Bllokada institucionale 'bllokon' edhe buxhetin

Ilustrim

Për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit dhe krijimit të Qeverisë së Kosovës është pamundësuar rishikimi i buxhetit të Kosovës, thonë udhëheqës të institucioneve, sipas të cilëve kanë filluar problemet në kryerjen e obligimeve të parapara financiare.

Ministri në largim i Financave, Agim Krasniqi, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ministria dhe agjencitë buxhetore kanë bërë përgatitjet për këtë proces, por pa krijimin e institucioneve, rishikimi nuk mund të përfundojë, çka nënkupton edhe mos mundësi të rialokimit të mjeteve për ministritë, komunat dhe të gjitha agjencive buxhetore.

Ai ndërkaq thotë se problemet janë paraqitur nga mosndryshimi i disa ligjeve të parapara, në bazë të te cilave është planifikuar tërheqja e mjeteve financiare. Nga kjo situatë, Krasniqi thotë se është pamundësuar fillimi i disa projekteve të reja, duke mbuluar shpenzimet për projektet e filluara më herët.

Rasti konkret është mosardhja e mjeteve nga AKP-ja, për shkak se nuk ka mundur të ndryshohet ligji për AKP-në. Dhe në këtë rast ne kemi planifikuar që të ndajmë 67 milionë euro për autostradën Prishtinë – Shkup dhe 136 milionë euro mjete të rregullta nga buxheti. Mosardhja e këtyre mjeteve nga buxheti na ka detyruar që të bëjmë disa shkurtime që mos të fillojmë projekte të reja dhe përfundojmë obligimet që kanë ardhur”, thotë Krasniqi.

Rishikimin i buxhetit ofron mundësi për transfere ndërmjet nën-programeve dhe organizatave buxhetore.

Organizatave buxhetore u lejohet të bëjnë rregullime të brendshme që janë të arsyeshme për të bërë ekzekutimin efikas të buxhetit për periudhën e mbetur të vitit buxhetor.

Pasojat më të mëdha nga moskrijimi i institucioneve të Kosovës, i bartë ekonomia, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se për Republikën e Kosovës përveç dëmtimit të partneritetit me institucionet financiare ndërkombëtare, pasoja më e madhe është mosrishikimi i buxhetit për vitin 2017.

Në mungesë të rishikimit, Gërxhaliu shprehet se disa projekte që janë kontraktuar nga sektori publik, e që realizohen nga sektori privat, mund të ndërpriten për shkak se nuk mund të paguhen nga Qeveria e Kosovës.

Dhe derisa në këtë drejtim nuk do të ketë rishikim, atëherë do të ketë mangësi në pagesë, do të ketë shumë projekte që do të ndërpriten. Për këtë arsye duhet të ngrihem mbi interesat partiake dhe grupore dhe të mendojmë për shtet, që institucionet t’i kemi sa më shpejtë, sepse pasojat do të jenë shumë të mëdha”, tha Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Gërxhaliu, shpreh shqetësimin se problemet e grumbulluara do të reflektohen edhe vitin tjetër, kurse, siç thotë ai, pasojat shumë vështirë do të rimëkëmben.

Sepse nëse njëherë krijohet një besueshmëri dhe ajo dëmtohet, do nevojitet kohë që të rikuperohet, dhe në këtë drejtim besoj se në një situatë të tillë prapë fitues do të jenë bankat komerciale. Sepse biznesi duhet të gjejë alternativë dhe nëse nuk kryhen obligimet buxhetore nga shteti, atëherë alternativat e vetme do të jenë bankat komerciale”, thotë tutje Gërxhaliu.

Përveç procesit të rishikimit të buxhetit për këtë vit, muaji shtator është periudha kur komunat duhet të përfundojnë dhe dorëzojnë tek Ministria e Financave propozimet dhe kërkesat për ndarje buxhetore për vitin e ardhshëm.

Kurse, deri në fund të muajit tetor Qeveria duhet të miratojë buxhetin e propozuar për të dërguar në Kuvend,i cili duhet të miratohet deri në fund të muajit dhjetor.