Çfarë është skema e “qyteteve sfungjerë” në Kinë?

Fotografi e 1 gushtit, kur disa njerëz janë evakuuar nga provinca Hubei, për shkak të shirave të rrëmbyeshëm.

Reuters

Kina është goditur nga disa vërshime shkatërruese në javët e fundit, duke shkaktuar vdekje dhe dëme të mëdha në infrastrukturë.

Kjo situatë i ka ngjallur dilemat nëse është duke pasur efekt iniciativa e vitit 2015 me "qytetet sfungjerë", të cilat mëtojnë të zvogëlojnë rrezikun nga vërshimet në zonat urbane.

Iniciativa është lansuar për të rritur qëndrueshmërinë në qytetet e mëdha dhe për ta përdorur më mirë ujin e shiut përmes qasjeve arkitekturore dhe inxhinierike.

Rrugë e përmbytur pas shirave të dendur në Zhuozhou, në provincën Hebei të Kinës, 2 gusht 2023.

Megjithatë, qytetet në Kinë vazhdojnë të jenë shumë të cenueshme ndaj shirave të rrëmbyeshëm.

Vetëm në muajin korrik, vërshimet dhe katastrofat gjeologjike kanë shkaktuar 142 vdekje, i kanë shkatërruar 2.300 shtëpi dhe kanë shkaktuar humbje direkte ekonomike prej 2.19 miliardë dollarëve, ka thënë Ministria për Emergjenca e Kinës.

Pse është lansuar skema e "qyteteve sfungjerë"?

Kina ka tentuar vazhdimisht ta përmirësojë mënyrën se si përballet me mot ekstrem, për t’i bërë qytetet të banueshme dhe më pak të cenueshme ndaj vërshimeve dhe thatësisë.

SHIKONI EDHE: Tajfuni Doksuri godet Kinën me erëra të forta dhe shi

Iniciativa “qytet sfungjer” është dizajnuar për t’i aplikuar më shumë “zgjedhjet me bazë në natyrë”, për ta shpërndarë më mirë ujin dhe për ta përmirësuar akumulimin dhe kanalet e kullimit.

Iniciativa ka nënkuptuar përdorimin e asfaltit të depërtueshëm, ndërtimin e kanaleve të reja dhe përmirësimin e ligatinave, me qëllim të rregullimit të ambientit urban.

Mirëpo, urbanizimi në Kinë ka nënkuptuar se në rajone të mëdha ka beton të papërshkrueshëm nga uji, sidomos afër lumenjve që shpesh janë përmbytur.

Duke marrë parasysh edhe sasinë më të madhe sesa duhet nëpër ligatina, përhapja e ujit ku nuk duhet, ka qenë e pashmangshme.

Sipas të dhënave të vitit 2018, 641 prej 654 qyteteve të vogla dhe të mesme në Kinë janë të cenueshme nga vërshimet, dhe 180 prej tyre regjistrojnë kërcënim nga vërshimet çdo vit.

Ekipet e shpëtimit që punojnë në një fshat të përmbytur pas shirave të dendur në Zhuozhou, Kinë, 2 gusht 2023.

Çfarë është bërë deri më tani?

Studimet kanë treguar se shumë prej iniciativave lokale të testuara, kanë pasur efekt pozitiv, duke përfshirë aty çatitë e gjelbra dhe ristrukturimin e oborreve për t’i zvogëluar rrjedhjet.

Mirëpo, faza e implementimit ka çaluar.

Një total prej 30 qytetesh janë përzgjedhur më 2015 dhe 2016 për ta testuar skemën.

Por, vitin e kaluar, vetëm 64 prej 654 qyteteve kineze e kanë ndryshuar legjislacionin për ta zbatuar skemën e "qytetit sfungjer", kanë thënë hulumtuesit.

Sipas tyre, Qeveria ka ndarë “vëmendje minimale” për realizim të skemës, ndonëse ka bërë thirrje për hartim të legjislacionit kombëtar, sa më shpejt që është e mundur.

Cilat janë kufizimet e "qyteteve sfungjerë"?

Edhe nëse zbatohen të gjitha masat e përcaktuara për "qytetet sfungjerë", ato prapëseprapë nuk do të mund t’i parandalonin fatkeqësitë natyrore të këtij viti.

Një burrë me një fëmijë në krahë duke ecur nëpër një urë të dëmtuar pas shirave dhe përmbytjeve në Zhuozhou, provinca Hebei, Kinë, 7 gusht 2023.

Zhengzhou në provincën Henan, ka qenë një prej vendeve më entuziaste për jetësim të skemës, duke i ndarë më shumë se 8 milionë dollarë për programin në periudhën 2016-2021.

Megjithatë, qyteti nuk ka arritur t’i kontrollojë shirat më të rrëmbyeshëm ndonjëherë, të regjistruar më 2021.

Ekspertët besojnë se infrastruktura e "qytetit sfungjer" mund të përballojë vetëm rreth 200 milimetra të shiut në ditë.

Kur stuhitë e kanë goditur Pekinin në fund të korrikut, në një pjesë të qytetit reshjet kanë shkuar në 745 milimetra brenda tri ditëve e gjysmë.

Në korrik të vitit 2021, Zhengzhou ka regjistruar reshje përtej 200 milimetrave brenda vetëm një ore.

Për më shumë, autoritetet janë duke u vënë në lojë edhe nga ndryshimet klimatike.

Shirat e këtij viti i kanë goditur rajonet veriore, ku zhvillimi i "qyteteve sfungjerë" ka qenë më i vogël.

Përgatiti: Krenare Cubolli