Historiani dhe publicisti kosovar, Jusuf Buxhovi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë kujton qëndrimet politike të shkrimtarit austriak, Peter Handke, i cili të enjten u shpërblye me Çmimin Nobel për Letërsi. Në takimet që ka pasur me të, Buxhovi thotë se ai vazhdimisht e mbronte politikën e Millosheviqit. Por, thekson Buxhovi, në aspektin letrar, Handke njihet si një nga prozatorët më të mirë bashkëkohorë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Buxhovi, shkrimtari austriak, Peter Handke, u shpall të enjten fitues i Çmimit Nobel për Letërsi. Si e komentoni ju këtë vendim, marrë parasysh se Handke njihet edhe si figurë kundërthënëse? Mes tjerash, ai ka marrë pjesë në varrimin e Sllobodan Millosheviqit.
Jusuf Buxhovi: Akademia e Shkencave e Suedisë ndan Çmimin Nobel për të arritura letrare, në bazë të kritereve të veta. Në këtë kuptim, mendoj se nuk mund t’i bëhen vërejtje asaj, sepse Handke si shkrimtar është i mirë, është një ndër shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë në gjuhën gjermane.
SHIKONI EDHE: Olga Tokarczuk dhe Peter Handke fitojnë Nobel për LetërsiRadio Evropa e Lirë: Domethënë, ju e njihni punën e tij. Çfarë shkruan Handke?
Jusuf Buxhovi: Është një prozator shumë i mirë. Edhe në arsyetimin e Akademisë së Shkencave përmendet shumëllojshmëria e tij e gjuhës. Por, natyrisht se duhet të flitet edhe për aspektin politik. Siç e thatë edhe ju më herët, ai ka qenë i angazhuar gjithë kohën në anën e Millosheviqit, para, gjatë dhe pas ofensivave të tij. Pra, ka qenë një militant i politikës së Millosheviqit. Handke e ka nënën sllovene. Dy-tri herë, në esetë e tij, në shkrimet e tij, ka thënë se e ndjen veten sikur të ishte serb. Edhe në librin e tij të fundit, për të cilin është polemizuar mjaft, thotë se Serbisë i është bërë e padrejtë, se serbët janë popull që meritojnë vëmendje… Këtu dua të them se Akademia e Shkencave objektivisht e respekton aspektin letrar, megjithatë nuk mund të ndahet as kjo pjesë. Handke ka pasur kritika dhe vërejtje edhe nga vetë shkrimtarë të njohur gjermanë, si Gunter Grass e tjerë.
Radio Evropa e Lirë: Ju e keni takuar Handken? Si e njihni ju?
Jusuf Buxhovi: E kam takuar disa herë. Si korrespondent i Rilindjes në Gjermani, diku në vitet ’85 - ’86, kam qenë me të në një mbledhje, ku ka marrë pjesë edhe Guneter Grass. Grass ka qenë shumë i ashpër ndaj tij, sepse edhe atëherë ai ishte mbështetës i Millosheviqit. E kam takuar edhe në vitin ’88 apo ’89 në Panair të Librit në Frankfurt. Aty kishte një konferencë për shtyp dhe po ashtu mbronte politikën e Millosheviqit. Dhe, e kam takuar në vitin 2003 apo 2004 kur ka marrë një shpërblim shumë reprezentativ nga Panairi i Frankfurtit. Edhe aty hapur ka thënë se bombardimi që i është bërë Serbisë, ka qenë i njëanshëm dhe nuk i përfillte fare argumentet se bëhet fjalë për mbrojtjen e një populli kundër gjenocidit.
SHIKONI EDHE: Çmimet Nobel: Spekulimet për Gretën dhe dyshen e letërsisëRadio Evropa e Lirë: Handke në një intervistë për gazetën amerikane New York Times, në vitin 2006, ka thënë se mendon se “nuk ka gjasa për Nobelin pas deklaratave të tij për Jugosllavinë”. Duket se as ai vetë nuk e ka pritur…
Jusuf Buxhovi: Ai gjithë kohën ka qenë propagandist. Madje, mund të thuhet se ai nuk ka qenë ndër ata shkrimtarë që është blerë nga propaganda serbe. Ky ka menduar ashtu. Prej takimeve me të, unë mund të them se ai ka menduar sinqerisht në mënyrë më radikale sesa vetë radikalët serbë. Kjo është e çuditshme për një shkrimtar që jeton në Perëndim, që ka një kulturë tjetër dhe mbron një politikë hegjemoniste. Ka shkrimtarë të tillë, nuk është rast i veçuar. Është edhe Emir Kusturica një regjisor i mirë, që gjithë kohën e ka mbrojtur politikën e Millosheviqit. Por, ne duhet ta kemi parasysh se Akademia e Shkencave të Stokholmit i ka kriteret e veta.
Radio Evropa e Lirë: Ju, personalisht, e keni pritur se Handke mund të jetë një ditë laureat i Çmimit Nobel?
Jusuf Buxhovi: Unë nuk e kam menduar se do të jetë Laureat i Çmimit Nobel pikërisht për shkak të këtij qëndrimi. E përsëris se si shkrimtar është i mirë, ndër më të mirët në hapësirën gjermane. Ai është i Austrisë, por po flas për hapësirën gjuhësore gjermane. Është një ndër shkrimtarët më reprezentativë sot.