Reuters
Thirrjet globale për një "pauzë humanitare" në luftën Izrael-Hamas janë injoruar, duke e pamundësuar futjen e ndihmave në Gazën e rrethuar nga Izraeli, ndërsa mungesa e ushqimit, karburanteve, ujit të pijshëm dhe ilaçeve po përkeqësohet.
Më poshtë mund ta lexoni një përmbledhje të asaj që disa agjenci të OKB-së e quajnë "katastrofë humanitare" duke përfshirë territorin e vogël me 2.3 milionë njerëz të udhëhequr nga Hamasi.
Zhvendosja
Rreth 1.4 milion njerëz - më shumë se gjysma e popullsisë - kanë ikur nga shtëpitë e tyre me rreth 700.000 njerëz që janë strehuar në ndërtesat e drejtuara nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), sipas zyrës humanitare të OKB-së (OCHA).
SHIKONI EDHE: Mbi 3.600 fëmijë palestinezë të vrarë gjatë tri javësh luftëIzraeli u ka bërë thirrje civilëve në veri të Gazës - në qendër të forcave të Hamasit - që për sigurinë e tyre të evakuohen në jug, ndonëse edhe jugu është goditur nga sulmet ajrore izraelite ku janë vrarë dhe plagosur civilë.
OCHA thotë se strehimoret janë të mbipopulluara gati katër herë më shumë sesa kapaciteti i tyre, me dhjetëra mijëra banorë të tjerë të Gazës që po strehohen në spitale.
Spitalet
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se më shumë se një e treta e 35 spitaleve të Gazës nuk funksionojnë dhe ato të cilat janë ende funksionale raportojnë për mungesë të karburantit që kanë ulur ndjeshëm furnizimin e tyre me energji elektrike.
Sipas OBSH-së, spitali i Miqësisë Turko-Palestineze në qytetin e Gazës, i cili trajton pacientët me kancer, ka mbetur pa karburant dhe nuk është më funksional.
SHIKONI EDHE: Rrëfime nga mjekët në Gazë: Pa drita, pa shtretër, pa barnaNë mungesë karburanti, ekipet e shpëtimit nga Mbrojtja Civile Palestineze janë detyruar ta kufizojnë punën me autoambulanca, duke bërë që viktimat dhe të plagosurit të barten për në spitale me karroca me gomarë.
Dorëzimi i ndihmave
Të paktën 10 kamionë dërguan ndihma në Gaza, përfshirë ujë, ushqim dhe ilaçe përmes pikëkalimit Rafah mes Egjiptit dhe Gazës më 1 nëntor, duke e çuar numrin e përgjithshëm të kamionëve në 227, prej rihapjes së kufizuar të pikëkalimit më 21 tetor, tha OCHA.
Por, dërgesat e ndihmave humanitare nga jugu për njerëzit e zhvendosur në veri, sipas saj, u ndalën pas pushtimit tokësor nga Izraeli.
SHIKONI EDHE: OKB: Gaza ka nevojë për 100 kamionë ndihma humanitare në ditëUji
Sipas OCHA-s, një nga tri linjat e furnizimit me ujë të Gazës nga Izraeli është lëshuar për herë të parë që nga 8 tetori. Dy impiante për shkripëzimin e ujit të detit funksionojnë me 40 për qind të kapacitetit të tyre dhe disa puse janë në funksion, duke u mundësuar disa familjeve të marrin ujë për disa orë në ditë, përveç furnizimi të kufizuar me ujë nga kamionët humanitarë.
Karburanti
Grupet humanitare thonë se karburanti nevojitet urgjentisht në mënyrë që të shpërndahen ndihmat, si dhe të bëhet furnizimi me rrymë për spitalet, furrat e bukës dhe impiantet e shkripëzimit. Por, hyrja e karburantit mbetet e ndaluar nga Izraeli, i cili thotë se mund të përdoret nga Hamasi për qëllime ushtarake.
Përgatiti: Gentiana Kadrija