Numri i rasteve me COVID-19 në Shqipëri ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë 24 orëve të fundit.
Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka bërë të ditur se për datën 20 qershor janë kryer 805 testime nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 219 qytetarë, duke shënuar një rritje të ndjeshme të rasteve të reja krahasuar me javët e fundit. Fatmirësisht në 24 orët e fundit nuk janë shënuar humbje jete në vend.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) rritja e numrit të të infektuarve vjen edhe për shkak të sezonit turistik ku është rritur ndjeshëm numri i udhëtarëve nga jashtë vendit, por edhe nga grumbullimet e njerëzve pas heqjes së të gjitha kufizimeve.
SHIKONI EDHE: Rritet përqindja e rasteve pozitive me COVID-19Në Shqipëri aktualisht po qarkullon varianti BA.2 i Omicron, i cili sipas ekspertëve është më i butë se paraardhësit e tij, por më ngjitës. Nisur nga infektimet e reja ekspertët po paralajmërojnë për një numër potencialisht shumë të lartë infeksionesh gjatë verës, pra në atë periudhë të vitit, kur virusi në fakt nuk duhej të përhapej kaq shpejt.
Në njoftimin e bërë, ministria e shëndetësisë në Shqipëri i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve. “Vaksinat anti-Covid reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.”- shkruhet në njoftim