Çfarë do të thotë për Kosovën mbështetja e SHBA-së?

Një burrë duke ecur mbrapa mbishkrimit “Faleminderit NATO” dhe "Faleminderit SHBA", si dhe flamurit amerikan në Stagovë, vendbanim në Kaçanik, Kosovë.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Ndër temat më të diskutuara të kësaj jave është partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, i cili, sipas Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, është vënë në pikëpyetje për shkak të vendimit të Kosovës që e ndalon përdorimin e dinarit serb.

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!


Mbi 2 miliardë dollarë – kjo është shuma që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë për Kosovën, që nga viti 1998.

Mbështetja amerikane ka qenë vendimtare për nisjen e bombardimeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 1999, dhe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë.

Uashingtoni ka qenë ndër të parët që e ka njohur shtetësinë e Kosovës, më 2008.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e përsërisin shpesh që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.

Megjithatë, në disa raste, viteve të fundit, raportet me Uashingtonin janë tendosur.

Mospajtimet për dinarin serb

Shtetet e Bashkuara, aktualisht, po kërkojnë pezullimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që e bën euron valutë të vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

Zyrtarët amerikanë shqetësohen se me rregulloren e re të BQK-së mund të dëmtohen pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, të cilët e përdorin valutën e Serbisë, dinarin.

Beogradi ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, është shprehur qartë se mungesa e koordinimit po i rrezikon marrëdhëniet SHBA-Kosovë.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë O’Brien për Zërin e Amerikës.

Pas kësaj deklarate, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk ka aleate dhe mike më të rëndësishme se SHBA-në.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, në Davos të Zvicrës, në janar të këtij viti.

Dallimet e mëparshme

Në maj të vitit 2023, Kosova është përjashtuar nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe ‘23”, pasi nuk e ka dëgjuar këshillën e SHBA-së për hapa drejt uljes së tensioneve në veri të vendit.

SHBA-ja pati thënë se nuk ka entuziazëm për të reaguar ndaj interesave të Kosovës, përfshirë angazhimin me vendet mosnjohëse dhe avancimin e Kosovës në rrugën euroatlantike.

Në marsin e vitit 2020, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) e Qeverisë amerikane pati pezulluar fonde në vlerë të 50 milionë dollarëve për programe të zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Shkak ishte bërë një vendim i ekzekutivit të atëhershëm, i udhëhequr nga Ramush Haradinaj, për vendosjen e tarifave ndaj mallrave serbe.

Pas shfuqizimit të vendimit nga qeveria pasuese, MCC-ja e pati rifilluar programin e ndihmave.

Për shkak të vendimit për taksën, zyrtarët amerikanë patën anuluar vizita dhe pjesëmarrjen e Kosovës në disa programe.

Disa senatorë edhe e patën vënë në pikëpyetje ekzistencën e bazës ushtarake amerikane Bondsteel në Kosovë.

Amerika i ka trupat e veta ushtarake në Kosovë, të angazhuara në misionin e NATO-s, KFOR, ndërsa Bondsteel-i është baza e saj më e madhe ushtarake në vend.

Ushtarë amerikanë me pjesëtarë të FSK-së në një ushtrim të përbashkët.

Si angazhohet SHBA-ja në Kosovë?

Janë dy institucione që Uashingtoni përdor për t’u angazhuar në Kosovë: Ambasadën e tij në Prishtinë, dhe Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

SHBA-ja synon ta përmirësojë fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, ta ndihmojë atë të ketë rritje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të sigurojë që Kosova të kontribuojë pozitivisht në stabilitetin rajonal – duke përfshirë transformimin e sektorit të sigurisë, luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, promovimin e të drejtave të pakicave dhe integrimin në struktura euroatlantike.

Vetëm në shtator të 2023-tës, USAID-i ka ndarë një grant prej 35 milionë eurosh për Kosovën, për ta ndihmuar në fushën e integrimeve.

Ndër vite, programet e agjencisë u janë dedikuar luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë; luftës kundër dezinformimit dhe avokimit për media të pavarura; programeve dhe bursave të ndryshme në fushën e edukimit; fuqizimit të shoqërisë civile dhe rritjes së demokracisë; si dhe zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes së investimeve të huaja.

Një banakier shihet duke e vendosur flamurin amerikan afër fotografisë së Joe Bidenit, pak pasi ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Nëpër disa sondazhe, Kosova ishte renditur në mesin e vendeve më proamerikane në botë.

Forcimi i FSK-së

Ndonëse NATO-ja e pati kundërshtuar më 2018 vendimin e Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, SHBA-ja e ka mbështetur këtë proces dhe ka punuar në avancimin e kësaj force.

Ambasadori i atëhershëm amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, pati deklaruar se “është e natyrshme për Kosovën, si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse”.

Më 2021, në bashkëpunim me SHBA-në, kontingjenti i parë i FSK-së mori pjesë në një mision paqeruajtës jashtë vendit.

Po atë vit, SHBA-ja i dhuroi Kosovës një donacion prej 55 automjetesh ushtarake.

Flamuri i Kosovës dhe ai i SHBA-së shihen para ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në cermoninë e dhënies së donacionit amerikan. Gusht, 2021.

A mund të ndalet ndihma amerikane?

Profesori i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins, David Kanin, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk e përjashton mundësinë e sanksioneve pas mospajtimeve të fundit për dinarin.

Megjithatë, ai ka theksuar se SHBA-ja “nuk do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën”.

Kanin ka thënë se nuk beson që do të ndryshojnë pohimet e SHBA-së se është mbrojtëse e Kosovës.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.