Çekia ndalon pjesëmarrjen e atletëve rusë në garat lokale

Atletët rusë pas humbjes në kampionatin botëror të hokejit mbi akull ndaj ekipit kanadez. Fotografi nga arkivi.

Qeveria çeke tha se ka ndaluar të gjithë atletët që përfaqësojnë Rusinë të marrin pjesë në garat lokale, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Në deklaratën e saj thuhet se Qeveria çeke ndalon “pjesëmarrjen e sportistëve individualë dhe të ekipeve sportive që përfaqësojnë Federatën Ruse në garat sportive dhe lojërat e organizuara në tokën çeke”.

Po ashtu, atletët dhe ekipet që përfaqësojnë Republikën Çeke, nuk duhet të marrin pjesë në garat e zhvilluara në Rusi.

Ky vendim u mor pas kërkesës së shoqatave sportive çeke.

Më parë, lojtarët çekë të hokejit mbi akull, që garonin në Ligën e Hokejit Kontinental, me bazë në Rusi, nuk mund të luanin për ekipin kombëtar çek.

SHIKONI EDHE: Ukraina bojkoton garat në xhudo shkaku i atletëve rusë

Por, ndalesa aktuale do të aplikohet për të gjitha sportet dhe atletët që garojnë nën flamurin rus dhe çek.

Ende nuk ka informacione nëse kjo ndalesë do të prekë edhe atletët bjellorusë.

Komiteti Olimpik çek ka deklaruar më herët gjatë këtij viti se ishte kundër lejimit të pjesëmarrjes së atletëve rusë dhe bjellorusë në Lojërat Olimpike në Paris më 2024, nën flamurin neutral.

Çekia, shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, i ka ofruar Ukrainës ndihmë të konsiderueshme ushtarake dhe humanitare pasi Rusia nisi pushtimin e fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.