Tajfuni Doksuri e ka goditur pjesën lindore të Kinës në orët e hershme të 28 korrikut, duke sjellë erëra të forta dhe reshje të dendura shiu në zonat bregdetare. Tajvani i ka shpëtuar kësaj stuhie vdekjeprurëse, që paraprakisht kishte goditur Filipinet.
Shpejtësia e erës arriti deri në 175 kilometra në orë, ndërsa stuhia arriti në brigjet e provincës Fujian rreth orës 10:00 të mëngjesit sipas kohës lokale, tha transmetuesi shtetëror kinez CCTV.
Frika që banorët mund të rrezikohen dhe pronat të shkatërrohen bëri që Observatori kombëtar i motit ta kthejë “alarmin e kuq” më masat më të ashpra në sistemin e tij.
Disa fotografi të shpërndara në rrjete sociale tregonin erëra të fuqishme që godisnin blloqet e ndërtesave të banimit në Jinjiang, një zonë urbane në jug të qytetit Quanzhou.
Pamjet e drejtpërdrejta të transmetuara nga CCTV shfaqën një gazetar që kalonte nëpër rrugët e përmbytura, të rrethuara nga disa pemë të rrëzuara, duke paralajmëruar shikuesit nga kjo zonë të qëndrojnë në shtëpi përveç për raste urgjente.
Ndërkohë, disa video ku shiheshin valë të mëdha në bregdet u postuan në platformën Weibo nga People's Daily të mbështetur nga autoritetet kineze.
Tajfuni i fuqishëm Doksuri pritet të vazhdojë të lëvizë në veriperëndim drejt Kinës qendrore ndërsa intensiteti i tij gradualisht dobësohet.
Por agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua raportoi se stuhitë do të prekin “rajonet bregdetare të Tajvanit, Fujian, Zhejiang dhe Guangdong” deri në orën 8 të mëngjesit të së shtunës, sipas kohës lokale.
Qeveritë lokale dhe autoritetet e transportit u këshilluan të marrin masa paraprake pasi sistemet e kullimit dhe rrugët pritet të ndikohen nga shirat e dendur, raportoi Xinhua.
Doksuri goditi pjesën veriore Filipineve më 26 korrik, duke rrëzuar pemë dhe shtylla të energjisë dhe duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike, si dhe rrëshqitje të dheut dhe përmbytje.
Numri i të vdekurve në Filipine është rritur në 13, me 21 të tjerë që janë ende të zhdukur, përfshirë katër shpëtimtarë të rojës bregdetare, tha më 28 korrik agjencia kombëtare e fatkeqësive.