Çka është Asociacioni i komunave me shumicë serbe? 

Mitrovicë e Veriut. Foto nga arkivi.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas zyrtarëve evropianë, do të ndodhë menjëherë pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se Asociacioni do të themelohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por pas arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë me Serbinë.

SHIKONI EDHE: Kërkesa 'problematike' e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë

Autoritetet e Beogradit, megjithatë kanë insistuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet menjëherë dhe që kjo çështje të jetë temë për negocim në kuadër të dialogut aktual në Bruksel, gjë të cilën e kanë refuzuar autoritetet e Prishtinës zyrtare.

Subjekti politik Lista Serbe, që në Kuvendin e Kosovës numëron dhjetë deputetë, ka pritje të mëdha për Asociacionin, duke shpresuar në funksionimin e tij me kompetenca ekzekutive.

Çka parasheh Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Çka është Asociacioni i komunave të Kosovës?

Asociacioni i komunave të Kosovës funksionon në Kosovë si organizatë joprofitabile e themeluar për t’i përfaqësuar dhe për t’u shërbyer interesave të anëtarëve të saj, gjegjësisht komunave të Kosovës. Pjesë e këtij Asociacioni janë 34 komuna të Kosovës. Kuvendi ka 126 anëtarë dhe përbëhet nga të gjithë kryetarët e komunave dhe nga një këshilltar i zgjedhur për secilin nga dhjetë këshilltarët komunalë dhe përfaqësues nga komunitetet jo-shumicë në kuvendet e komunave. Misioni i këtij Asociacionit është të krijojë qeverisje lokale efikase, të qëndrueshme dhe demokratike përmes përpjekjeve të përbashkëta me komunat dhe përmes tyre të arrihet një performancë e kualitetit të lartë në shërbimin e nevojave për anëtarët e saj.

Në një nga pikat e para të marrëveshjes thuhet se në pajtim me kompetencat e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës për këtë çështje, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi që të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Asociacionin. Asociacioni do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.

SHIKONI EDHE: Kosova kushtëzon Serbinë për Asociacionin: Zbatimi, pas njohjes reciproke

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Marrëveshja e dytë mbi parimet e Asociacionit

Pas marrëveshjes së vitit 2013, Kosova dhe Serbia në Bruksel në vitin 2015, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kjo marrëveshje parasheh se Asociacioni do t'i ketë organet dhe strukturën organizative. Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni është paraparë të ketë një kuvend si trup suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse.

SHIKONI EDHE: Whyte: Republika Srpska nuk do të jetë model për Asociacionin

Është paraparë që Kuvendi i Asociacionit të ketë të drejtë të miratojë amendamentet e statutit, rregulloren e punës dhe të gjitha rregulloret e nevojshme dhe udhëzimet administrative në pajtim me statutin që ndërlidhet me objektivat e tij.

Asociacioni do të ketë një president, i cili do ta përfaqësojë Asociacionin pranë autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës. Presidenti do të ndihmohet nga zëvendëspresidenti. Presidentin dhe zëvendëspresidentin do t’i zgjedhë kuvendi në mesin e anëtarëve të kuvendeve komunale pjesëmarrëse dhe kryetarëve të komunave të tyre.

Sipas Marrëveshjes për Asociacionin dhe në përputhje me Marrëveshjen e parë të Brukselit, objektivat kryesore e Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

SHIKONI EDHE: Pse Asociacioni është problematik për Kosovën?

Asociacioni thuhet se do të punojë me autoritetet qendrore në bazë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndarjes së informatave, si dhe do të promovojë interesat e komunitetit serb të Kosovës në relacionet me autoritetet qendrore. Po ashtu Asociacioni është paraparë që ta ketë buxhetin e tij, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës e llogaridhënies dhe dispozitave të Ligjit mbi prokurimin publik.

SHIKONI EDHE: Parimet e Asociacionit “nuk janë tërësisht” në përputhshmëri me Kushtetutën

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më 23 dhjetor 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Gjykata kishte konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës.

Bashkimi Evropian ka sqaruar së fundmi se qëndrimi i saj mbetet se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen dhe se në zbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të merret parasysh edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.