Gjashtëdhjetë e tetë shtetas afganë u vendosën nga 13 tetori në Kosovë, por koordinimi i strehimit të tyre nuk u bë me Qeverinë amerikane, sikurse më herët.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me ta, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës tha se “kërkesa për mbrojtjen e përkohshme të tyre është bërë nga organizata Infinitus Salvator, e regjistruar në SHBA”.
“Në respektim të plotë të procesit, por edhe të të dhënave personale të personave që kemi pranuar, ne nuk mund t’i ofrojmë të dhënat e tyre personale dhe as vendqëndrimin e tyre”, tha MPB-ja.
Sipas saj, grupi i ri i afganëve “ka të drejtën e lëvizjes së pakufizuar” në Kosovë, ndryshe nga ata të parët që fillimisht kishin lëvizje të kufizuar.
I kontaktuar nga REL-i në lidhje me këtë rast, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është duke punuar drejtpërdrejt me Qeverinë e Kosovës “për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për pak afganët e mbetur, që janë sjellë më parë në Kosovë dhe janë nën kujdesin e SHBA-së”.
DASH-i nuk u prononcua për grupin e fundit të afganëve.
Me çka merret organizata Infinitus Salvator?
Në ueb-faqen e saj shkruan se Infinitus Salvator është një organizatë jofitimprurëse, e regjistruar në Shtetet e Bashkuara.
Me seli në shtetin Xhorxhia, Infinitus Salvator “operon në mbarë botën, me mision për të garantuar siguri dhe mirëqenie për ata që janë në rrezik”.
Në ueb-faqen e organizatës thuhet, po ashtu, se Afganistani është pjesë e programeve të saj për “sigurinë njerëzore”.
Në kuadër të këtyre programeve, Infinitus Salvator thotë se, duke punuar me disa partnerë, ka ofruar, mes tjerash, shërbime evakuimi, strehim të sigurt dhe transport të sigurt për shtetas afganë, pas marrjes së pushtetit nga talibanët në Afganistan nga gushti i vitit 2021.
“Më shumë se 550 afganë në rrezik u evakuuan në vendet fqinje dhe më gjerë”, thuhet në ueb-faqen e organizatës, ku theksohet, po ashtu, se përpjekjet e tilla për zhvendosjen e afganëve janë duke vazhduar “pa ndërprerje”.
“Programe të tjera të sigurisë njerëzore përfshijnë edhe Ukrainën e Haitin”, shkruan po ashtu organizata.
Ardhjen e grupit të ri të shtetasve afganë në Kosovë e lajmëroi ministri i Brendshëm i vendit, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook më 13 tetor.
“Bazuar në vendimin e mbledhjes së 220-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për disa shtetas afganë dhe familjarë të tyre, Ministria e Punëve të Brendshme ka pritur dhe akomoduar sot 68 prej tyre në kuadër të këtij procesi”, shkroi Sveçla.
Ai nuk tha nëse në kuadër të këtij aranzhimi, priten edhe të tjerë.
Kosova pranoi një numër shumë më të madh afganësh - gati 2.000 - pasi talibanët morën pushtetin në vendin e tyre, në verë të vitit 2021.
Atëkohë, zhvendosja e tyre u bë me kërkesë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Marrëveshja ishte që ata të qëndronin në Kosovë derisa t’i kalonin procedurat e verifikimit, për t’u zhvendosur pastaj në SHBA.
SHIKONI EDHE: Verifikimi i së kaluarës mund t’ua zgjasë afganëve qëndrimin në KosovëNdërkohë që pjesa më e madhe e tyre është larguar tashmë nga Kosova, MPB-ja i tha REL-it se “një numër i vogël i tyre” vazhdon të mbetet në Kosovë, por nuk specifikoi sa.
MPB-ja tha se afganët e ardhur më 13 tetor, kanë qëndrim të përkohshëm në Kosovë dhe se janë në procedura të aplikimit për të lëvizur drejt vendeve të tjera.
“Koha e qëndrimit të tyre do të varet nga zhvillimi i këtyre procedurave”, tha MPB-ja, duke shtuar se katër persona nga ky grup, kanë udhëtuar më 16 tetor drejt një shteti tjetër, që, siç tha, do t’u ofrojë qëndrim të përhershëm.
Se çfarë përfshijnë procedurat për këtë grup dhe për cilat shtete është i destinuar ai, nuk është e qartë.
Procedurat e tilla për ata që u strehuan në Kosovë përmes Qeverisë amerikane, përfshinin verifikimin e sigurisë dhe plotësimin e disa kritereve shëndetësore - në mesin e tyre imunizimi.
Sipas raporteve, ata ishin kryesisht bashkëpunëtorë të SHBA-së dhe NATO-s, gjatë pranisë së tyre në Afganistan, nga viti 2001 deri më 2021.
Në janar të vitit 2022, gazeta amerikane Wall Street Journal raportoi se disa afganë të evakuuar në Kosovë, rrezikojnë që t’iu ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara, për shkak të lidhjeve të dyshuara me talibanët dhe grupe tjera terroriste.
SHIKONI EDHE:
E ardhme e paqartë për afganët në KosovëDASH konfirmon se disa afganëve në Kosovë u është refuzuar hyrja në SHBADuke iu referuar atyre që janë ende në Kosovë, MBP-ja tha se është duke bërë “përpjekje të vazhdueshme” me autoritetet amerikane, “për të siguruar vendet që ofrojnë qëndrim të përhershëm për ta”.
“Gjatë kësaj kohe sa ata janë duke qëndruar në Republikën e Kosovës, Qeveria e SHBA-së është duke ofruar përkujdesje për të gjithë ata”, tha MPB-ja e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Kombeve të Bashkuara, deri në fund të vitit 2023, numri i refugjatëve afganë të raportuar në nivel global, ishte 6.4 milionë.