Me 63 vota për, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për buxhetin e vitit 2020.
Në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit, që nisi më 14 mars dhe përfundoi në orët e para të 15 marsit, Ligji për buxhetin u miratua pa praninë e partive opozitare.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi propozoi mocion që me procedura të përshpejtuara të shqyrtohet Projektbuxheti për vitin 2020, për shkak të situatës së krijuar pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirusin e ri.
Pasi shefat e grupeve parlamentare zhvilluan konsulta me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, partitë në pushtet, u kthyen në seancë dhe votuan mocionin për shmangie të procedurave. Mocioni u votua me 62 vota për, pa prezencën e opozitës, të cilët thanë se qeveria po mundohet ta shfrytëzojë situatën e krijuar me koronavirusin, për ta kaluar buxhetin.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi tha se buxheti për vitin 2020 parashikon një rritje prej 4,2 për qind, me po ashtu rritje të shpenzimeve të përgjithshme prej 12,7 për qind.
“Në projektbuxhetin 2020, kemi një rritje të të hyrave në krahasim me të hyrat totale të realizuara në vitin 2019 me 6,9 për qind ose një rritje prej 131 milionë euro. Kjo rritje është e parashikuar si për të hyrat tatimore ashtu edhe për ato jotatimore. Shpenzimet e përgjithshme pritet të rriten për 12,7 për qind në krahasim me shpenzimet e realizuara në vitin 2019. Deficiti buxhetor pritet të jetë 2 për qind ose 147 milionë euro. Në vitin 2020, parashikojmë një rritje ekonomike prej 4,2 për qind në terma real, ndërsa ai monimale rritja do të jetë mbi 5 për qind. Inflacioni është parashikuar të jetë 1,3 për qind në baza vjetore”.
Ministri Bislimi tha se aktivitetet ekonomike do të ndikohen për shkak të koronavirusit të ri.
“Përderisa trendet në aktivitetin ekonomik dhe të hyrat tatimore pritet të jetë negativ, kërkesa për shpenzime buxhetore janë në vazhdimësi në rritje. Këto kërkesa janë direkte për përballjen e stafit mjekësor me pasojat e virusit”, tha ministri Bislimi.
SHIKONI EDHE: Bizneset kërkojnë fond nga qeveria për të shmangur falimentiminEdhe Arben Gashi, shefi i Grupi Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se buxheti është mirë i formuar, ndërkaq shtoi se për vërejtjet që kanë në komisionet përkatëse do të bëjnë amendamentimin e Ligjit për buxhetin.
Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës,Bedri Hamza e ka konsideruar veprim jo të mirë, votimin e mocionit pa prezencën e opozitës. Për këtë arsye ai e ka quajtur trafikim të buxhetit, sepse tha ai, problem nuk është koronavirusi, por mospërgatitja me kohë e buxhetit të Kosovës.
“Qeverisë i kam treguar me kohë në mënyrën më të mirë dhe më të butë që ka mundur, por është vonuar me procedimin e buxhetit.Dhe problemi nuk është koronavirusi është mos përgatitja e buxhetit në kohë. E keni mbyll derën me Partinë Demokratike të Kosovës, për çështjet që ju duhet konsensusi”, tha Hamza.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj tha se ky buxhet “është masakruar” sa i përket projekteve infrastrukturore”.
“Mos u fshehin pas koronavirusit, se nuk është ajo arsyeja që jeni këtu. Është masakruar buxheti dhe nuk prita që do të ketë nevojë që të debatohet për këtë, por do të na jepni kohë që të bëjmë amendamentet në projektet e caktuar, i bindur që kryeministri dhe ministrat e kanë interes vital infrastrukturën në Kosovë, sidomos ato projekte që janë nisur nga kryeministri Isa Mustafa e që kanë vazhduar dhe më tej. Ligji për pagat nuk është në buxhet dhe ky do të jetë një problem shumë i madh”, tha ai.
Kosova pati hyrë në vitin 2020 pa buxhet të miratuar për shkak se në kohën kur ishte dashur të miratohet, Kosova nuk e kishte zgjedhur qeverinë e re e cila kishte dal nga zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.
Buxheti i Kosovës për vitin 2020 do të jetë 2,3 miliardë euro.