Borrell: Kurti dhe Vuçiq takohen më 14 shtator

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajcak, dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell, në Bruksel, 2 maj 2023.

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet me 14 shtator, ka njoftuar në një konferencë për shtyp në Spanjë përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj - nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.

Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

SHIKONI EDHE: A mund të zgjidhen mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi deri më 2030?

Gjatë konferencës së tij, Borrell ka njoftuar se së bashku me presidencën spanjolle të BE-së do të mbajë një konferencë të përbashkët në nivel të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perendimor për të analizuar situatën në rajon. Ai shtoi se kjo do të bëhet krahas takimeve tjera që do të zhvillohen, siç është samiti i Procesit të Berlinit.

“Çështja e zgjerimit ka qenë në diskutimet tona. Kemi diskutuar për Ukrainën dhe për zgjerimin drejt Ballkanit perëndimor . Do të mbetet proces i zbatuar në meritat individuale”, ka thënë ai duke shtuar se edhe për BE-ja ka nevojë të përgatitet për zgjerim.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka propozuar këtë javë që viti 2030 të caktohet si afati deri kur edhe Bashkimi Evropian, edhe vendet kandidate duhet të jenë të gatshme për zgjerim.

SHIKONI EDHE:

Propozohet që deri më 2030 BE-ja dhe shtetet kandidate të jenë gati për zgjerim KE thotë se fokusohet në zgjerim dhe jo në afate kohoreKomisionari i BE-së: Jemi të gatshëm ta bëjmë realitet përshpejtimin e zgjerimit

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri i ka bërë këto komente në një konferencë për shtyp pas takimit joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Toledo të Spanjës.