Ndërlidhjet

Komisionari i BE-së: Jemi të gatshëm ta bëjmë realitet përshpejtimin e zgjerimit


Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka thënë më 31 gusht se, nëse Këshilli Evropian do, Komisioni Evropian është i gatshëm ta kryejë punën e vet për ta realizuar përshpejtimin e zgjerimit të BE-së.

Ai këto komente i bëri teksa u përgjigjej në pyetjet rreth propozimit të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, që viti 2030 të caktohet si afati deri kur edhe Bashkimi Evropian, edhe vendet kandidate duhet të jenë të gatshme për zgjerim.

“Sipas mendimit tim, nëse presidenti i Këshillit dëshiron që më në fund të angazhohet dhe ta bëjë një hap të madh për ta bërë zgjerimin realitet, atëherë ky është një lajmë i mirëpritur”, ka thënë Varhelyi.

Ai ka thënë se Komisioni Evropian është i gatshëm për ta zbatuar çfarëdo propozimi.

“Natyrisht, Komisioni [Evropian] ka qenë gjithmonë i gatshëm për të bërë çfarëdo propozimi i cili do të na qonte deri tek synimi. Nuk mendoj se kjo është çështje e datave, por më shumë çështje e vullnetit dhe rezultateve – rezultateve nga ana jonë dhe nga ana e partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor dhe tri vendet e tjera kandidate”, ka thënë ai.

“Komisioni [Evropian] është i gatshëm të bëj çfarëdo propozimi dhe këtë do e shihni që në tetor kur ne do të donim ta paraqesim një propozim domethënës përfshirë edhe planin e rritjes, që presidentja tashmë e ka sqaruar në Bratislavë, që do ta shpejtonte jo vetëm integrimin, jo vetëm institucional por edhe real – integrimin real të njerëzve dhe ekonomisë në Bashkimin Evropian”, ka thënë Varhelyi.

I pyetur se cilat vende do të mund të ishin të parat që do të anëtarësoheshin në BE, ai tha se kjo do të varet nga pyetja se cilat janë më afër dhe cilat do t’i bëjnë më shpejt reformat.

“Unë do i inkurajoja ato që ta përshpejtojnë punën e tyre. Unë mendoj se të gjitha ato kanë çfarë u duhet dhe ne do të kemi gjithçka në tryezë nga tetori për të bërë këtë. Le të shpresojmë se jo vetëm një por, të gjithë të jenë të interesuar për këtë ofertë evropiane”, shtoi Varhelyi.

Dy ditë më parë, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Dana Spinat, tha se KE-ja nuk është e përqendruar në afate kohore në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), por për t’i ndihmuar vendet kandidate për të përparuar në këtë proces.

Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth hapave që duhet të ndërmerren për ta shpejtuar zgjerimin, ai tha se duhet të merren të gjitha vendimet, qofshin ato të vogla apo të mëdha, si vendimet në konferenca ndërqeveritare, vendime për financime dhe vendime për integrime reale, para se vendet të anëtarësohen formalisht në BE.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG