Ministrja britanike: Lufta mund të jetë fillimi i fundit të Putinit

Sekretarja e Jashtme britanike, Lizz Truss.

Sulmi i ushtrisë ruse në Ukrainë “mund të jetë fillimi i fundit” të presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë Sekretarja e Jashtme britanike, Lizz Truss.

Duke folur për mediumin Sky News, Truss ka thënë se “ne po shohim rezistencë të fuqishme ukrainase” dhe Mbretëria e Bashkuar “do të vazhdojë të furnizojë ata me armë dhe mbështetje ekonomike”.

Ajo ka thënë se beson që Putin është duke bërë “gabim strategjik”, duke marrë parasysh dëmin që do të shkaktojnë sanksionet në ekonominë ruse.

Mirëpo ajo ka sugjeruar se lufta mund të vazhdojë “për disa vjet”, duke shtuar: Frikësohem se kjo gjë nuk do të përfundojë shpejt”.

“Frikësohem se ky konflikt do të jetë shumë, shumë i përgjakshëm”.

SHIKONI EDHE: Zelenskyi: Nuk bisedojmë me Rusinë në Bjellorusi

Kur është pyetur për sanksionet britanike, Truss ka thënë se është përpiluar “një listë me oligarkë” dhe ka sugjeruar se do të ketë “një program të vazhdueshëm të sanksioneve”.

Lufta në Ukrainë do të nxisë “kosto ekonomike” në Mbretëri të Bashkuar, ka thënë mes tjerash ajo.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

SHIKONI EDHE: Kremlini: Ukraina duhet të çmilitarizohet

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.