Johnson: Pavarësisht se kush vjen pas meje, mbështetja për Ukrainën “nuk do të lëkundet”

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe kryeministri britanik Boris Johnson. Kiev, 17 qershor 2022.

Kryeministri britanik në largim, Boris Johnson i tha presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në një telefonatë më 22 korrik se mbështetja britanike për Ukrainën “nuk do të lëkundet” pavarësisht se kush do të bëhet kryeministri i ardhshëm i vendit të tij.

Johnson "theksoi vendosmërinë e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur popullin ukrainas” dhe tha se ajo nuk do të lëkundet edhe pasi Partia Konservatore të zgjedhë zëvendësuesin e tij.

Ai njoftoi dorëheqjen e tij më 7 korrik mes një vale skandalesh dhe dezertimesh nga ministrat e kabinetit të tij.

SHIKONI EDHE: Johnson jep dorëheqje nga partia, mbetet kryeministër tash për tash

Johnson tha se do të qëndrojë në postin e tij derisa partia të zgjedhë një udhëheqës të ri në shtator.

Dy kandidatët që konkurrojnë për ta zëvendësuar atë, ish-ministri i financave, Rishi Sunak dhe sekretarja e jashtme, Liz Truss kanë thënë të dy se do të mbajnë mbështetje të fortë diplomatike dhe ushtarake për Kievin.

SHIKONI EDHE: Sekretarja e Jashtme britanike i bashkohet garës për kryeministër

Johnson ka qenë një nga mbështetësit më aktivë dhe më të zëshëm të Ukrainës. Ai ka vizituar Kievin dy herë që nga fillimi i luftës dhe ka dhënë miliarda paund ndihmë ushtarake.