Ndërlidhjet

Bosnja nuk e njeh pavarësinë, por e lakmon tregun e Kosovës


Produkte qumështi nga Bosnja
Produkte qumështi nga Bosnja

Mosnjohja e shtetit të Kosovës dhe aplikimi i regjimit të vizave janë pozicione të pandryshueshme të Bosnjë e Hercegovinës në raport me Kosovën. Por, një sjellje krejt ndryshe ndërmjet këtyre dy vendeve kemi atëherë kur bëhet fjalë për interesin dhe bashkëpunimin ekonomiko-tregtar.

Bosnja e Hercegovina dhe Serbia janë dy shtetet e vetme të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Zyrtarë të Qeverisë se Kosovës thonë se viteve të fundit është përmirësuar bilanci tregtar ndërmjet këtyre dy shteteve.

Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thote për Radion Evropa e Lirë, se viteve të fundit ka një trend pozitiv edhe të rritjes se eksporteve të mallrave nga Kosova në drejtim të Bosnjës e Hercegovinës.

“Në vitin 2015 Kosova ka eksportuar në Bosnjë e Hercegovinë rreth 5.5 milionë euro, në vitin 2016 kjo shifër është rritur në 8.4 milionë euro, kurse vitin e kaluar rreth 9 milionë euro”.

“Ndërkaq, importi i produkteve të Bosnjës në tregun e Kosovës, në vitin 2015, ka qenë 75 milionë euro, në vitin 2016 , 79 milionë euro, kurse në vitin 2017 kemi 81.5 milionë euro”, bën të ditur Dervisholli.

Në mesin e shumë produkteve që importohen në Kosovë, qumështi dhe produktet e tij ishin dhe mbeten ende si një nga importet problematike. Të paktën, kështu theksojnë prodhuesit vendorë në Kosovë.

Pavarësisht marrëdhënieve të mira tregtare, disa prodhues kosovarë, ka kohë që po kërkojnë nga autoritetet kompetente marrjen e masave ndaj produkteve të qumështit që vijnë nga Bosnja e Hercegovina, për shkak që, sipas tyre, në tregun e Kosovës, po hyjnë me çmim më të ulët se sa që shitet në shtetin e tyre.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë një hulumtim lidhur më këtë çështje dhe ka ardhur në përfundim se importi i produkteve të qumështit është rritur mbi masën 20 për qind, çka vlerësohet se kërcënon t’u shkaktojë dëme serioze prodhuesve vendorë.

Produkte nga Bosnja
Produkte nga Bosnja

Për këtë çështje, Dervisholli tregon se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në muajin prill ka vendosur masa të përkohshme mbrojtëse, duke aplikuar taksën prej 17 për qind për të gjitha produktet e qumështit me origjinë nga Bosnja e Hercegovina.

“Në bazë të informatave që kemi deri më tani, ky vendim nuk është zbatuar ende. Arsyet nuk i dimë. Tashmë i ka tejkaluar kompetencat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. E gjithë ajo që është varur nga Ministria, ka shkuar konform ligjeve në fuqi. Prandaj, ka mbetur përgjegjësi tek institucionet relevante që ta zbatojnë këtë vendim”, thekson Dervisholli.

Moszbatimi i këtij vendimi ka zhgënjyer Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit në Kosovë. Ramadan Memaj, kryetar i kësaj shoqate, thotë për Radion Evropa e Lirë se moszbatimi i vendimit po ndodh për shkak të grupeve të ndryshme të interesit.

“Ne dyshojmë se prapa këtyre bllokimeve të këtyre vendimeve qëndron skena korruptive dhe grupe të ndryshme të interesit, të cilat nuk po e lejojnë zbatimin e këtij ligji”, thotë Memaj.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, kanë deklaruar se vendimet e tilla mund të zbatohen vetëm kur të vendosë Qeveria e Kosovës.

Ndryshe, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Sarajeva zyrtare nuk i ka njohur vulat e Doganave të Kosovës, çka kishte nxitur kundërpërgjigjen e Qeverisë së Kosovës me vendosjen e taksës doganore prej 10 për qind për të gjitha produktet nga Bosnja.

Ky vendim, ishte vlerësuar se i kishte shkaktuar humbje enorme ekonomisë së Bosnjës, duke e “obliguar” Këshillin e Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës për të dhënë miratimin për pranimin e vulave doganore të Kosovës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG