Banorët e Buças, në periferi të Kievit, i thanë Radios Evropa e Lirë se ia dolën që t’i mbijetonin vrasjes “sistematike” të popullsisë së këtij qyteti, që deri pak kohë më parë ishte nën okupimin e trupave ruse.
Imazhet e publikuara kanë shfaqur civilë të vrarë në Buça, qytet të cilin forcat ruse e kishin okupuar më herët gjatë këtij muaji. Ushtria ruse u larguan nga qyteti më 1 prill. Pas publikimit të imazheve të vrasjeve të civilëve, komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar Rusinë dhe madje ka pasur akuza për gjenocid dhe krime lufte.
Disa banorë lokalë i thanë Radios Evropa e Lirë se ajo që panë pasi dolën nga shtëpitë e tyre me të hyrë trupat ushtarake ukrainase në qytet ishte “e tmerrshme”, pasi trupat e dhjetëra civilëve që ishin vrarë, ishin të shtrirë nëpër rrugë.
SHIKONI EDHE: Dënohen mizoritë e dyshuara në UkrainëNjë person tha se një snajperist rus qëllimisht kishte vrarë disa persona në këtë zonë, përfshirë edhe një familjar të tij.
“Një snajperist filloi të qëllonte në këtë zonë më 5 mars”, tha ky person. “Kur ne u larguam nga shtëpia atë ditë para orës policore, dhëndëri im u vra me snajper. Pas kësaj filloi gjithçka, ata filluan të shtinin ndaj personave që gjendeshin jashtë”, tha ky banor.
Një tjetër banor i Buças tha se ka parë ushtarët rusë duke vrarë tre civilë dhe shtoi se ushtarët i qëlluan ata pa asnjë arsye.
“Pasi e qëlluan njërin, ata hodhën një granatë në trupin e tij. Më vonë, ne varrosëm mbetjet mortore të tij... ishte e tmerrshme”, tha ky person, duke shtuar se edhe vëllain e tij e kishin vrarë teksa ai ishte duke shkuar në një strehimore më 5 mars.
“Kishte një sistem”, tha ky person. “Ata po i vrisnin njerëzit në mënyrë sistematike. Personalisht kam dëgjuar se si një snajperist mburrej se kishte vrarë dy persona që i kishte parë përmes një dritareje të një banese... Nuk kishte nevojë, nuk kishte asnjë justifikim ushtarak për të vrarë... ishte thjesht për të torturuar civilët. Në një lagje tjetër, banorët u torturuan. Ata u gjetën me duar të lidhura pas shpine dhe ishin qëlluar me plumba pas koke”.
Your browser doesn’t support HTML5
Kryetari i Buças, Anatoliy Fedoruk, tha më 2 prill se afër 300 banorë lokalë janë vrarë gjatë okupimit rus të këtij qyteti dhe afër 280 trupa janë gjetur në një varrezë masive.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha më 3 prill se prokurorët po hetonin për krime të dyshuara lufte nga Rusia dhe thanë se kanë gjetur 410 trupa në qytet dhe se 140 prej tyre ishin ekzaminuar.
Rusia ka mohuar se forcat e saj kanë qenë të përfshirë në këto vrasje dhe kanë thënë se këto pretendime janë “provokim”.