Reformat në drejtësi, respektivisht miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike, që pritet të zgjidhë edhe statusin e Prokurorisë Speciale, janë vendimtare për marrjen e datës së bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimit Evropian.
Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe të skenës ndërkombëtare duke komentuar porositë e qarta nga Brukseli dhe Uashingtoni, që i përcollën në Shkup, komisionari për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, dhe ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker.
Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve politike dhe të sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev është larg realizimit të pritjeve të qytetarëve për kthimin e drejtësisë apo sundimin e shtetit ligjor, që sipas tij, ishte kapur në skajshmëri nga pushteti i ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.
Dujoski thekson se fatkeqësisht edhe pushteti aktual, sipas tij, po dëshmon se pa një ndërhyrje të fuqishme nga jashtë vështirë se do të arrihen reformat e nevojshme për të ardhmen e vendit, apo kapërcimin e dallimeve mes partive për ndonjë marrëveshje të mundshme për Prokurorinë Publike.
“Për fat të keq ne në këto dy vjet që kur Zaev është në pushtet nuk kemi shënuar ndonjë përparim dhe sërish shohim se pa ndërmjetësim nga jashtë punët nuk na shkojnë si duhet. Pas këtyre vizitave dhe atyre që mund të ndodhin, pres që të kemi përparim dhe për dallim nga hera e fundit tani do t’u shmangemi bisedave të gjata e të mundimshme”, thotë Dujoski.
Ai, ndërkohë, thekson nevojën që institucionet të kryejnë detyrimet e tyre në funksion të përmbushjes së reformave, të domosdoshme për afrimin e vendit drejt BE-së.
“Kuptohet se e gjithë kjo mbështetje do të jetë e kotë pa reformat e nevojshme në sistemin e drejtësisë, në veçanti kur shohim se edhe Prokuroria Speciale, por edhe organet tjera të drejtësisë, janë vënë në pikëpyetje”, thotë Dujoski.
Ish-diplomati Muhamed Halili, i cili ka qenë edhe deputet në disa përbërje parlamentare, thekson rëndësinë që kanë reformat, jo vetëm në drejtësi, por edhe në sektorë të tjerë, që edhe dy vjet pas ndërrimit të pushtetit vazhdojnë të jenë të politizuara, apo në shërbim të politikës ditore. Ai beson në ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për kapërcimin e dallimeve mes partive, të cilat, siç thotë, prioritet kanë interesat e grupeve të caktuara se sa ato të qytetarëve.
“Konsideroj se realiteti është i tillë, pasi provat kanë treguar se kur bisedohet për çështje shumë të rëndësishme dhe për vendime, të cilat kanë të bëjnë me ardhmërinë e shtetit, për çështje për të cilat pozita dhe opozita nuk kanë qëndrime të njëjta, atëherë pa ndërmjetësim të jashtëm, zgjidhjet janë të pamundshme”, thotë Halili.
Sipas tij, dëshpërimi i qytetarëve është i madh nga Prokuroria Speciale, e cila nuk arriti të arsyetojë besimin e madh që kishte nga qytetarët për vendosjen e drejtësisë në vend.
“Prokuroria Speciale fatkeqësisht nuk tregoi se është e gatshme dhe e aftë që ta çojë punën deri në fund dhe ka mundësi, që pjesëtarë të Prokurorisë Speciale të kenë qenë të përfshirë në marrjen e ryshfetit nga njerëzit që kanë qenë të akuzuar për vepra të renda penale”, thotë Halili.
Debati për reformat në drejtësi po vazhdon tani një kohë të gjatë dhe partitë nuk po merren vesh kryesisht për Prokurorinë Speciale, paditë penale që ka ngritur ndaj ish-zyrtarëve, e që kanë për bazë aferën e përgjimeve.
Përplasjet mes partive kulmuan pas dyshimeve për përfshirjen e ish-kryeprokurores, Katica Janeva në një aferë korruptive me një afarist që po gjykohej për vepër të rëndë penale.
Janeva ka mohuar përfshirjen në këtë aferë duke theksuar se gjithë kjo bëhet nga njerëz që po tentojnë t’i ikin drejtësisë nga paditë e reja që pritet të ngrejë Prokuroria Speciale.
Por, Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev ka dorëzuar në Kuvend një draft-ligj për Prokurorinë Speciale, pa mbështetjen e opozitës dhe në vend të Prokurorisë Speciale ka propozuar një Prokurori të re kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, ndërsa në vend të Katica Janevës, për drejtuese të kësaj prokurorie, ka propozuar, Vilma Ruskoskën, të cilën opozita e quan “dorë të zgjatur” të kryeministrit Zoran Zaev.