Ndërlidhjet

Ukraina bojkoton garat në xhudo shkaku i atletëve rusë


Xhudistja ukrainase, Daria Bilodid, gjatë gjysmëfinales në Lojërat Olimpike "Tokio 2020".
Xhudistja ukrainase, Daria Bilodid, gjatë gjysmëfinales në Lojërat Olimpike "Tokio 2020".

Atletët ukrainas do ta bojkotojnë Kampionatin Botëror të Xhudos, që do të zhvillohet këtë muaj në Katar, shkaku i shqetësimeve lidhur me pjesëmarrjen e atletëve rusë dhe bjellorusë.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) vendosi t’i lejojë atletët nga Rusia dhe Bjellorusia të garojnë si neutralë.

Vendimi do t’i lejojë xhudistët nga këto vende të marrin pjesë në kualifikimet për Lojërat Olimpike 2024.

“Ne kemi vendosur të mos marrim pjesë në Kampionatin Botëror”, tha të hënën Federata e Xhudos e Ukrainës.

Muajin e kaluar, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar rekomandoi që atletët rusë dhe bjellorusë të lejohen të garojnë nën një flamur neutral. Por, vendimi lidhur me pjesëmarrjen e tyre në Lojërat Olimpike Paris 2024 nuk është marrë ende.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar rekomandoi gjithashtu që atletët dhe stafi i tyre që mbështesin në mënyrë aktive luftën në Ukrainë, ose që janë të kontraktuar me ushtrinë, të mos lejohen të konkurrojnë.

Megjithatë, Federata e Xhudos e Ukrainës pretendon se një numër i xhudistëve rusë të regjistruar për Kampionatin Botëror të Xhudos, i cili do të zhvillohet nga 7 deri më 14 maj, janë “ushtarakë aktivë”.

“Ne nuk shohim neutralitet, kushte të barabarta dhe një ‘urë drejt paqes’, siç thuhet në Rezolutën e IJF-së për pjesëmarrjen e ekipeve ruse dhe bjelloruse në Kampionatin Botëror në Doha”, tha Federata ukrainase.

“Ne këtu shohim një vendim që bie ndesh me rekomandimet e fundit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Jemi të zhgënjyer me vendimin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos”, thuhet tutje në deklaratë.

IJF-ja tha se e ka kontraktuar një kompani të pavarur për ta kontrolluar historikun e atletëve rusë dhe bjellorusë me “referencë specifike për propagandën e mundshme të luftës”.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, IJF e hoqi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nga pozita e tij si president nderi dhe e anuloi një garë Grand Slam në Kazan të Rusisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG