Danimarka dhe Italia dëbojnë diplomatë rusë

Flamuri rus nën gjemba.

Italia dhe Danimarka kanë bërë të ditura dëbime masive të diplomatëve rusë, pas raportimeve për mizori të dyshuara në qytezën ukrainase, Buça.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Jeppe Kofod ka thënë më 5 prill se ambasadori rus në Kopenhagë është informuar që 15 anëtarë të stafit të ambasadës do të dëbohen dhe se Qeveria e Danimarkës “ka dënuar ashpër” veprimet e ushtarëve rusë në Buça.

SHIKONI EDHE: Perëndimi planifikon më shumë sanksione kundër Rusisë

Edhe ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio ka thënë për kanalin televiziv, RAI-news-24, se Roma ka informuar Moskën që 30 diplomatë rusë duhet të largohen nga shteti për “arsye të sigurisë kombëtare”.

“Përmes këtij vendimi, ne jemi duke dërguar mesazh të qartë te Moska se nuk do të pranojmë që zyrtarë të inteligjencës ruse të spiunojnë në tokën daneze”, ka thënë ministri Kofod përmes një deklarate.

“Ata përbëjnë rrezik për sigurinë tonë kombëtare që nuk mund ta injorojmë. Së bashku me një numër të aleatëve të ngushtë, ne kemi hasur në spiunimin që e bëjnë personat e identifikuar, nën petkun e statusit diplomatik”, ka shtuar ai.

SHIKONI EDHE: Gjermania, Lituania dhe Letonia dëbojnë diplomatë rusë

Në deklaratën daneze është thënë se diplomatët kanë 14 ditë për t’u larguar nga shteti.

Di Maio nuk ka treguar për afatin që kanë diplomatët për t’u larguar.

Si përgjigje ndaj këtyre veprimeve, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë për agjencinë e lajmeve, TASS se Moska do të marrë “masat e duhura”.