Ndërlidhjet

Vritet numri dy i Hamasit


Zëvendësshefi i Hamasit, Saleh Arouri, që u vra në një sulm në Bejrut më 2 janar 2024.
Zëvendësshefi i Hamasit, Saleh Arouri, që u vra në një sulm në Bejrut më 2 janar 2024.

Në një sulm ajror, që duket se është kryer nga Izraeli, në kryeqytetin libanez, Bejrut, është vrarë lideri numër dy politik i Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Vrasja e Saleh Arouri mund të paraqesë një përshkallëzim të madh në luftën e Izraelit kundër grupit radikal palestinez dhe të rrisë rrezikun për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Arouri, që është figura më e lartë e Hamasit që është vrarë që kur ka nisur lufta Izrael-Hamas, po ashtu ishte edhe themelues i grupit ushtarak të grupit. Vdekja e tij mund të provokojë një hakmarrje të thellë nga milicia e fuqishme e Libanit, Hezbollah.

Sulmi ajror i së martës goditi një ndërtesë banimi në një qark shiit në Bejrut, që është bastion i Hezbollahut. Lideri i Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, është zotuar se do të kundërpërgjigjet ndaj çdo shënjestrimi që Izraeli i bën zyrtarëve palestinezë në Liban.

Hezbollahu dhe ushtria izraelite pothuajse çdo ditë këmbejnë zjarr në kufirin mes dy shteteve, që kur Izraeli ka nisur fushatën e tij ushtarake në Gazë pothuajse tre muaj më parë. Por, deri më tani grupi libanez duket se nuk ka qenë i gatshëm të përshkallëzojë në mënyrë dramatike luftimet. Por, tani një përgjigje e fortë mund ta përshkallëzojë konfliktin në kufirin verior të Izraelit.

Media shtetërore në Liban, Agjencia Kombëtare e Lajmeve, tha se sulmi u krye nga një dron izraelit, ndërkaq zyrtarët izraelitë nuk kanë komentuar për këtë rast. Duke folur për gazetarët, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, nuk e përmendi në mënyrë të drejtpërdrejtë vdekjen e Arourit, por tha se “ne jemi të përqendruar që ta mbajmë fokusin në luftimet kundër Hamasit”.

“Ne jemi në gatishmëri të lartë për çdo skenar”, shtoi ai.

Vrasja e numrit dy të Hamasit vjen para vizitës në rajon të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në kohën kur Shtetet e Bashkuara po tentojnë të parandalojnë përhapjen e konfliktit, duke paralajmëruar vazhdimisht Hezbollahun – dhe mbështetësin e tij rajonal, Iranin – që të mos e përshkallëzojë dhunën.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të vazhdojë me sulmet në Gazë derisa Hamasi të shkatërrohet dhe të lirohen mbi 100 pengje që ende mbahen nga grupi radikal palestinez. Po ashtu, zyrtarët izraelitë kanë shtuar paralajmërimet ditëve të fundit se mund të intensifikojnë veprimet ndaj Hezbollahut, nëse nuk ndalen sulmet në kufi.

Netanyahu dhe zyrtarët e tjerë izraelitë vazhdimisht kanë kërcënuar se do të vrasin udhëheqësit e Hamasit kudo që ata ndodhen. Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë. Ky sulm nxiti luftën në Gazë, që ka lënë të vrarë mbi 22.100 palestinezë.

Izraeli ka pretenduar se ka vrarë një numër të udhëheqësve të nivelit të mesëm të Hamasit në Gazë, por kjo është hera e parë që – nëse merr përgjegjësinë për vrasjen e udhëheqësit të lartë të Hamasit – kryen sulme në një shtet tjetër duke shënjestruar liderët e Hamasit.

Arouri ishte zëvendës i liderit suprem politik të grupit, Ismail Haniyeh, dhe kishte udhëhequr praninë e grupit në Bregun Perëndimor. Ai po ashtu ishte një ndërlidhës kyç me Hezbollahun.

Sulmi i së martës në një ndërtesë banimi në Musharafieh, në periferi të Bejrutit, la të vrarë katër persona, sipas mediave libaneze. Hamasi ka konfirmuar se Arouri është vrarë së bashku me gjashtë anëtarë të tjerë të Hamasit, përfshirë edhe dy komandant ushtarakë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG