Ndërlidhjet

Mbi 3.600 fëmijë palestinezë të vrarë gjatë tri javësh luftë


Një palestinez mban në duar djalin e tij të vogël që u vra gjatë sulmeve ajrore në Han Jonis të Rripit të Gazës, para varrimit të tij më 29 tetor.
Një palestinez mban në duar djalin e tij të vogël që u vra gjatë sulmeve ajrore në Han Jonis të Rripit të Gazës, para varrimit të tij më 29 tetor.

Më shumë se 3.600 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditët e para të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Ata janë goditur nga sulmet ajrore, nga raketat e lëshuara gabimisht nga militantët, janë djegur nga shpërthimet dhe janë shtypur nga rrëzimi i ndërtesave, tha ministria. Po ashtu, sipas kësaj ministrie, në mesin e viktimave ka të porsalindur dhe fëmijë të vegjël.

Pothuajse gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh në Rripin e Gazës janë nën moshën 18-vjeçare dhe fëmijët përbëjnë 40 për qind të personave që janë vrarë deri më tani gjatë luftës. Sipas analizës që AP i ka bërë të dhënave të publikuara javën e kaluar nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë, deri më 26 tetor, 2.001 fëmijë të moshës 12 vjeç dhe më poshtë ishin vrarë, përfshirë edhe 615 fëmijë që ishin 3 vjeç apo më të vegjël.

“Kur shtëpitë shkatërrohen, ato shemben në kokat e fëmijëve”, tha të mërkurën shkrimtari Adam al-Madhoun, teksa po qëndronte në një spital në Gazë me vajzën e tij katërvjeçare. Ajo i mbijetoi një sulmi ajror, në të cilin iu këput krahu i djathtë, iu shtyp këmba e majtë dhe pësoi çarje të kafkës.

Izraeli tha se sulmet ajrore shënjestrojnë caqet e militantëve të Hamasit dhe infrastrukturën dhe ka akuzuar grupin se po përdor civilët si mburoja njerëzore. Po ashtu tha se mbi 500 raketa të militantëve, gabimisht kanë goditur caqe në Gazë, duke vrarë një numër të panjohur të palestinezëve.

Sipas Save të Children më shumë fëmijë janë vrarë gjatë tre javëve në Gazë sesa në të gjitha konfliktet në mbarë botën në tre vjetët e fundit. Për shembull, sipas kësaj organizate, 2.985 fëmijë janë vrarë në dhjetëra zona të konfliktit gjatë vitit të kaluar.

“Gaza është shndërruar në varrezë për mijëra fëmijë”, tha James Elder, zëdhënës i UNICEF-it, agjencisë për fëmijë të Kombeve të Bashkuara.

“Është mallkim të jesh prind në Gazë”, tha Ahmed Modawikh, nga qyteti i Gazës, jeta e të cilit është shkatërruar pasi vajza e tij 8-vjeçare u vra gjatë luftimeve pesëditore në muajin maj.

Edhe fëmijë izraelitë janë vrarë. Gjatë sulmit brutal të Hamasit më 7 tetor në qytetet jugore izraelite – sulm që nxiti luftën – sulmuesit vranë mbi 1.400 persona. Në mesin e viktimave kishte edhe foshnja dhe fëmijë të vegjël, kanë thënë zyrtarët izraelitë, edhe pse nuk kanë ofruar shifra të sakta. Afër 30 fëmijë po ashtu janë në mesin e 240 pengjeve që i ka marrë Hamasi.

Përderisa sulmet ajrore izraelite po godasin Gazën, fëmijët palestinezë së bashku me familjarët e tyre po fshihen në banesa apo në strehimore që udhëhiqen nga OKB-ja. Edhe pse Izraeli u ka kërkuar palestinezëve që të largohen nga veriu për në jug të Gazës, asnjë vend në këtë territor duket se nuk është i sigurt nga sulmet ajrore.

Izraeli fajëson Hamasin për numrin e viktimave në Gazë, që tashmë ka arritur në mbi 8.800, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Izraeli ka argumentuar se grupi militant operon nga lagjet ku jetojnë civilët. Por, palestinezët kanë thënë se numri i lartë i viktimave është dëshmi se sulmet izraelite janë pa dallim.

Sipas mjekëve, si pasojë e luftës, mbi 7.000 fëmijë palestinezë janë plagosur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG