Shpërthimi i zjarrit në një spital në Tetovë, spitalet në Kosovë të mbushura me pacientë me COVID-19, strehimi i përkohshëm i afganëve në Kosovë, shpallja e qeverisë nga talibanët dhe shënimi i 20-vjetorit të sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara. Këto janë disa prej temave për të cilat Radio Evropa e Lirë ka raportuar në javën që po e lëmë pas, e të cilat po ua risjellim përmes këtij artikulli.
Zjarri që u mori jetën 14 personave në Tetovë
Në orët e mbrëmjes të 8 shtatorit, në një spital të përkohshëm në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, shpërtheu një zjarr. Nga ky incident vdiqën 14 persona dhe 12 të tjerë u plagosën.
Your browser doesn’t support HTML5
Spitali i përkohshëm, që ishte ndërtuar për pacientët me COVID-19, u shkatërrua i gjithi. Dyshohet se zjarri u shkaktua nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit.
Për viktimat u mbajt edhe një marsh përkujtues, ndërkaq, disa zyrtarë, përfshirë edhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhanë dorëheqje pas incidentit.
Maqedonia e Veriut ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s për të hetuar shkaqet e këtij incidenti.
Rrëfimi i infermieres: E pamundur të kujdesesh për të gjithë pacientët me COVID-19
Javët e fundit, Kosova është përballur me rritje të rasteve me koronavirus, gjë që ka shkaktuar që edhe numri i atyre që po kërkojnë ndihmën e mjekëve të rritet.
Një infermiere, që ka folur për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, e ka pranuar se e ka të pamundur që t’i trajtojë të gjithë pacientët në mënyrën e duhur.
"Lodhje jashtëzakonisht e madhe. Të jesh motër që kujdesesh për 20 pacientë, kjo është diçka e tepërt. Të japësh terapi, të përcjellësh oksigjenin, temperaturën e shumë punë të tjera e kërkesa, të cilave duhet t’iu dalësh ballë”, ka rrëfyer ajo.
Sipas kësaj infermiereje, për shkak të mungesës së stafit, ka raste kur nuk mund t’u japë shërbimin e njëjtë të gjithë pacientë dhe me raste ata edhe mund ta pësojnë.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Brenda repartit COVID-19 në Klinikën e Pediatrisë
Më 8 shtator, Radio Evropa e Lirë qëndroi në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare. Atë ditë, aty po trajtoheshin tetë pacientë, të infektuar me koronavirus.
Në mesin e pacientëve ishte edhe një foshnje gjashtëmuajshe, që ishte infektuar nga nëna e saj.
Pranë në klinikë i qëndronte gjyshja e saj Shyhrete Qollaku, nga Prizreni, e cila bëri apel për kujdes.
“Kisha bërë apel, të mos marrin pjesë në tubime ku ka njerëz shumë. Është rrezik, po bartet virusi te fëmijët. Të mos marrin pjesë në dasma, të mbajnë distancë”, u shpreh ajo.
‘Kam ëndërruar të bëhem mësuese’
Edona Peci, 16-vjeçare, pas përfundimit të nivelit fillor të arsimit, e kishte të pamundur që të vazhdonte shkollimin.
Peci, që i përket komunitetit ashkali, rrëfeu për Radion Evropa e Lirë sesa ishte në shkollë fillore kishte pas sukses të mirë dhe ëndërronte që një ditë të bëhej mësuese.
“Kur kam hyrë në klasën e parë dhe na pyesin arsimtarët se çfarë duam të bëhemi, unë u kam thënë se dua të bëhem mësuese. Deri në klasën e nëntë, jam munduar të mësoj shumë dhe gjatë shkollimit kam pasur suksesin e mirë. Por, tash e kam ndërprerë sepse nuk i kemi kushtet e mira. Jemi kallaballëk. Nuk e kam pasur veshjen e mirë, s’kam pasur mundësinë që të blej librat, fletoret dhe të udhëtoj (për në shkollë). Jam detyruar që të ndalem. Prapë kam dëshirë që të shkoj. Por, tash për tash nuk mundem”, tha Edona Rama për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencë, Teknologjisë dhe Inovacionit, 63 nxënës të komuniteteve rom, ashakli dhe egjiptian kanë braktisur vitin e ri shkollor 2020/21.
Afganët në Kosovë: Të sigurt e të mbyllur në kampe
Kosova është zotuar se do të strehojë rreth 2,000 afganë të cilët kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara dhe misionin e NATO-s. Aktualisht në Kosovë janë mbi 600 afganë, që po qëndrojnë në kampin e Bechtel-Enkas në Ferizaj, por edhe në kampin ushtarak amerikan Bondsteel.
Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku shtetasit afganë lejohen të dalin nga kampet, në Kosovë ata nuk gëzojnë një të drejtë të tillë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sqaroi për Radion Evropa e Lirë, arsyet se pse afganët që janë të strehuar në Kosovë, po mbahen të mbyllur.
"Për shkak të rrethanave në të cilat vendi ynë gjendet, për shkak të proceduarave deri në furnizimin e tyre me dokumentet e nevojshme, por edhe për shkak të pandemisë dhe sigurisë, momentalisht ata janë të lirë të qarkullojnë brenda komplekseve ku janë të vendosur. Ditëve në vijmë ne do të përgatitemi që t'ua mundësojmë edhe lirinë e lëvizjes", tha Sveçla.
Talibanët shpallin qeverinë
Grupi militant i talibanëve, më 7 shtator njoftoi se ka shpallur qeverinë e re, pasi mori nën kontroll Afganistanin. Megjithatë, asnjë qeveri e huaj, deri më tani, nuk e ka njohur këtë qeveri.
Në përbërjen e qeverisë së re të talibanëve ka emra që janë pjesë e listave të terroristëve të Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara.
SHIKONI EDHE: Figurat kyçe të qeverisë së re të talibanëveQeveria e talibanëve do të udhëhiqet nga Mullah Mohammad Hassan Akhund. Që prej vitit 2001 ai gjendet në listën e terroristëve të Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq, fjalën e fundit në vend do ta ketë lideri supreme Mullah Haibatullah Akhunzada.
Në përbërjen e qeverisë së talibanëve është edhe Sirajuddin Haqqani që do të shërbejë si ministër i Brendshëm. Ai është lider i rrjetit Haqqani, që është fraksioni më i fuqishëm dhe më vdekjeprurës i talibanëve. Këtë rrjet, SHBA-ja e cilëson si organizatë terroriste.
Pavarësisht se talibanët ishin zotuar se qeveria e tyre do të ishte përfshirëse dhe e bazuar në ligjet islamike, në këtë qeveri të re të shpallur nga ky grup militant, nuk është përfshirë asnjë grua.
11 shtator 2001: Dita e terrorit që ndryshoi botën
Më 11 shtator, Shtetet e Bashkuara kujtuan afër 3,000 persona që u vranë nga sulmet terroriste më 2001.
Sulmet u kryen nga 19 pjesëtarë të Al-Kaidës, që rrëmbyen katër avionë pasagjerësh. Dy prej tyre u përplasën në Qendrën Botërore të Tregtisë, një goditi Pentagonin dhe një avion u rrëzua në një fushë në Pensilvani.
Në SHBA në 20-vjetorin e sulmeve, u organizuan një sërë ceremonish. Presidenti Joe Biden bëri thirrje për unitet të kombit amerikan.