Komuniteti ndërkombëtar duhet ta imponojë një zgjidhje për konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit, pasi palët ndërluftuese nuk do të jenë në gjendje të pajtohen asnjëherë, tha shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të mërkurën.
“Unë besoj se ne kemi mësuar në këto 30 vjet se zgjidhja duhet të jetë e detyrueshme nga jashtë, sepse dy palët nuk do të jenë kurrë në gjendje të arrijnë marrëveshje”, tha Borrell në Lisbonë.
Ai paralajmëroi se “nëse kjo tragjedi nuk merr fund së shpejti, e tërë Lindja e Mesme do të digjet”.
Lufta arriti deri në Liban të martën me vrasjen e zëvendësliderit të Hamasit, Saleh al-Arouri, në Bejrut nga një sulm me dron.
SHIKONI EDHE: Vritet numri dy i HamasitIzraeli nuk e ka konfirmuar, po as mohuar se e ka vrarë numrin dy të Hamasit – grupit radikal palestinez që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.
Vrasja e tij ishte shenjë se lufta tashmë tremujore mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës është duke u përhapur në tërë rajonin.
“Ajo që ndodhi dje me vdekjen e njërit prej liderëve të Hamasit është një faktor tjetër që mund ta nxisë përshkallëzimin e konfliktit”, theksoi Borrelli, duke shtuar se do ta vizitojë Lindjen e Mesme, përfshirë Libanin, për “të gjetur mënyra” për zgjidhjen e konfliktit.
SHIKONI EDHE: Vrasja e zëvendësshefit të Hamasit rrezikon të zgjerojë luftënLufta nisi pasi pjesëtarët e Hamasit i sulmuan qytetet jugore të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, dhe duke i rrëmbyer mbi 240 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.
Prej atëherë, Izraeli e nisi një fushatë ajrore, tokësore dhe detare në Gazë, duke i vrarë mbi 22.300 palestinezë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi.