake nga të dyja palët është ngritur në kuadër të dialogut që në shtator të vitit 2021. Atë kohë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe shef i delegacionit të Kosovës për dialogun me Serbinë, tha se palët do të hapin arkivat, duke përfshirë edhe ato “që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

SHIKONI EDHE: Arkivat e rëndësishme janë “në duart e komandantëve të luftës”

Po ashtu, më 13 shtator 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u tha gazetarëve se në Arkivin Qendror të Kosovës ka prova dhe materiale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirëpo, ky institucion e mohoi një gjë të tillë.

A ka një vullnet të vërtetë për t’i hapur arkivat?

Edhe pse politikanët nga të dyja palët pretendojnë se institucionet do të jenë transparente – të cilën e kanë obliguar me Deklaratën për Personat e Pagjetur – Bekim Blakaj dhe Sonja Biserko theksojnë se “nuk do të jetë aq e lehtë”.

“Nuk besoj se palët do ta vënë kaq lehtë dokumentacionin në dispozicion, por ka ende shpresë sepse zbatimi do të mbikëqyret nga Komuniteti Evropian ose Bashkimi Evropian. Nëse vlerësojnë se palët nuk e zbatojnë marrëveshjen, mund të përballen me sanksione”, vlerëson ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE:

Kurti sërish kërkon hapjen e arkivave shtetërore të SerbisëVuçiq: Serbia, e gatshme për marrëveshje për të pagjeturit

Biserko thekson se arkivat e Ushtrisë dhe Policisë serbe deri më tani kanë mbetur “të paprekshme” në rastet e krimeve të luftës, ndaj është skeptike se tani do të hapen për shkak të çështjes së personave të zhdukur.

“Nëse Serbia do t'i hapte ato arkiva, do të duhej të përballej me faktin se është përgjegjëse për shumë gjëra që kanë ndodhur në Kosovë, sepse është bërë nën ombrellën e ushtrisë, policisë dhe paragrupeve të ndryshme”, thotë ajo.

Keqinterpretim i Deklaratës për të Zhdukurit?

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare thekson se është e rëndësishme që opinioni të kuptojë se Deklarata për Personat e Zhdukur në asnjë mënyrë nuk u referohet krimeve të luftës.

“Me këtë Deklaratë nuk mund të lidhim gjëra të tjera, si përpunimi i krimeve të luftës, reparacionet e kështu me radhë”, thotë Blakaj.

SHIKONI EDHE: Deklarata e Kurtit dhe Vuçiqit për Personat e Zhdukur 

Sonja Biserko, nga ana tjetër, vlerëson se Deklarata për Personat e Zhdukur është hedhur tërësisht anash, dhe se fokusi ishte kryesisht te Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Megjithatë, unë them se presioni nga bashkësia ndërkombëtare do të jetë më i fortë, më i shpeshtë dhe më real këtë herë se sa ishte në vitet e mëparshme”, vlerëson ajo.

Çfarë thonë shoqatat e të zhdukurve?

Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, shprehet skeptik lidhur me Deklaratën për Personat e Zhdukur.

SHIKONI EDHE: Shpresa e dhimbshme

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo deklaratë ka disa të meta, ndër të cilat është koha e pasaktësuar lidhur me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Nëse këto (kërkimet për varrezat mundshme) vazhdojnë edhe 24 vjet, kjo për familjarët është një brengë e rëndë. Ne e dimë që familjarët (e personave të zhdukur) jetojnë në stres dhe traumë tash e 24 vjet, për të ditur për fatin e tyre. Por, nëse Serbia, i përmbahet deklaratës, si bashkëpunuese e mirë, shpresoj që shpejt mund të ketë zgjidhje, sepse Serbia shumë mirë e di se ku janë varrezat masive dhe ku janë njerëzit tanë”, deklaron Grajçevci.

Ai shton se në rundin e ardhshëm të dialogut, kur pritet të arrihet pajtimi për detajet operacionale për zbatimin e Deklaratës për të zhdukurit, “do të vuloset” vërtetësia nëse palët janë pajtuar njëmend për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Koordinatorja e Shoqatës së Familjarëve të të Kidnapuarve dhe të Pagjeturve në Kosovë, Silvana Marinkoviq, mendon se Deklarata e miratuar nuk do të ndihmojë duke hedhur dritë mbi fatin e të zhdukurve, sepse për “asgjë të re nuk është rënë dakord”.

SHIKONI EDHE: Mbi 1.600 të pagjeturit

Sipas saj, pothuajse për të gjitha pikat në Deklaratë ishin pajtuar më parë dhe është dashur të zbatohet nga Grupet Punuese brenda Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

“Ne prisnim që puna të fillonte realisht, që janë rënë dakord për hapa konkretë. Për të gjitha këto janë rënë dakord më parë, por nuk janë respektuar. Gjithashtu prisja që të paktën nga një anëtar (nga familjet serbe dhe shqiptare të të zhdukurve) të jetë i pranishëm në mbledhjen kur është diskutuar për personat e zhdukur", thotë Marinkoviq për REL-in.

Çështja e të pagjeturve përmes marrëveshjeve dhe bashkëpunimit të mëhershëm

Grupi i përbashkët punues për personat e pagjetur është themeluar në vitin 2004, nën kujdesin e përfaqësuesit special për Kosovën të sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Mirëpo, komisionet për persona të pagjetur të Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë kanë akuzuar më së shumti njëri-tjetrin gjatë viteve të fundit dhe nuk ka pasur bashkëpunim konkret në kuadër të grupit të përbashkët punues në terren.

Po ashtu, çështja e personave të pagjetur është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020, por përveç “harmonizimit të qëndrimeve” të të dyja palëve për atë çështje, nuk ka pasur ndonjë progres konkret.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13.000 njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800.000 u zhvendosën dhe rreth 1.600 janë të zhdukur.

*Video nga arkivi: Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?


Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi. Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1.000 mbetje mortore.