Dalja në zgjedhjet e Iranit besohet të jetë më e ulëta ndonjëherë

Një grua duke shfrytëzuar të drejtën e saj në zgjedhjet e 1 marsit në Iran.

Dalja në zgjedhjet e 1 marsit në Iran duket se është në nivele të ulëta rekorde, sipas disa burimeve jozyrtare, pasi shumë iranianë e kanë konsideruar procesin si të “inskenuar”.

Sipas raportimeve të para, kandidatët e linjës së ashpër prijnë në garë.

Zgjedhjet për parlamentin e ri, dhe Asamblenë e re të Ekspertëve, e cila emëron liderin suprem të Iranit, janë të parat prej protestave mbarëkombëtare të vitit 2022, të cilat kanë shpërthyer pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini sa ka qenë në mbajtje policore, pse nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Udhëheqësit e Iranit kanë pasur nevojë për dalje të madhe në zgjedhje për të rikthyer legjitimitetin pas protestave, mirëpo shumë iranianë kanë thënë se zgjedhjet janë “pa asnjë kuptim”.

SHIKONI EDHE: Iranianët pyesin: Ku është esenca e mbajtjes së zgjedhjeve?

Në procesin zgjedhor kanë kandiduar mbi 15.000 kandidatë për 290 ulëset e parlamentit.

Rezultatet fillestare pritet të bëhen publike më vonë gjatë 2 marsit.

Media shtetërore ka raportuar se dalja ka qenë “e mirë”, dhe është sugjeruar që rreth 41 për qind e banorëve e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

Nëse kjo shifër është e saktë, ajo përbën përqindjen më të ulët ndonjëherë të daljes në zgjedhje në Iran, prej Revolucionit Islamik të vitit 1979, që ka rezultuar me ardhjen e klerikëve fetarë në pushtet.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se komuniteti ndërkombëtar është i vetëdijshëm që rezultatet e votimit nuk reflektojnë vullnetin e popullit.

Para zgjedhjeve, shumë figura të mirënjohura, përfshirë lauretaren e Cmimit Nobel për Paqe Narges Mohammadi, kanë thënë që duhet bojkotuar zgjedhjet, duke i konsideruar artificiale.