Ndërlidhjet

Johnson jep dorëheqje nga partia, mbetet kryeministër tash për tash


Boris Johnson duke njoftuar për dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Londër, 7 korrik 2022.
Boris Johnson duke njoftuar për dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Londër, 7 korrik 2022.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, të enjten ka dhënë dorëheqje nga posti i liderit të Partisë Konservatore. Në një fjalim drejtuar kombit, Johnson ka bërë të ditur se ka emëruar një kabinet qeveritar, kurse ai do të shërbejë si kryeministër i vendit derisa të zgjidhet pasuesi e tij.

“Është e qartë tani se vullneti i Partisë Konservatore është që duhet të ketë një lider të ri të partisë dhe kryeministër”, ka deklaruar Johnson në adresimin nga zyra e kryeministrit.

Njoftimi i Johnsonit u bë pasi më shumë se 50 zyrtarë britanikë dhanë dorëheqje nga postet e tyre.

Pakënaqësitë në kabinetin e Johnsonit u shfaqën pas disa zbulimeve së fundmi lidhur me sjellje të papërshtatshme seksuale të ligjvënësit konservator Chris Pincher dhe u raportua se Johnson ishte në dijeni të këtyre ndodhive.

Javën e kaluar, Pincher dha dorëheqje pasi dolën ankesa se ai kishte ngacmuar dy burra në një klub privat. Kjo nxiti një seri raportimesh për pretendime në të kaluarën ndaj Pincherit. Menjëherë pas zbulimit të këtij skandali nisën edhe dorëheqjet e para nga kabineti i Johnsonit.

Tetë ministra, përfshirë edhe dy sekretarë të shtetit, kanë dhënë dorëheqje më 7 korrik, duke e lënë Johnsonin të izoluar dhe pa fuqi politike dhe duke e shtyrë atë që të njoftojë për dorëheqjen e tij.

Në mesin e zyrtarëve që kanë dhënë dorëheqje janë edhe kancelari Nadhim Zahawi, i cili ishte emëruar dy ditë më parë. Ai tha se situata “nuk është e qëndrueshme dhe vetëm do të përkeqësohet”.

Zahawi ishte emëruar pasi Rishi Sunak u dorëhoq dhe tha se nuk mund ta mbështeste më Johnsonin për shkak të një serie të skandaleve etike.

Po ashtu, sekretari për Irlandën, Brandon Lewis, është në mesin e politikanëve që janë dorëhequr.

Johnson i kishte mbijetuar një mocioni mosbesimi më 6 qershor të ngritur nga Partia Konservatore, edhe pse 41 për qind e ligjvënësve votuan që ai të largohej nga detyra.

Johnson erdhi në pushtet më 2019, pasi shënoi fitoren më të madhe që kishte përjetuar Partia Konservatore.

Si e zgjedhin konservatorët një udhëheqës të ri?

Pasi lideri konservator jep dorëheqjen, fillojnë zgjedhjet për një lider të ri partie.

Sipas rregullave aktuale, kandidatët kanë nevojë për mbështetjen e tetë deputetëve konservatorë për t'u zgjedhur. Pasi të jenë shpallur të gjithë kandidatët, nëse ka më shumë se dy kandidatë, deputetët konservatorë mbajnë një seri votash derisa të mbeten vetëm dy kandidatë.

Në rundin e parë, kandidatët duhet të marrin pesë për qind të votave për të mbetur (aktualisht 18 deputetë).

Në rundin e dytë ata duhet të marrin 10 për qind (aktualisht 36 deputetë).

Në rundin tjetër të votimit eliminohet kandidati me më pak vota.

Kur mbeten dy deputetë, të gjithë anëtarët e Partisë Konservatore në të gjithë vendin, pra jo vetëm deputetët, votojnë për fituesin.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG