A e shkeli Kosova CEFTA-n me taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës? 

Pamje nga një mbledhje e Qeverisë së Kosovës.

Vendosja e taksës doganore prej 10 për qind për mallrat që importohen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, kryesisht është mirëpritur nga përfaqësuesit e bizneseve prodhuese dhe Oda Ekonomike e Kosovës.

Ndërkohë që reagime të ashpra kundër kësaj mase kishte në Beograd dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Indiferentë në këtë aspekt nuk ishte as Bashkimi Evropian, duke ngritur shqetësime se po shkelet Marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA.

CEFTA është një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar nga ana e Bashkimit Evropian me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është anëtare e këtij mekanizimi që nga viti 2007.

SHIKONI EDHE: BE i kërkon sqarim Kosovës për tarifat në mallrat e Serbisë dhe Bosnjës

Flamur Keqa, ish-drejtor i Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në vitin 2011, kur Kosova ka menaxhuar CEFTA -n, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka vepruar ashtu siç kanë vepruar edhe shtete tjera karshi saj.

“Realisht është bërë thuajse rutinë shkelja e marrëveshjes së CEFTA-s, kryesisht nga Serbia, e në këtë drejtim edhe Kosova ka të drejtë të mbrojë prodhimin e vetë, ekonominë e vetë. Në tërë këtë situatë, faj në Kosovë ka Qeveria, kanë bizneset por edhe vetë konsumatorët, pasi që secili prej tyre po kontribuon që mallrat nga serbe të shiten dhe konsumohen në Kosovë në masë të madhe”, theksoi Keqa.

SHIKONI EDHE: Daçiq: Taksa doganore e Kosovës, mesazh për BE-në

Ai tha po ashtu se Kosova si pjesëmarrëse e CEFTA-s ka përfituar më së paku në këtë drejtim dhe se barrierat në përqindje më të madhe i janë vendosur Kosovës nga shtetet tjera.

“Kosova kohë pas kohë ka vendosur disa masa reciprociteti të cilat kanë qenë afatshkurtër dhe nuk kanë pasur ndonjë efekt në praktikë. Në këtë drejtim, shteti i Kosovës nuk ka hartuar ndonjë strategji më serioze dhe profesionale në mënyrë që të jetë afatgjatë dhe do t’i mbronte interesat e ekonomisë dhe subjekteve ekonomike që veprojnë në Kosovë”, thotë Keqa.

Marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet fqinje, janë përcjellë në vazhdimësi me probleme të shumta. Barrierat tregtare që shtetet si Serbia dhe Bosnje e Hercegovina u kanë vënë produkteve nga Kosova, ka bërë që edhe Kosova të reagojë, duke vendosur masa reciprociteti.

SHIKONI EDHE: Haradinaj: Do të vazhdojmë përkrahjen ndaj prodhuesve vendorë

Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, patën ndaluar produktet e Kosovës në tregjet e tyre, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave nga ato të UNMIK-ut në Doganat e Kosovës.

SHIKONI EDHE: Bosnja nuk e njeh pavarësinë, por e lakmon tregun e Kosovës

Kjo gjendje kishte vazhduar deri në vitin 2011, kur Qeveria e Kosovës pati vendosur masa të plota reciproke për produktet e Serbisë, ndërsa taksë doganore prej 10 për qind për të gjitha mallrat që vinin nga Bosnja e Hercegovina.

Këto dy shtete vazhdojnë edhe sot t’u paraqesin kohë pas kohë barriera produkteve “Made in Kosova” [Prodhuar në Kosovë].

SHIKONI EDHE: Efektet e taksave për importet nga Serbia

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë kanë përkrahur vendimin e Qeverisë së Kosovës për masa mbrojtëse ndaj importeve dhe se sipas tyre, ky vendim duhet të mbetet në fuqi për një periudhë afatgjate, pavarësisht reagimeve të zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se Bashkimi Evropian në raport me marrëveshjet ndërkombëtare duhet të ndryshojë.

Ai thotë se duhet të trajtohen të gjithë dhe të ushtrohet presion mbi të gjithë dhe jo vetëm në rastet kur Kosovë merr vendime të tilla.

“Problemet në zbatimin e CEFTA-s qëndrojnë te barrierat jotarifore. Ne më së paku besoj e kemi shkelur – minimum ka pasur ankesa. Ndërsa, nëse i shikojmë tregjet përreth, gjithkund jemi ballafaquar me këto barriera jotarifore dhe asnjëherë Brukseli, në asnjë instancë nuk ka reaguar fuqishëm, po dhe për cenimin e të drejtës së barabartë për të shfrytëzuar këtë marrëveshje (CEFTA-n)”, thotë Rukiqi.

Edhe kryetari i Klubit të Prodhuese, Astrit Panxha thotë se Bashkimi Evropian do të duhej të reagonte në Serbi dhe jo në Kosovë.

“Brukseli e ka adresën e gabuar në Prishtinë, duhet të shkojë në Beograd të kërkojë llogaridhënie nga ata pse nuk i respektojnë marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën sa i përket tregtisë. BE-ja është themeluar në tri parime: lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave dhe kapitalit. Kosova në marrëdhëniet me Serbinë i ka të hapura të tri këto shtylla, ndërsa Serbia e bllokon Kosovën në tri këto shtylla”, thekson Panxha.

SHIKONI EDHE: Vështirësitë e Kosovës në integrimin ekonomik rajonal

Ndryshe, importuesi më i madh në Kosovë, i gati të gjitha produkteve mbetet Serbia. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, vetëm vitin e kaluar rreth 450 milionë euro është vlera e produkteve të importuara nga ky shtet. Kurse 48 milionë euro është shuma e produkteve të Kosovës të eksportuara në tregun e Serbisë.

Ndërkaq, importi i produkteve të Bosnjë Hercegovinës vitin e kaluar ka qenë 81 milionë euro, ndërkaq vlera e produkteve të Kosovës të eksportuara në këtë shtete është 8.7 milionë euro.