Shqipëria për herë të dytë është bërë mikëpritëse e stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA "Defender Europe".
Në këtë stërvitje marrin pjesë 24 mijë trupa ushtarake shqiptare, evropiane dhe amerikane.
Në ceremoninë e hapjes së stërvitjes në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë paraditen e së hënës morën pjesë personalitete të larta të shtetit dhe ushtrisë shqiptare, ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim, si dhe drejtues të lartë ushtarakë amerikanë.
Nëpër disa stenda ishin ekspozuar armatime të ndryshme.
Presidsenti i Shqipërisë Bajram Begaj tha se rëndësia e kësaj stërvitjeje është më e prekshme se kurrë dhe se vazhdueshmëria e kësaj manovre ushtarake është mëse e nevojshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
"Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues ne Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë", theksoi presidenti.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është e privilegjuar që është mikëpritëse e kësaj stërvitjeje për herë të dytë.
“Shqipëria ka nderin të presë për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë. Ky është një privilegj i posaçëm për Forcat tona të Armatosura, që janë pritëse dhe pjesëmarrëse. Për herë të dytë kjo stërvitje vë në pah përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve tona ushtarake falë edhe mbështetjes së aleatëve tanë amerikanë dhe të tjerë të vendeve të NATO”, tha Rama.
Ai shtoi se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart “në nivelin e respektit ndërkombëtar”.
“[Shqipëria] sot është ulur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si bashkëpembajtëse për çështjen e Ukrainës. Kjo është përgjegjësi e jashtëzakonshme, që vë në duke çfarë pjekurie dhe zhvillimi ka arritur vendi ynë”, tha Rama.
Ambasadorja amerikane në anën tjetër tha se kjo stërvitje tregon se SHBA, së bashku me vendet aleate, mund të kryejnë çdo mision.
"Në dy vite që prej Defender 2021, bota ka ndryshuar, Shqipëria dhe aleatët tanë të NATO-s janë më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë. Nuk mund të mos kujtoj fjalët e Skënderbeut, bashkimi bën fuqinë. Që nga Defender 2021, Shqipëria dhe SHBA po bëjnë më shumë se kurrë më parë së bashku. Kemi ngritur dy pranitë e para ushtarake të SHBA-së në historinë e Shqipërisë. Defender 2023 do të na tregojë se së bashku me aleatët dhe partnerët ne mund të kryejmë çdo mision. Jemi krenar që e quajmë Shqipërinë aleate dhe mike", tha Yuri Kim.
Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji tha se kjo stërvitje i tregon gatishmërinë e Shqipërisë dhe aleatëve të saj se janë të përgatitur për të përballuar çdo sfidë.
SHIKONI EDHE:
Komanda amerikane themelon bazë ushtarake në ShqipëriUshtria e SHBA-së kryen stërvitje në ShqipëriNë këtë stërvitje marrin pjesë 800 trupa ushtarake shqiptare, ndërsa marrin pjesë edhe ushtarakë nga 10 vende të ndryshme evropiane dhe nga SHBA-ja.
Për këtë stërvitje janë sjellë 7 mijë pajisje nga SHBA si dhe 13 mijë të tjera që janë nxjerrë nga depot e armatimeve të pozicionuara aktualisht në zonat ku do të kryhet stërvitja, e cila do të zgjasë deri më 2 qershor.
Stërvitja "Defender 2023" nisi një ditë më parë në Kosovë.