Komentimi i zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit në Kosovë, ka nisur mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit për Kosovën.
Shefi i misionit të përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) Zahir Tanin, ka theksuar se dalja në këto zgjedhje, mbi 44 për qind, ka qenë më e madhja ndër vite, dhe ka përmendur se komuniteti ndërkombëtar ka vlerësuar këtë proces si pozitiv.
Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, po ashtu ka lavdëruar procesin zgjedhor në Kosovë, duke thënë se gjenerata e re, që nuk ka përjetuar luftën dhe është rritur në Kosovën e pavarur ka zgjedhur përfaqësuesit e saj.
Për dallim nga Tanin, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se serbët nuk janë trajtuar mirë në procesin e fundit zgjedhor të mbajtur në Kosovë.
Ambasadorja Çitaku në anën tjetër ka thënë se komuniteti serb është e vërtetë se është frikësuar, mirëpo jo nga shtetasit e Kosovës.
Sipas saj, ata janë detyruar të votojnë për një parti në veçanti.
“Shkeljet janë dokumentuar nga misioni vëzhgues ndërkombëtar. Më 8 tetor, vëzhguesit e Bashkimit Evropian kanë thënë se fushata është përcjellë me frikësim të personave që nuk kanë qenë pjesë e kandidatëve dhe përkrahësve të Listës Serbe”, ka thënë Çitaku.
SHIKONI EDHE: Votimi i serbëve të Kosovës, nën presion
Përveç kësaj, Daçiq e ka cilësuar mashtrim pretendimin se disa zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor mund të jenë helmuar pasi kanë hapur zarfet me vota të ardhura nga Serbia.
SHIKONI EDHE: KQZ ende pa vendim për zarfet nga SerbiaKujtojmë se Prokuroria e Kosovës ka thënë se është duke vazhduar hetimet për këtë çështje derisa mostrat e zarfeve nga Serbia, sipas Prokurorisë, janë dërguar për ekzaminim në një prej laboratorëve në Evropë, pa dhënë më shumë hollësi.
Ambasadorja Çitaku ka thënë se Kosova nuk ka drejtuar gishtin te askush për këtë rast, dhe se autoritetet e Kosovës janë siguruar që secila votë të numërohet pavarësisht rrethanave.
Arrestimi i dy pjesëtarëve të UNIMIK-ut në veri të Kosovës
Tanin mes tjerash ka rikujtur operacionin e Policisë së Kosovës më 28 maj në veri të Kosovës. Ai ka thënë se ka themeluar një grup hetues lidhur me veprimet e Policisë së Kosovës, pas ndalimit të dy pjesëtarëve të UNMIK-ut.
Njëri prej tyre, Mikhail Krasnoshchenkov, ishte ndaluar dhe më pas liruar nga Policia e Kosovës meqë kishte imunitet diplomatik, përkundër akuzave se zyrtari rus i UNMIK-ut, ishte kamufluar nën petkun e UNMIK-ut në kundërshtim të veprimeve ligjore të institucioneve të Kosovës.
Ndonëse ishte liruar, Qeveria e Kosovës e kishte shpallur atë si person të padëshiruar, përkatësisht “non-grata”.
Përkeqësohen raportet e Qeverisë së Kosovës me UNMIK-un
Mirëpo Tanin ka thënë se shpallja e një personi të padëshiruar nuk mund të aplikohet në personelin e UNMIK-ut, dhe siç është shprehur ai, ekipi hetues ka gjetur se të dy personat në fjalë kanë qenë në detyrë zyrtare kur janë ndaluar, andaj nuk kanë kryer ndonjë shkelje.
Mes tjerash, Tanin ka thënë se ekipi hetues ka gjetur përdorim të forcës së Policisë së Kosovës ndaj zyrtarëve të UNMIK-ut.
“Ekipi hetues nuk ka gjetur të dhëna për të mbështetur akuzat për ndonjë keqbërje nga dy anëtarët e UNMIK-ut. Ekipi ka gjetur që të dy kanë qenë në detyrë kur janë arrestuar…. Ekipi ka gjetur edhe përdorim të dhunës nga ana e Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka kërkuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar që të dënojnë veprimet e autoriteteve të Kosovës ndaj zyrtarëve të UNMIK-ut.
Lidhur me këtë çështje, Çitaku ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar me profesionalizëm kur ka vendosur të arrestojë një punëtor të UNMIK-ut se Krasnoshchenkov me qëllim ka qëndruar si “mburojë njerëzore” në mënyrë që të parandalojë autoritetet për zbatim të ligjit në kryerjen e detyrave të tyre.
”Ju kam pyetur edhe herën e kaluar dhe po ju pyes sërish. Çfarë do të ndodhte nëse ndonjëri prej nesh do të tentonte që të parandalonte një operacion policor kundër kriminelëve këtu në Nju Jork, në Uashington, në Berlin, në Moskë, Paris, apo gjetkë?
Ajo ka thënë se operacioni është filmuar dhe ka qenë i qasshëm për publikun. Sipas saj, pamjet tregojnë se pjesëtari i UNMIK-ut ka refuzuar të identifikohet.
*Video: Aksioni i Policisë së Kosovës në veri
Your browser doesn’t support HTML5
Çitaku ka përmendur se autoritetet e Kosovës janë duke kryer hetime për këtë rast dhe se rezultatet do t’i ndajnë edhe me zyrtarë të Kombeve të Bashkuara.
Sa i përket dialogut mes dy shteteve, Daçiq ka thënë në këtë takim se Serbia është e gatshme të kthehet në dialog menjëherë, mirëpo sipas tij Kosova nuk ka bërë përpjekje ndër vite për të përmirësuar raportet.
Ai ka përmendur taksën prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vënë në importet serbe në nëntor të vitit të kaluar.
Daçiq ka thënë po ashtu se shpreson që Kosova do ta largojë këtë masë sapo të formohet qeveria e re.
Sikur edhe në herat tjera, ambasadorja e Kosovës në Uashington ka konsideruar se takimet e tilla në Këshillin e Sigurimit nuk janë të nevojshme, meqë Kosova tani është shtet i pavarur.
"Më lejoni ta bëj të qartë. Fakti se Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, nuk na bën neve më pak shtet. Kjo gjë vetëm na bën neve republikë të re që duhet të përballet me një fqinj të pakëndshëm", tha Çitaku.