Vendimi i Bundestagut gjerman për të mbështetur hapjen e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, në samitin e tetorit, nga kryeministri Zoran Zaev shihet si mirënjohje për punën e bërë, por edhe si inkurajim për vendet tjera anëtare të BE-së, për t’i dhënë mbështetje hapjes së negociatave, më shumë se dhjetë vjet pas marrjes së statusit të shtetit kandidat.
Në fjalimin e mbajtur të enjten në mbrëmje në Kuvendin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, kryeministri Zaev tha se Maqedonia e Veriut do të vazhdoj të punojë për ta bindur unionin se meriton të jetë pjesë e familjes evropiane, ndërsa si kthesë të rëndësishme në hapjen e perspektivës evropiane përmendi zgjidhjen e kontesteve me shtetet fqinje.
“Sot kemi vetëm punë të mira nga zgjidhja e problemeve. Marrëveshja e Prespës së bashku me Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë ka përshpejtuar integrimin tonë në NATO dhe ka mënjanuar pengesat më të mëdha për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaroi kryeministri Zaev.
SHIKONI EDHE: Ofensivë diplomatike për nisjen e bisedimeve me BE-nëPresidenti Stevo Pendarovski tha gjithashtu se Maqedonia e Veriut “e meriton marrjen e datës pas shumë angazhimeve që ka bërë në dy vitet e fundit”, ndërsa sikurse edhe kreu i Qeverisë, edhe presidenti përmendi Marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit, politikën e fqinjësisë së mirë, por edhe kursin e reformave.
“Presim që Këshilli Evropian në tetor të valorizojë përpjekjet e shtetit tonë dhe do të konfirmojë rekomandimin e 10-të të Komisionit Evropian me caktimin e datës së bisedimeve për anëtarësim e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, thuhet në reagimin e presidentit Ivanov.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, në një prononcim për mediat tha se mbetet ende e paqartë se cili do të jetë vendimi final në tetor, pasi kjo varet nga harmonizimi ndërmjet shteteve anëtare, meqë, sipas tij, në rrjedhë janë dy procese - ai i debatit brenda BE-së për konsolidimin e unionit, si dhe çështja e zgjerimit.
Megjithatë, Zhbogar theksoi se rajoni do të kishte përfitime të mëdha nëse në tetor dy shtetet, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, marrin datën e bisedimeve.
“Mendoj se i gjithë rajoni do të ketë përfitime nëse dy shtetet nisin bisedimet, mendoj se kjo do të përçojë optimizëm në gjithë rajonin. Nga vendimi në tetor varet edhe ajo se si do të zgjidhen disa kriza në rajon, mendoj edhe në atë mes Kosovës dhe Serbisë. Vlerësoj se vendimi në tetor do të reflektohet edhe ndaj këtyre problemeve. Rajoni është I lidhur. Suksesi i njërit shtet do të ndikojë në suksesin e shtetit tjetër”, deklaroi Zhbogar.
SHIKONI EDHE: Reformat në drejtësi, të domosdoshme për datën e bisedimeve me BE-nëNë vendim e Bundestagut nuk theksohen kushte që duhet t'i përmbushë Maqedonia e Veriut para konferencës së parë ndërqeveritare, që de facto, shënon edhe fillimin e bisedimeve, por dokumenti më shumë i përkushtohet përmbajtjes së kornizës së bisedimeve, mbi të cilat do të zhvillohen ato.
Vendimi, gjithashtu, i jep të drejtë Qeverisë gjermane të bllokojë anëtarësimin përfundimtar të Maqedonisë së Veriut në BE, nëse nuk përmbushen kushtet për anëtarësim, që kryesisht kanë të bëjnë me gjyqësorin, administratën, liritë, sigurinë si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.