Ndërlidhjet

Iranianët pyesin: Ku është esenca e mbajtjes së zgjedhjeve?


Një grua shihet duke ecur përreth materialeve të publikuara për fushatë për zgjedhjet parlamentare të Iranit, që mbahen më 1 mars.
Një grua shihet duke ecur përreth materialeve të publikuara për fushatë për zgjedhjet parlamentare të Iranit, që mbahen më 1 mars.

Teksa Irani përgatitet për zgjedhjet e 1 marsit, ekziston një e përbashkët që qarkullon në mesin e banorëve iranianë.

Zgjedhjet do të rezultojnë me një parlament të ri dhe Asamble Ekspertësh, trup që zgjedh më pas liderin suprem të shtetit.

Mirëpo, në dhjetëra mesazhe që i janë nisur Radios Evropa e Lirë prej banorëve brenda Iranit, shumë prej tyre kanë thënë se nuk do të votojnë në ato që i konsiderojnë zgjedhje “pa asnjë kuptim”, meqë në to pritet vetëm të konsolidohen udhëheqësit shtetërorë të linjës së ashpër.

Kjo mostër – ndonëse e vogël – shpërfaq sfidën ndaj legjimitetit të strukturës klerikale të pushtetit në Iran, teksa rritet sentimenti kundër regjimit, që është vërejtur edhe në protestat e pashembullta nëpër rrugët e Iranit më 2022.

“Ata nuk janë përfaqësuesit e popullit”, ka thënë një burrë iranian përmes një audio-mesazhi.

“Ata i duan njerëzit vetëm për vota dhe asgjë më shumë. Më pas nuk bëhet asgjë për ata njerëz dhe ata lihen anash”.

Një tjetër burrë u ka bërë thirrje njerëzve që të mos votojnë për “regjimin e korruptuar që nuk ka vend në Iranin e civilizuar”.

“A nuk është koha që t’iu themi jo ekzekutimeve, diktaturës dhe pushtimit të vendit tim, Iranit?”, ka thënë ky burrë në një audio-mesazh që i ka nisur Radios Evropa e Lirë.

Autoritetet në Iran nuk tolerojnë asnjë formë të shprehjes së pakënaqësisë dhe veçse kanë burgosur dhjetëra gazetarë, aktivistë dhe avokatë në vjetët e fundit.

Rreth 700 të burgosur janë ekzekutuar në Iran vetëm më 2023, përfshirë nëntë protestues, sipas grupeve për të drejta të njeriut.

Gjatë shtypjes brutale prej aparatit shtetëror, në muajt e protestave mbarëkombëtare, që patën shpërthyer në shkurt të vitit 2022, të paktën 500 protestues janë vrarë dhe mijëra janë arrestuar.

Protestat kanë nisur si shenjë zemërimi kundër vendimit për vendosje të hixhabit, një shtyllë në republikën islamike.

Mirëpo më vonë, në protesta janë përmendur edhe pakënaqësi tjera, përfshirë thirrjet kundër teokracisë së Iranit, dhe disa protestues kanë bërë thirrje për dhënie fund të regjimit të udhëhequr prej klerikëve fetarë.

“Sot ne e shohim që kushdo që kritikon diktaturën e klerikëve, vritet, plagoset, torturohet dhe burgoset”, ka thënë një burrë tjerë në një audio-mesazh dërguar REL-it.

Banorët e Iranit, që i kanë dërguar mesazhe REL-it, nuk janë identifikuar, nga frika e hakmarrjes prej shtetit.

Thirrje për bojkot

Shumë iranianë jashtë shtetit dhe aktivistët politikë, si dhe ata të shoqërisë civile në Iran, kanë bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve të 1 marsit.

Pothuajse 300 figura politike, shoqërore dhe kulturore i kanë dënuar publikisht zgjedhjet, duke i bërë thirrje popullit që të mos marrë pjesë në votimet e “inskenuara”.

Më 24 shkurt, edhe avokatja iraniane për të drejta të njeriut dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi ka bërë thirrje për bojkot dhe sanksionim dhe dënimin global të zgjedhjeve.

Sipas saj, veprime të tilla përbëjnë “domosdoshmëri politike dhe detyrë morale”.

Zyrtarët iranianë dhe mediat shtetërore i kanë konsideruar “armiq” ata që po bëjnë thirrje për bojkotim të procesit zgjedhor.

Zyrtarët u ka bërë thirrje disa herë iranianëve që kanë të drejtë vote, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre, duke e quajtur obligim fetar.

Këto thirrje vijnë teksa rriten shqetësimet për një përsëritje të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2021, kur është regjistruar dalja më e ulët ndonjëherë në zgjedhje.

Duke marrë parasysh rritjen e dallimeve mes klerikëve në pushtet dhe të rinjve të Iranit, si dhe keqmenaxhimit ekonomik, autoritetet janë në pritje të një skenari të ngjashëm, sipas ekspertëve.

“Zgjedhjet nuk kanë kuptim”, ka thënë një burrë, në një audio-mesazh që i ka dërguar Radios Evropa e Lirë, si referencë si atë që shihet si proces i padrejtë zgjedhor në Iran, pasi kandidatët verifikohen nga një organ i linjës së ashpër, dhe zgjidhen direkt ose indirekt prej liderit suprem.

“Pjesëmarrja në zgjedhje, edhe nëse jemi indiferentë ndaj të gjitha krimeve që janë kryer [prej shtetit] në vjetët e fundit, do të ishte tallje me veten”, ka thënë ky burrë.

Në një tjetër audio-mesazh, një burrë ka thënë se shpreson që “durimi i popullit të ketë mbaruar” dhe ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhje.

Kjo është rruga e vetme, ka thënë ai, “për t’i dhënë fund kësaj jete të mjerë, të trishtuar dhe të goditur prej varfërisë”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG