Çka tregojnë të dhënat e fundit të regjistrimit të popullsisë?

Prishtinë, fotografi nga arkivi.

Që nga 12 korriku - kur u prezantuan rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë - është ditur se numri i banorëve që jetojnë në Kosovë, ka rënë.

Rënia prej 8.8 për qind, në krahasim me regjistrimin paraprak të popullsisë të bërë më 2011, tregonte se vlerësimi i popullsisë i bërë çdo vit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ishte i pasaktë.

Me gjithë rënien e numrit të banorëve, të dhënat tregojnë se numri i banesave është rritur dukshëm që nga viti 2011.

Rritja e numrit të banesave përkon me zvogëlimin e ekonomive familjare - që do të thotë se tani më pak banorë jetojnë në bashkësi të mëdha familjare brenda një shtëpie, sesa në vitin 2011.

Por, ka edhe shumë ndërtesa banimi që mbeten të zbrazëta, pasi që në to nuk banon askush.

Një ndryshim i madh vërehet edhe në vendbanimet e kosovarëve. Për dallim nga viti 2011, kur shumica banonin në zona rurale, tani shumica e popullsisë jeton në zonat urbane në Kosovë.

Por, në regjistrim as këtë herë nuk kanë marrë pjesë shumë nga banorët në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

ASK-ja ka vlerësuar që në këto komuna - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - jetojnë rreth 15 mijë banorë, por vetëm 6.708 kanë marrë pjesë në regjistrimin e mbajtur këtë vit.

Edhe pse numri i banorëve në këtë zonë besohet të jetë edhe më i lartë se ai i vlerësuar nga ASK-ja, këtë herë regjistrimi nuk është bojkotuar plotësisht në katër komunat me shumicë serbe në veri - çfarë edhe ka bërë të ndryshojë paksa struktura etnike e regjistruar.

Ndryshime të vogla vërehen edhe në përkatësitë fetare të banorëve në Kosovë, edhe pse ende dominon komuniteti mysliman.

Regjistrimi i fundit i popullsisë tregon se një përqindje më e madhe e banorëve tani janë të pensionuar, ndërsa është zvogëluar numri i atyre nën moshën 14 vjeç.

Në mesin e grup-moshave më të vjetra është edhe pjesa më e madhe e banorëve në Kosovë që nuk kanë ndjekur fare arsimimin formal. Megjithatë, numri i banorëve të paarsimuar është zvogëluar.

Në regjistrimin e sivjetmë të popullsisë, për herë të parë, është bërë edhe një vlerësim i dëmeve të shkaktuara nga lufta e fundit në Kosovë, gjatë viteve 1998-99.

Të pyetur për dëmet materiale që u janë shkaktuar, banorët e Kosovës kanë raportuar për dëme në vlerë prej mbi pesë miliardë eurosh.

Në këtë pyetësor, banorët janë përgjigjur edhe për dëmet psikologjike dhe humbjet e familjarëve që ua ka shkaktuar lufta.

Për herë të parë në Kosovë, në këtë regjistrim janë përfshirë edhe kosovarët që jetojnë në diasporë, e që, sipas ASK-së, jan rreth 550 mijë persona.